Borxhi global arriti në 312,000 miliardë dollarë rekord në fund të tremujorit të dytë të vitit 2024, kryesisht për shkak të rritjes së huamarrjes në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë, sipas të dhënave nga Instituti i Financave Ndërkombëtare (IIF).
Krahas Kinës dhe SHBA-së, borxhin e rritën edhe India, Rusia dhe Suedia, ndërsa rënie të ndjeshme shënuan vendet e tjera evropiane dhe Japonia.
Borxhi botëror është rritur me 2100 miliardë dollarë në gjysmën e parë të vitit dhe ekziston mundësia që situata të përkeqësohet edhe më tej për shkak të uljes së normave të interesit, transmeton Reuters.
Rritja e huamarrjes është kryesisht pasojë e tranzicionit të energjisë dhe kalimit drejt burimeve të rinovueshme të energjisë, sipas IIF.
Raporti i borxhit ndaj PBB-së
Raporti i borxhit global ndaj PBB – një tregues i aftësisë për të shlyer borxhin në krahasim me atë që prodhohet – është stabilizuar në mes 327 dhe 328 për qind, thuhet në raport.
Në tregjet në zhvillim, raporti i borxhit ndaj PBB-së arriti një nivel të ri prej 245 për qind.
Autorët e raportit deklarojnë se janë të shqetësuar për mungesën e dukshme të vullnetit politik për të zgjidhur problemin e borxhit – si në ekonomitë e përparuara ashtu edhe në tregjet në zhvillim. /tesheshi.com/