Komisioni Evropian ka propozuar 167.8 miliardë euro për buxhetin e përbashkët të BE për vitin e ardhshëm.
Buxheti do të plotësohet me rreth 143.5 miliard euro në grante nën fondin e riparimit të BE.
Fondet e siguruara për të mbështetur vendet kandidate dhe kandidate të mundshme do të arrijnë në 1.9 miliardë euro në 2022, sipas propozimit të Komisionit.
Komisioni Evropian thotë se fondet nga buxheti do të përqendrohen në forcimin e rimëkëmbjes ekonomike të BE dhe partnerëve të saj, mbrojtjen dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe se përparësia do të jetë zhvillimi i gjelbër dhe dixhital.
Niveli i pashembullt i mbështetjes financiare
“Sot, ne po propozojmë një nivel të pashembullt të mbështetjes financiare për të forcuar rimëkëmbjen e Evropës nga kriza shëndetësore dhe ekonomike. Ne do të ndihmojmë njerëzit, kompanitë dhe rajonet më të prekura nga pandemia. Ne do të investojmë në qëndrueshmërinë e Evropës dhe modernizimin e saj përmes një tranzicioni të gjelbër dhe dixhital. Rikthimi i Evropës në rrugën e duhur, përshpejtimi i rimëkëmbjes së saj dhe bërja e saj e përshtatshme për të ardhmen, janë përparësitë tona kryesore”, tha Komisioneri i Buxhetit të BE Johannes Hahn.
Kur bëhet fjalë për shpenzimet sektoriale, 118.4 miliardë euro në grante për mbështetje ekonomike që vijnë direkt nga fondi i rimëkëmbjes, 53 miliardë për bujqësinë, 36.5 miliardë për zhvillimin rajonal, 14.8 miliardë për mbështetjen për partnerët dhe interesat e BE-së në të gjithë botën, 13.1 miliardë për inovacionin dhe kërkimin shkencor, 2.1 miliardë për programin evropian të hapësirës, 1.9 miliardë për mbrojtjen e klimës dhe të njëjtën shumë për mbrojtjen e kufirit dhe fondin IPA 3 për 2022.
Alokimet shtesë lidhen me menaxhimin e migracionit (1.3 miliardë euro), mbrojtjen dhe sigurinë (1.2 miliardë euro) dhe rreth 1 miliardë euro për mbrojtjen e shëndetit dhe Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
Buxheti i BE për 2022 është pjesë e buxhetit shumëvjeçar të përbashkët të BE për periudhën 2021-2027, i cili arrin në 1.074 miliardë euro, ose pjesë e paketës së përgjithshme të rimëkëmbjes prej 1.824 miliardë euro. /tesheshi.com/