Ambasadori Italian në Shqipëri, Massimo gaiani, ka deklaruar se zhdukja e korrupsionit kërkon shembuj realë të ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë dhe të gjyqtarëve, ndryshe nuk beson askush. Në një intervistë për Vizion Plus, gaiani flet edhe për shkëmbimin tregtar me shqipërinë por edhe për zgjedhjet…
Reforma në drejtësi mbetet kryefjalë dhe sfidë kryesore për qeverinë. Së fundmi, edhe ambasadorë të tjerë kanë dërguar një apel për të larguar nga sistemi gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Cila është rruga që duhet të ndjekë Shqipëria për të zbatuar këtë reforme? A mund të merret Italia si shembull?
Funksionimi i drejtë i sektorit të drejtësisë përbën një prej elementëve thelbësorë në mënyrë që shtetasit të ndiejnë një shtet të barabartë e të afërt me ta, por edhe për funksionimin e klimës së biznesit, pra të aftësisë për të përthithur sa më shumë investime, qofshin këto të huaja apo të investitorëve privatë, e për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi.
Funksionimi i drejtë i sektorit të drejtësisë bazohet në një sërë elementesh, sikurse efikasiteti i drejtësisë, funksionimi i aparatit hetimor, por kemi dhe aspekte të rëndësishme si ajo e bindjes. Pra, nëse dikush ndjen rrezikun e ndalimit apo të përndjekjes, atëherë është e qartë se do të priret të njehsojë veprimtarinë e tij në përputhje me normat dhe ligjet.
Ndoshta ky aspekt ka munguar disi këto vitet e fundit në Shqipëri. Nuk janë regjistruar raste të gjyqtarëve apo të funksionarëve të lartë të shtetit që të kenë përfunduar nën hetim, fakt ky që është vënë në dukje. Sigurisht, dihet se jo të gjithë kanë qenë të përsosur në ushtrimin e veprimtarisë së tyre, padyshim që ka diçka që nuk ka funksionuar mirë. Italia ka një sistem institucional shumë të ngjashëm me atë shqiptar e sigurisht mund të merret si shembull, megjithë kufizimet që ai mbart pasi nuk është imun ndaj mangësive, sikurse kohëzgjatja e proceseve, çka përbën pikën e dobët të sistemit tonë.
Gjithsesi kemi një sektor gjyqësor, një aparat të drejtësisë që ia ka dalë në arritjen e synimeve të tij, pra të japë sinjalet se cilido që gabon nuk mund t’ia hedhë paq, pasi herët a vonë do të kapet, kushdoqoftë ai. Në këtë aspekt, sistemi ynë ka funksionuar duke mos parë në sy askënd. Jo rastësisht, tek ne, në një periudhë të caktuar historike, një klasë e tërë politike u asgjësua, jo thjesht si pasojë e vendimeve politike, por si rezultat i hetimeve gjyqësore.
Pra, tek ne kjo qe e mundur, ndaj dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë, të punojmë bashkë me shqiptarët. Reforma e drejtësisë ka nisur tashmë dhe besoj se është e rëndësishme të vijohet puna paralelisht në dy shina, nga njëra anë të arrihet funksionimi sa më i mirë i sistemit ekzistues dhe nga ana tjetër të rishikohen ato norma, ato struktura që e bëjnë sistemin sa më efikas.
Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet vendore, që u shoqëruan nga debati për dekriminalizimin e munguar dhe mungesën e transparencës për paratë e shpenzuara gjatë fushatës?
Sigurisht ka qenë një hap në drejtimin e duhur, veçanërisht klima e përgjithshme ka qenë shumë më e mirë se në të shkuarën. Ka patur raste kur kandidatët kanë qenë të hapur, duke pranuar e trajtuar me respektin e duhur kundërshtarin. Në tërësi sistemi funksionoi mirë, megjithatë, sikurse nënvizohet dhe në raportin e OSBE/ODIHR, ka ende një sërë aspektesh që duhen përmirësuar. Besojmë se kemi patur zgjedhje pozitive në tërësi, por me disa aspekte që duhen përmirësuar. Shqipëria duhet të vijojë në këtë rrugëtim të saj të përafrimit me standardet europiane, duke bërë përpjekjet e duhura dhe përsa i përket zgjedhjeve vendore.
Por në fakt edhe këto zgjedhje u zhvilluan pa procesin e dekriminalizimit.
Nuk ishin as mjetet për ta kryer, pasi legjislacioni nuk e parashikonte këtë lloj qasjeje. Po vijohet puna, kemi dhe vëmendjen e lartë të qeverisë, nga ana jonë, pra nga Italia do të sjellim shembullin e ligjit Severino, i cili imponon një sërë kushtesh përsa i përket mos kandidueshmërisë, ne përdorim termin mos kandidueshmëri e jo dekriminalizim, të cilin e konsideroj disi të shëmtuar. Koncepti i mos kandidueshmërisë qëndron në faktin se duhen përmbushur një sërë parametrash, në mungesë të të cilave një person nuk mund të paraqesë kandidaturën në zgjedhje. Funksioni i nëpunësit publik është një funksion tejet delikat dhe ligji, sikundër ai italian, mund të vendosë disa parametra të caktuara për kryerjen e këtij funksioni e që shkojnë përtej atyre që parashikohen për shtetasit e tjerë. Këto elemente mungonin në legjislacionin shqiptar ndaj dhe po punohet për përfshirjen e tyre në të.
