Militantët e ISIS-it, i ashtëquajturit Shteti Islamik, shkatërruan tempullin antik Baalshamin në qytetin Palmyra, pjesë e trashëgimisë botërore të OKB-së.
Lajmin e bëjnë të ditur aktivistë dhe zyrtarë të Antikiteteve në Siri. Shefi i agjencisë siriane të Antikiteteve citohet të ketë thënë se tempulli u hodh në erë të dielën. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut thotë se një gjë e tillë ka ndodhur një muaj më parë.
Shteti Islamik mori kontrollin në Palmyra në maj, duke nxitur druajtjen se do të shkatërronte trashëgiminë e pasur të qytetit pasi deri më tani kishte shkatërruar disa vende antike në Irak.
“Shteti Islamik vendosi një sasi të madhe eksplozivi në tempullin e Baalshamin, dhe e hodhi në erë duke i shkaktuar dëme të mëdha”, tha shefi i Antikiteteve siriane, Maamoun Abdulkarim për agjencinë e lajmeve AFP.
Palmyra është e famshme për rrënojat greko-romake, dhe tempulli në fjalë ishte shumë i rëndësishëm për trashëgiminë dhe pothuajse i paprekur. /tesheshi.com/