Të premten, një pjesë e planetit do të jetë dëshmitare e Eklipsit të Diellit – një fenomen i rrallë, gjatë të cilit Dielli errësohet plotësisht nga Hëna.
Historia e eklipseve
Burimet e historisë tregojnë se babilonasit dhe kinezët e lashtë ishin të aftë që t’i parashikonin eklipset që në vitin 2500 para Krishtit, por ky është një fenomen për të cilin kishin shumë njohuri edhe një numër i madh civilizimesh antike
Grekët besonin se Eklipsi i Diellit, ishte një shenjë e zemërimit të Zotave dhe ato shoqëroheshin me vdekje dhe shkatërrime. Në fakt, fjala “eklips” vjen nga greqishtja e vjetër “ekleipsis” që do të thotë “i errësuar”, ose “i braktisur”. Ja çfarë thuhet për këtë fenomen në një poemë të humbur të Arkilokusit:
“Asgjë nuk është përtej shpresës,
Asgjë që të tingëllojë e pamundur,
Asgjë e mrekullueshme, që kur Zeusi,
Ati i Olimpit, e shndërroi ditën në natë,
Duke ja fshehur Diellit dritën,
E sakaq frika pushtoi njerzimin”
Në Kinën e Lashtë, eklipsi shihej si një parathënës i të ardhmes së Perandorit. Rreth 4000 vjet më parë, dy astrologë kinezë u ekzekutuan për shkak se dështuan të parashikonin Eklipsin e Diellit. Kinezët, gjatë fenomenit të Eklipsit, mblidheshin bashkë dhe bënin potere me enët e tyre për të trembur demonët.
Kultura të ndryshme e konsideronin Eklipsin pasojë të gëlltitjes që qenie mitologjke i bënin Diellit. Në Vietnam mendonin se një bretkocë gjigande e kishte ngrënë Diellin, ndërsa vikingët fajësonin ujqërit. Ndërkohë. Sipas Hinduve të lashtë dhe mitologjsë së tyre, Eklipsi ndodhte kur perëndia me emrin, Rahu, vritej nga zotat për shkak se kishte pirë ambrosia (pija e perëndive). Thuhet më pas, se koka e Rahut fluturonte në qiell ku gëlltitej nga Dielli.
Supersticionet mbizotëruese
Edhe sot ekzistojnë shumë supersticione për Eklipsin e Diellit. Shumë besojnë se Eklipsi i Diellit mund të paraqesë rrezik për gratë shtatëzëna dhe foshnjet e tyre të palindura – një pretendim që është rrëzuar plotësisht nga shkencëtarët. Në disa zona të Indisë, njerëzit argjërojnë gjatë Eklipsit të Diellit sepse besojnë që çdo ushqim i konsumuar gjatë këtij fenomeni është i helmatisur. Në Itali besojnë se lulet që mbillen gjatë Eklipsit të Diellit kanë ngjyra më të forta se ato që mbillen në periudha të tjera të vitit.
Sa shpesh ndodh një eklips i Diellit
Një Eklips i Diellit ndodh vetëm kur është Hëna e re, kur Hëna e mbulon pamjen e Diellit i cili zhduket i tëri nga disa zona të Tokës. Mund të ndodhë deri 5 herë në vit, edhe pse sipas NASA-s, gjatë 5000 viteve të fundit, vetëm 25 vite kanë pasur një shpeshtësi prej 5 eklipsesh.
Gjatë 500 viteve të fundit, vetëm 5 eklipse janë parë të plota nga Shqipëria.
Masat e Sigurisë
Vëzhguesit e këtij fenomeni që do të duan të marrin foto me aparate dixhitale duhet që të kenë kujdes, pasi ekspertët e syve paralajmërojnë se mund të ketë probleme verbimi. Nuk rekomandohet që fenomeni të shihet më sy të “zhveshur”, sepse kjo mund të çojë në djegie të syrit, madje edhe në rastin e përdorimit të syzeve të diellit.
Admiruesit do të kenë mundësi që ta ndjekin “live” në shumë sajte në internet.
Gjykimi astrologjik
Sipas Astrologjisë, eklipset diellore sjellin ndryshime dhe parathonë zhvillime e fillime të reja në jetën tonë. Zakonisht efektet ndihen në javët që i paraprijnë këtij fenomeni, gjatë ditës kur ai ndodh dhe pak kohë më pas. Në varësi në ditës dhe orës së lindjes së gjithësecilt, Eklipsi ka ndikime të ndryshme, por ka edhe një ndikim që na prek të gjithëve kolektivisht si njerëzim dhe ka ndikim edhe në ngjarjet globale. Për shembull gjatë periudhjës së eklipsit të fundit diellor, në fund të tetorit, ka pasur disa sulme terroriste.
Gjykimi Islam mbi Eklipsin
Të gjitha çfarë u përshkruan më sipër, Islami i trajton si të kota dhe pa asnjë bazë logjike e argumentuese. Në mendimin Islam, Eklipsi është një fenomen që vlen vetëm si argument i fuqisë dhe njëshmërisë së Zotit dhe për këtë, ka një adhurim të veçantë siç është falja e Namazit të Eklipsit. Ndërsa lidhja e këtij fenomeni në univers me fatin në tokë të ndonjë krijese, për mirë a për keq, në mendimin islam përbën një lajthitje njerëzore.
Fenomene të tjera qiellore që do të ndodhin gjatë eklipsit
Veç Eklipsit të Diellit, do të shihet edhe super-Hëna si dhe është moment i ndodhjes së ekuinoksit të pranverës. Super-Hëna ka të bëjë me momentin kur orbita e Hënës ndodhet fare pranë orbitës së Tokës, duke e bërë kështu Hënën që të duket më e madhe dhe më e plotë. Ndërsa ekuinoksi i pranverës është ai moment i vitit kur dita dhe nata kanë të njëjtën kohëzgjatje. Eklipsi do të ndodhë 13 orë para ekuinoksit.
Si do të shihet në Shqipëri?
Nuk do të kemi një spektakël të plotë, por të pjesshëm të këtij fenomeni . Në Tiranë ai do të nisë në orën 9 e 35 dhe do të kulmojë në orën 10 e 42. Kështu, mëngjesi dhe një pjesë e drekës do të shndërrohen në “muzg”. /tesheshi.com/