Nga Mark Brunga
Më 28 nëntor, ditën e Pavarësisë, e njëherësh ditën kur ka lindur heroi legjendar Adem Jashari, Lipjani pritet të vendosë nëj shtatore të tij në qendër të qytetit. E veçanta është se ajo do vjen nga Shqipëria, më saktë nga Durrësi, ku është punuar nga skulptori vendas Idriz Balani.
Pasi boceti i tij u vlerësua si më i miri nga autoritetet e Lipjanit, e për këtë arsye iu dha si punë, ai thotë se nisi të futej thellë e më thellë në botën e heroit.
“E kam vizituar kompleksin e Jasharajve që në dhjetor të 2003-it, dhe ajo që përjetova atje nuk mu shlye asnjëherë nga mendja dhe shpirti. Kështu, kur nisa nga puna, Baca Adem ishte tek unë një figurë gjurmëlënëse dhe thuajse e kompletuar. Por kjo nuk do të thotë se nuk pata vështirësi. Sfida më e madhe ishte që mos bija në përsëritjen e të tjerëve, të atyre që po ashtu si unë kanë nxjerrë nga duart monumente të heroit. Kërkoja një Adem që të ishte i veçantë dhe tërësisht me origjinalitetin tim”, thotë skulptori Balani.
Shtatorja e Adem Jasharit e punuar prej tij është lartë rreth 3m e 25 cm dhe do të peshojë pas derdhjes në bronx afërsisht 1 ton. Këto ditë vepra monumentale e përfunduar në argjil, sipas teknologjisë do të shkojë për derdhje në bronx, në një nga fonderitë e specializuara për derdhjen e veprave të artit në Tiranë. Ajo do të vendoset në një nga sheshet kryesore të Lipjanit më 28 nëntor. /tesheshi.com/