Pasi Hungaria mbylli kufirin e saj jugor me Kroacinë, të rrethuar tanimë me tela me gjemba, masa e madhe e refugjatëve kanë vërshuar drejt Sllovenisë.
Një numër autobusash të mbushur me refugjatë kanë mbërritur të shtunën nga Kroacia në Petisovci, një qytet kufitar në Slloveni. Policia ka bërë të ditur se ata do të regjistrohen, e më pas do të vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Gjermanisë dhe Austrisë, si dy vendet më të parapëlqyera prej tyre.
Sllovenia ka kapacitete të kufizuara për pritjen e refugjatëve, por autoritetet e vendit kanë deklaruar se do të pranojnë refugjatë për sa kohë që edhe Gjermania e Austria i mbajnë kufijtë e hapur.
Gjendja e refugjatëve bëhet akoma më shqetësuese me afrimin e dimrit, ndërsa shirat kanë nisur dhe temperaturat kanë rënë.
Rruga e emigrantëve drejt vendeve më të zhvilluara të BE-së ka ndryshuar drejtim disa herë gjatë kohëve të fundit. Në fillim ata kalonin përmes Serbisë për në Hungari e më tej. Me mbylljen nga Hungaria të kufirit me Serbinë, refugjatët zgjodhën Kroacinë si një prej stacioneve të tyre. Por mbyllja mesnatën e së shtunës prej Hungarisë dhe e kufirit me Kroacinë, i ka bërë të ikurit nga lufta dhe mjerimi të zgjedhin Slloveninë.
Ministri kroat i Punëve të Brendshme, Ranko Ostojiç, deklaroi se vendimi i Hungarisë për ta mbyllur kufirin nuk do ta ndalojë vërshimin e mijëra refugjatëve nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika. Sipas tij, mbyllja e kufijve do të sjellë një efekt domino dhe do të shkaktojë probleme për të gjitha vendet. /tesheshi.com/