Një bombë e shpërthyer ditën e djeshme pranë konsullatës amerikane në qytetin irakian të Erbilit la pas tre të vdekur dhe tetë të plagosur.
Lënda shpërthyese qe vendosur në një makinë, dhe, sipas të gjitha gjasave, objektivi ishte ndërtesa e konsullatës amerikane. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se asnjë prej personelit të tyre nuk u vra gjatë shpërthimit.
Ndërkaq, përgjegjësinë për aktin e mori ISIS-i. Shpërthimi ngjau vetëm pak ditë pasi zyrtarët amerikanë dhe kurdë përshëndetën përparimet e bëra ndaj ISIS-it në Irak. Kurdët e veriut të Irakut janë mbështetës të fuqishëm të amerikanëve në luftën ndaj ISIS-it, por Erbili, kryeqendra e kurdëve, rrallë është bërë skenë e shpërthimeve të tilla.
Një valë shpërthimesh të tilla ka patur dje dhe në Bagdad, në kryeqytetin e Irakut, që sollën vdekjen e 27 personave. ISIS-i mori gjithashtu dhe përgjegjësinë për to. “Luftëtarët e Shtetit Islam shpërthyen këtë mbrëmje dy makina-bombë në zemër të kryeqytetit irakian dhe një të tretë në Erbil,” njoftoi grupi nëpërmjet agjencisë së tij të lajmeve. /tesheshi.com/