Trukimi i ndeshjeve ka goditur edhe njëherë Kampionatin Shqiptarë të futbollit edhe ashtu shumë të diskutuar. Një aferë e re, ka përfunduar në Prokurori. Ajo e Shkodrës po merret me hetimin në lidhje me akuzat, dyshimet dhe aludimet për ndeshjen Vllaznia-Kukësi, e cila përfundoi 1-2 në favor të kuksianëve, e vlefshme për javën e 19-të të Superiores, njofton sot e përditshmja sportive, “Panorama Sport”.
Sipas kësaj gazete Prokuroria ka ftuar për të dëshmuar katër lojtarë të Vllaznisë, portierin Erind Selimaj, mbrojtësin Elvin Beqiri dhe mesfushorët Arsid Tafili dhe Arsen Hajdari, të aktivizuar në këtë sfidë.
Nga sa bëhet e ditur, prokurori i çështjes i ka marrë në pyetje të katër futbollistët e Vllaznisë, nëse kanë ndonjë informacion për atë përballje, në lidhje me akuzat dhe padinë penale që është bërë për sfidën Vllaznia-Kukësi, 1-2 java e 19 e kampionatit. Deri më tani mësohet se të ftuar për të dëshmuar janë tetë persona emri i të cilëve nuk është bërë ende publike. /tesheshi.com/