Ekipi turk i futbollit, Fenerbahçe ka arritur në Shkup. Ky ekip gjatë ditës së nesërme në kuadër të xhiros së parë “play-off” të UEFA Liga e Evropës do të ndeshet me kampionin e Maqedonisë, Vardarin.
Skuadra e Fenerbahçes në aeroportin “Aleksandri i Madh” u prit nga një delegacion i Ambasadës së Turqisë në Shkup, i kryesuar nga ambasadorja Tülin Erkal Kara, ndërsa më pas u shoqëruan në hotelin privat ku do jenë të vendosur.
Skuadrën e Fenerbahçes para hotelit në Shkup e pritën një grup tifozësh të cilët me duartrokitje dhe me brohoritjen e emrave të lojtarëve përshëndetën të preferuarit e tyre.
Siç është paralajmëruar më herët, Fenerbahçe në mbrëmje do të drejtohet në një konferencë për media, ndërsa më pas do t’i zhvillojë stërvitjet e para në prag të ndeshjes kundër Vardarit.
Të gjithë futbolldashësit e interesuar për ta parë ndeshjen Vardar-Fenerbahçe, bileta mund të sigurohet në disa pikpagesa në Shkup, edhe atë me çmim vetëm prej 5 eurosh. /tesheshi.com/