Shorti i hedhur për ndarjen e grupeve në kampionatin Botëror, “Rusi 2018”, nuk ka përplasur “egër” skuadrat favorite.
Pak a shumë faza e grupeve është e kalueshme në letër për skuadrat pretendente, duke përjashtuar surprizat.
Ndeshja hapëse e Botërorit do të luhet mes Rusisë dhe Arabisë Saudite. Në këtë grup, që përkon me gërmën A, luftojnë për më tej edhe Egjipti dhe Uruguaji.
Në grupin B, Portugalia dhe Spanja jepen të kualifikuar, ndërkohë që do të pretendojnë pikë edhe Maroku e Irani.
Franca duket se do të “bëjë qejf” në grupin C, ku do të ndeshet me Australinë, Perunë dhe Danimarkën. Argjentina mbase ka rënë në një grup “të bakërt”, se të hekurt nuk mund të quhet, pasi do të pretendojë fazën tjetër duke u përballur me Islandën, Kroacinë dhe Nigerinë.
Brazili do të pretendojë vendin e parë në grupin E, pasi të përballet me Zvicrën, Kosta Rikën dhe Serbinë.
Grupi F mban kampionët e botës të Gjermanisë, që kanë një grup “intrigues”, me Meksikën, Suedinë dhe Korenë e Jugut.
Në grupin G, Belgjika do të ndeshet me Panamanë, Tunizinë dhe Anglinë.
Ndërsa grupi i fundit, grupi H, mund të konsiderohet si më i papërcaktuari, pasi si Polonia, ashtu edhe Senegali, Kolumbia, apo Japonia, do të tregojnë pretendimet e tyre.
Por pavarësisht grupeve, specialistët analizojnë rrugëtimin e skuadrave të mëdha, duke njoftuar se në cerekfinale mund të ketë përballje si Gjermani-Brazil, apo Francë-Argjentinë.
Megjithatë gjithçka mbetet për t’u parë, se tashmë çdo skuadër e njeh kë ka përballë dhe sa e ka “takatin”. Ndërsa për më tej…fitoftë më i miri! /tesheshi.com/