Trajneri legjendar Sir Alex Ferguson do ulet sërish në stolin e Manchester United, në një tjetër “finale” si ajo e Ligës së Kampionëve në vitin 1999 kundër Bayern Munich.
Përballja, e cila do të mbahet mend për kthimin e rezultatit në dy minutat e fundit, do të luhet më 26 maj në Old Trafford, saktësisht 20 vjet pas asaj finaleje të madhe që u luajt në Camp Nou. Trejneri aktual i “djajve të kuq”, Ole Gunnar Solskjaer pritet të jetë në fushë, sic atëherë në kulmin e formës së tij, kur dhe shënoi një prej dy golave, atë që i dha triumfin Manchester-it.
Ferguson, i cili u tërhoq nga pankina në vitin 2013, tha se do të ishte një ditë e veçantë.
“Po e pres me kënaqësi atë ditë të veçantë në Old Trafford. Do të jetë një mundësi për t’u takuar me disa emra të famshëm të asaj kohe dhe për të mbështetur punën e Fondacionit Manchester United”, tha Ferguson për faqen e internetit të klubit.
Trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit britanik, ai fitoi 38 trofe për 26 vjet. Të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave për duelin miqësor në përkujtim të 20-vjetorië të fitores së madhe do të shkojnë te Fondacioni Manchester United. /tesheshi.com/