Shkëlzen Berisha ka refuzuar të bëjë betimin para Komisionit Hetimor Parlamentar për aferën CEZ, dhe kështu ka dështuar edhe dhënia e dëshmisë.
Menjëherë sapo është paraqitur para komisionit, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha sulmoi Taulant Ballën dhe nuk pranoi të flasë. Ai nuk pranoi që të japë gjeneralitetet, pasi theksoi se refuzon të flasë në një komision ku kryetar është një i dënuar për shpifje.
Deputeti i PS-së, Ulsi Manja, ka deklaruar se dëshmitari është i detyruar që ta respektojë komisionin dhe të flasë para tij.
Ndërkaq, nënkryetari i Komisionit, Arben Ristani, nuk ka pranuar që komisioni hetimor të drejtohet nga Taulant Balla, pasi është i dënuar për shpifje.
Balla, nga ana e tij, ka shtuar se dëshmia merret kur ajo ka vlerë ligjore dhe certifikohet nga respektimi i Kodit të Procedurës Penale.
Kodi i Procedurës Penale parashikon që nëse dëshmitari nuk e bën betimin, dëshmia nuk është e vlefshme.
Balla propozoi që dëshmia të bëhet me dyer të mbyllura.
Por Shkëlzen Berisha nuk ka pranuar që të flasë në një komision i cili drejtohet nga Balla, dhe kështu nuk ka dhënë dot dëshminë. Si rrjedhim, çështja është “mbyllur me procedurë”. /tesheshi.com/