Hisham Aidi
Më 8 janar, një ditë pas sulmit mbi Charlie Hebdo-në, PEGIDA, lëvizja antislame me bazë në Gjermani, hapi një degë në Spanjë, dhe bëri thirrje për një marshim masiv përballë xhamive në Madrid dhe Valencia. Më 12 janar, gazetat spanjolle raportuan me krenari se Alhambra, pallati maurit në Granada, ka festuar “vitin më të mirë të historisë së saj”, duke thyer rekordin e vet me pritjen e 2.4 milionë vizitorëve në vitin 2014, e duke e bërë edhe një herë vendin kulturor më të vizituar në Spanjë, nëse jo në Europë.
Gazetat kishin raportuar një ditë më herët se xhamia-katedrale historike e Kordovës kishte thyer gjithashtu rekordin e vet, duke u hapur dyert 1.5 milionë vizitorëve në 2014-n. Por më pas, më 15 janar, 200 njerëz ishin larguar nga xhamia-katedrale; një makinë e parkuar keq pranë i kishte bërë policët të dyshonin për bombë.
Spanja krenohet se nuk ka lëvizje antiemigrante apo histeri që kanë përfshirë pjesë të tjera të Europës Perëndimore, dhe me tregimin e maturisë së jashtëzakonshme pas shpërthimit të bombave në vitin 2004 në stacionin Atoça (Atocha). E vetmja lëvizje spanjolle që zuri vend në titujt ndërkombëtarë gjatë vitit të shkuar ka qenë Podemos, partia e së majtës, që drejtpërdrejt ka sfiduar “la casta”-në, klasën drejtuese politike.
Vandalizëm dhe kërcënime
Por javët e fundit kanë qenë të trazuara, një gjysmë duzine xhamish janë shkatërruar barbarisht, dhe ndërsa “la casta” vendos si t’i përgjigjet tragjedisë së Parisit. Një ligj antiterrorizmi me mbështetjen e dy krahëve është në përgatitje, po nis një program kundër terrorizmit të dhunshëm, dhe departamentet e policisë në Andaluzi kanë marrë direktiva të reja mbi mënyrën e profilimit të muslimanëve.
Qëndrimi i dyzuar i Spanjës mbi të shkuarën e saj islame dhe afërsinë me Afrikën nuk është diçka e re. Debati të kthen më së paku në vitet 1940, te një grindje midis dy historianëve të spikatur, Americo Castro-s dhe Claudio Sanchez-Albornoz-it.
Ndërsa Castro argumentonte se spanjollët duhet të krenohen me historinë e tyre të përzier – tekembramja, identiteti kulturor spanjoll kishte lindur në mesjetë nga një simbiozë e elementëve muslimanë, hebrenj e krishterë – Sanchez-Albornoz-i e pa pushtimin e maurëve të 711-s si një katastrofë kombëtare, dhe marrëdhëniet mes muslimanëve e krishterëve si përgjithësisht antagoniste.
Ai deklaronte në të njëjtën kohë se Spanja kishte qenë historikisht një pjesëtare e Europës, e në mesjetë përcolli në pjesën tjetër të Europës një qytetërim plot jetë, por se sakrifica e saj për ta mbrojtur Europën nga sulmet e Islamit dhe Afrikës e pati lënë atë një shoqëri të varfëruar.
Këto vizione rivalizuese – Spanja si borxhlie ndaj “Orientit”, apo një Spanjë “fortesë”, mbrojtëse e Europës ndaj Islamit – janë shfaqur e kanë humbur sysh në momente kritike në historinë e vonë spanjolle. Nuk është e habitshme që ideja e një “Spanje fortesë” ka ngritur krye kohët e fundit.
Pakt antiterrorizëm
Kryeministri Mariano Rajoy ka hartuar një pakt antiterrorizëm, të mbështetur nga Partia Popullore e tij dhe Partia Socialiste e opozitës. Nxitimthi po bëhet gjithashtu një plan kombëtar për t’iu kundërpërgjigjur ekstremizmit të dhunshëm. Rajoy po i përgjigjet qartas një publiku të ligështuar prej emigracionit në rritje, prej dëshirës së shprehur të ISIS-it për ta “çliruar” el-Andaluzin, dhe prej faktit se Amedy Coulibaly, francezi që vrau katër njerëz në një supermarket në Paris, kaloi një javë në Madrid në fillim të janarit.