Zgjedhjet kanë shtuar polarizimin politik dhe akuzat mes mazhorancës dhe opozitës. A mund të ecet përpara me reformat thelbësore në këtë klimë?
Sigurisht ka disa reforma strukturore të cilat duhet të kenë jetëgjatësi ndaj dhe duhet të miratohen në bashkëpunim me opozitën, kjo për një arsye të thjeshtë, pasi me ndërrimin e mazhorancës në pushtet ekziston rreziku që ajo çka është bërë më parë të zhbëhet. E gjitha kjo mbart dhe kosto shumë të larta për të gjithë vendin. Ne e mirëpritëm dhe e vlerësuam mjaft vendimin e fundit të PD për të marrë pjesë në reformën në drejtësi e shpresojmë që të gjenden rregullat e normat e nevojshme në mënyrë që kjo pjesëmarrje të jetë e frytshme. Ne e konsiderojmë si një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur. E kam theksuar dhe herë të tjera, qeveria duhet të qeverisë, opozita duhet të kryeje funksionin e saj, në respekt të ndërsjelltë, por në kuadër të reformave të rëndësishme do të jetë në dobi të vendit nëse arrihet të ketë mirëkuptim e bashkëpunim mes këtyre forcave.
Një shqetësim për disa vende të BE-së, më së shumti Gjermaninë, mbeten kërkesat e larta për azil që vijnë edhe nga Shqipëria. Ne kemi një historik emigracioni masiv, siç ishte ai drejt Italisë me anije në vitet ’90. Cilat mendoni se janë shkaqet e këtyre largimeve dhe a rrezikon Shqipëria një rikthim të regjimit të vizave?
Nuk besoj se per momentin ekziston një rrezik konkret, por sigurisht është një çështje e cila duhet trajtuar me kujdes të veçantë. Shqipërisë i është njohur statusi i vendit kandidat, çka do të thotë respektim i një minimumi rregullash, i një bashkëjetese qytetare, i demokracisë, i të drejtave të njeriut, përndryshe nuk do të ishte njohur ky status. Statusi i vendit kandidat bie ndesh, pra nuk përputhet me kërkesat për azil në masë, sikundër ka ndodhur kohë më parë. Besoj se shtetasit shqiptarë duhet ta kuptojnë se është një çështje shumë e rëndësishme, pasi e drejta për azil është një e drejtë e shenjtë, e cila i njihet atyre që vërtet kanë nevojë, atyre që përpiqen të largohen, sikurse për fat të keq po ndodh në disa vende, si në Siri apo në vende të tjera ku ka rreziqe konkrete për jetën e njerëzve, përfshi këtu fëmijët, e nuk besoj se kjo ndodh në Shqipëri ku ekzistojnë kushtet e një bashkëjetese qytetare mëse të përshtatshme e në përputhje me standardet europiane, ndaj nuk duhet qe dikush të nxjerrë përfitime personale nga legjislacioni i hartuar për rrethana e kushte të caktuara e për dikë që ka me të vërtetë nevojë, pasi e gjithë kjo është në dëm të të gjithëve. Bindja ime personale, por sigurisht që bëhet fjalë për një fenomen kompleks për të cilin duhen përftuar dhe një sërë të dhënash, është se ka një lloj zinxhiri, se është dikush që shtyn njerëz të caktuar të kërkojnë në çdo sistem shoqëror të vendeve të tjera europiane një trajtim më të favorshëm. E kemi eksperimentuar dhe ne, kur ekzistojnë kushtet më të favorshme dikush përpiqet të përfitojë. Nuk besoj se ekzistojnë nevoja konkrete e reale që të plotësojnë parametrat e parashikuara për të kërkuar azil. Sigurisht ka njerëz që janë goditur nga kriza ekonomike, që kanë vështirësi të jetojnë të përditshmen, por kjo është një çështje tjetër që nuk zgjidhet me kërkesën për azil. Bëhet fjalë për njerëz që kanë nevojë të punojnë dhe është e drejtë që të merren në konsideratë duke krijuar kushtet për zhvillim, vendet e punës që do të zgjidhnin problemin e këtyre njerëzve.
Situata në Greqi po mban në ankth gjithë Eurozonën, por edhe Shqipërinë. Si pritet të ndikojnë këto zhvillime rajonale në investimet italiane në vendin tonë?
Nuk shoh ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë. Është e dukshme se klima e përgjithshme e situatës ekonomike mbetet gjithnjë një faktor i rëndësishëm. Por, me të vërtetë nuk shoh ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me krizën greke. Ndër të tjera shpresojmë që njoftimet pozitive që kemi marrë të konfirmohen e të mund të arrihet në një stabilizim të borxhit grek; të shohim përpara drejt një Europe më të fortë në gjirin e së cilës rajoni i Ballkanit dhe Shqipëria në veçanti të mund të gjejë në kohë të arsyeshme vendin e saj.
