Vizita e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në SHBA dhe mungesa e një takimi zyrtar me presidentin Obama u ka dhënë krahë zërave për një shpërfillje të tij prej palës amerikane.
Por ka qenë vetë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë që i ka hedhur poshtë pretendimet se mungesa e një takimi zyrtar flet për një shpërfillje të qëllimshme të presidentit turk.
Siç njofton France24, Josh Earnest ka deklaruar se pamundësia e një takimi zyrtar mes presidentit amerikan dhe atij turk është për shkak të numrit të madh të udhëheqësve të huaj që do të marrin pjesë në Samitin e Sigurisë Bërthamore në Uashington.
Megjithatë, do të ketë më së paku një diskutim informal mes Obama-s dhe Erdoğan-it, ka sqaruar zëdhënësi. “Pres që, gjatë vizitës, presidenti të ketë mundësinë për të patur së paku një diskutim informal me presidentin Erdoğan,” u ka thënë Earnest gazetarëve.
Samiti i Sigurisë Bërthamore do të mbahet të enjten dhe të premten në Uashington, dhe Erdoğan-i do të jetë midis 50 udhëheqësve botërorë që do të marrin pjesë në të. Presidenti turk do të ketë gjatë kësaj kohe një takim zyrtar me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden. /tesheshi.com/