Deri tani dimë se programi kundër ekstremizmit të dhunshëm ka marrë si model programin britanik të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, dhe do të përqendrohet në sulmet e “ujkut vetmitar”.
Kritikët po vënë në dukje tashmë disa masa shqetësuese, duke përfshirë treguesit e sjelljes që zyrtarëve të sigurisë do t’u thuhet t’i kenë në vëmendje në identifikimin e të rinjve “në rrezik”, për shembull, studentët që nuk pranojnë të shtrëngojnë duart me anëtarët e gjinisë së kundërt, dhe pacientët që refuzojnë të zhvishen para një doktori.
Pakti i unitetit kombëtar i Rajoy-os po dëshmohet tashmë mospajtues. Pablo Iglesias-i i Podemos-it ka denoncuar “populizmin ndëshkimor” të ligjeve të propozuara kundër terrorizmit. Gazetarët në të majtë kanë kërkuar të dinë gjithashtu pse qeveria e Rajoy-os po lëviz aq shpejt për të kaluar një pakt sigurie bipartizan kur ajo nuk ka treguar vendosmëri apo unitet të tillë për të luftuar papunësinë dhe korrupsionin.
Juan Carlos Monedero, një zëdhënës i Podemos-it, e ka akuzuar Rajoy-on se ka shkuar në Paris për të marshuar në mbrojtje të lirisë së shprehjes teksa “e pengon” fjalën e lirë në vendin e tij me Ley Mordaza-n, një ligj i sigurisë publike i aprovuar nga parlamenti në fund të dhjetorit, i cili mes të tjerash do të ndëshkojë djegien e flamurit spanjoll, dhe protestimin jashtë ndërtesave parlamentare.
Trajtimi i krizës ekonomike
Deputetët socialistë e shohin ligjin si thjesht një përpjekje nga partia në pushtet për të shuar protestën rreth trajtimit nga ana e saj të krizës ekonomike të Spanjës.
Por më i diskutueshëm është një dokument i shkruar nga departamenti i policisë së Seviljes, i rrjedhur në shtyp javën e shkuar, që përvijon në vija të përgjithshme se si duhet t’i trajtojë njerëzit me “origjinë arabe” zbatimi i ligjit në rajonin e Andaluzisë; shefi i policisë së Seviljes ka deklaruar se dokumenti ishte vetëm për qarkullim të brendshëm.
Sjellja e dyshimtë që diktimi i ligjit është kërkuar ta ketë në vëmendje janë arabët që bëjnë fotografi në “zona joturistike”, apo që përdorin kompjuterat portativë ndërsa qëndrojnë brenda një makine. Policëve u është thënë po ashtu të mos i heqin sytë prej algjerianëve, ngaqë ata priren të jenë “konfliktues”. Federata e Shoqatave Algjeriane në Europë ka paraqitur tanimë një ankesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme spanjolle.
Grindja partizane ngjan të vazhdojë, dhe e kaluara maurite e vendit lidhet disi me sherrin politik aktual. Kështu, dioqeza e Kordovës, e cila ka në kontroll vendin e xhamisë-katedrale, dhe përfiton nga lumi i vizitorëve, filloi së fundi ta përmendë monumentin thjesht si një katedrale, e jo si xhami-katedrale, që është emri i miratuar nga këshilli i qytetit.
“Fshehja e të shkuarës [së katedrales] si një xhami është njëlloj si ta quash Alhambrën pallati i Karlit V, është absurde”, u shpreh Rafael Rodriguez, ministri i Turizmit i Andaluzisë.
Krenaria kombëtare përzihet me ankth në Spanjë. Tani ka hyrë në betejë PEDEGA.
Grupi publikoi së fundi në faqen e tij elektronike në spanjisht një tablo që përshkruan dëbimin e maurëve nga Granada në vitin 1492, duke thënë, “E bëmë 400 vite më parë, dhe do ta bëjmë përsëri.”
Autori jep mësim në Universitetin e Kolumbisë (Columbia University)
Përktheu: Bujar M. Hoxha