Italia është vendi me numrin më të madh të bizneseve të përfaqësuar në Shqipëri. A janë të kënaqur investitorët italianë me kushtet që kanë gjetur këtu?
Në tërësi do të thoja që po. Mund të rendisim disa faktorë mjaft konkurrues, sikurse krahu i lirë i punës, afërsia me Italinë, njohja e gjuhës italiane, lidhjet e forta, një komunitet shqiptar në Itali i integruar mjaft mirë. Por krahas këtyre shpresojmë të kenë, përsa i përket procedurave burokratike apo kushteve lidhur me ushtrimin e veprimtarisë së tyre ekonomike, një situatë më të favorshme. Besoj se klima e biznesit, dhe kryesisht rregullat transparente, të barabarta për të gjithë e të qëndrueshme në kohë, përbëjnë një faktor absolutisht kyç për përthithjen e investimeve. E ndaj këtyre kushteve, sipërmarrësit tanë janë tejet të ndjeshëm.
Shkëmbimet tregtare me Italinë janë në nivele shumë të larta. A ka vend për përmirësime të mëtejshme nga ana e qeverisë shqiptare?
Kuota jonë e përgjithshme e tregtisë me Shqipërinë është shumë e lartë dhe është fryt jo vetëm i preferencave të Shqipërisë për të konsumuar mallra italiane si dhe i palës italiane për të eksportuar mallra drejt Shqipërisë, por dhe i gjithçkaje ndodh e kryhet si në Itali ashtu dhe në Shqipëri. Ndaj, edhe lëvizjet mes dy vendeve rezultojnë në zërat doganorë dhe në qarkullimin e mallrave. Besoj se ka ende hapësirë për përmirësime. Kemi vërejtur me kënaqësi të madhe se dhe gjatë krizës më të thellë, niveli ynë i shkëmbimeve është rritur, dhe kjo është një e dhënë që shkon kundër rrymës. Besoj se një ndër arsyet ka qënë qarkullimi i lirë i personave, në fuqi prej disa vitesh, që ka vënë në lëvizje një sërë energjish jetësore, duke u mbështetur nga njëra anë në praninë e shqiptarëve në Itali, ndër të tjera me një frymë të lartë sipërmarrjeje. Janë rreth 30 mijë sipërmarrjet e krijuara në Itali nga shqiptarët, ndërkohë që janë të shumta sipërmarrjet italiane në Shqipëri. Një gërshetim ky që gjeneron një sërë shkëmbimesh tregtare e nismash të reja të cilat kanë patur efekte pozitive dhe përsa i përket punësimit në Shqipëri. Mund të them se Italia është absolutisht punëdhënësi më i madh në Shqipëri, përsa i përket krijimit të vendeve të reja të punës, një pjesë e mirë e të cilave janë krijuar këto vitet e fundit.
A është bërë mjaftueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?
Është bërë diçka, po shkohet në drejtimin e duhur, por ka ende shumë për të bërë. Sigurisht dhe këtu vlen parimi i një veprimi të trefishtë parandalimi. Pra, krijimi i strukturave, ku informatizimi është një mjet shumë efikas. Së fundi kemi përuruar një projekt të financuar nga Italia e të vënë në zbatim së bashku me PNUD-in, pra Kombet e Bashkuara, dhe Ministrinë e Inovacionit për të krijuar një qëndër për realizimin e një sërë shërbimesh që shteti i ofron shtetasve, duke ndarë Back office nga Front office. E gjitha kjo na çon drejt rregullave automatike, duke shmangur rrezikun e korrupsionit. Pra kemi aspektin e një funksionimi më të mirë të aparatit burokratik, por dhe aspektin e bindjes, pra duhet të krijohet vetëdija se cilido që nuk respekton ligjet ndalohet e më pas dënohet. Por kemi dhe një aspekt të tretë e pikërisht atë të formimit. Pasi njohja e çështjeve, e mënyrave përmes të cilave realizohen tenderat apo blerjet nga administrata shtetërore, është një tjetër faktor i rëndësishëm. Mendoj se kjo veprimtari e gërshetuar duhet të vihet në zbatim, sikurse një veprimtari më komplekse në luftën ndaj krimit të organizuar që përbën një rrezik për zhvillimin e ekonomisë.
Mungon ajo që cilësohet si një “track rekord” përsa i përket zyrtarëve të lartë të dënuar këtu në Shqipëri.
Padyshim nuk ka patur shumë shembuj. Besoj se duhet të vijohet në këtë drejtim, duke e vënë sektorin e drejtësisë në kushtet e duhura për t’u përmirësuar më tej, sikurse dhe institucionet e mbikëqyrjes në kushte të tilla që të jenë të afta të ushtrojnë presione e të kryejnë kontrollet e duhura kur hasen shmangie nga udha e drejtë.