Emiljano Shullazi dhe të pandehurit e tjerë në proçesin gjyqësor duket se po kërkojnë të gjejnë shpëtim te reforma në drejtësi.
Megjithëse kjo duket pak e çuditshme, avokati i tij Vladimir Meçi kërkoi sot ndryshimin e trupit gjykues sipas Kodit të ri të Procedurës Penale.
Kodi i ri parashikon që trupi gjykues të funksionojë me tre anëtarë, kur aktualisht trupa gjykuese funksionon me 5 anëtarë. Pas kërkesës së avokatit, trupi gjykues është tërhequr për vendim.
Emiljano Shullazi akuzohet për disa vepra penale si “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Kanosje për shkak të detyrës”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, shkruan BW.
Në seancën e kaluar të 12 shtatorit, Besnik Musai, shoferi personal dhe njeriu më i besuar i biznesmenit Ylvi Beqja si dhe dëshmitari i dytë i marrë në mbrojtje nga shteti, i shoqëruar nga forcat speciale dha dëshminë e tij në Gjykatën për Krime të Rënda, dhe ngriti gishtin e akuzës ndaj të pandehurve, duke rënduar edhe më shumë pozitën e tyre përballë drejtësisë.
Ai tregoi përpara kolegjit penal, momentin kur Shullazi kërcënoi me armë biznesmenin pas një debate të ashpër mes tyre që lidhej me pronësinë e ish-hotel “Vollgës”./tesheshi.com/