Televizioni propagandistik rus në gjuhën angleze, Rusia Today dhe portali Sputnik, kanë publikuar një lajm të bujshëm, ku bëjnë të ditur se SHBA ka akorduar 3 milionë dollarë nëpërmjet USAID-it për të ndihmuar opozitën dhe forcat antiruse në Serbi.
Sipas Sputnik, qendra rajonale e këtyre parave që po shpërndahen për Serbinë ndodhet në Kosovë. Aleksandr Asafov, një ekspert i njohur në Rusi, i tha Sputnik se SHBA po ndërton një skemë paralele që ta ndalojë Aleksandër Vuçiçin që të “luajë më dy porta”.
Ajo që tha Hoyt Brian Yee në Beograd është paralajmërimi i fortë ndaj Vuçiç për këtë aksion.
Sipas portalit rus, 3 milionë dollarë do t’i shpërndahen shoqërisë civile, privatëve me ide perëndimore dhe natyrisht do të fuqizojnë Boris Tadiçin dhe Cedomir Jovanoviçin, të cilët e kanë larguar me kohë në kokën e tyre Kosovën dhe Moskën dhe janë të bindur për afrimin e Serbisë në BE.
Sputnik thekson se edhe protestat pas zgjedhjes së Vuçiç-president nuk janë organizuar nga askush tjetër veçse SHBA-në. /tesheshi.com/