Pasi duroi një sërë shkurtimesh në rrogën që merrte e ndërsa perspektiva e të bërit karrierë në Greqi po zvogëlohej nga dita në ditë, greku Andreas Ketselides vendosi të shkonte pikërisht “në syrin e ciklonit” apo në derën e “armikut”. Ai e zhvendosi vitin e kaluar familjen e tij nga Athina në Offenbach, në periferi të qytetit gjerman të Frankfurterit.
Ideja ishte e thjeshtë, ai solli shijen e vendit të tij me vete, dhe kjo jo në mënyrë figurative. 40-vjeari tashmë drejton një restorant grill-house që shërben sufllaqe dhe biftekë për bashkëatdhetarët në këtë zonë.
“Ndjej mall për atdheun, kjo është e sigurtë”, pranon Andreas duke sjellë ndër mend edhe të kaluarën e tij si ushtar në ishujt grekë, e që kanë një kontrast të ashpër me atmosferën e një qyteti gjerman.
“Por, është më mirë të kesh qetësinë e mendjes, të jesh në gjendje të nxjerrësh para për gruan dhe fëmijën”, thotë ai.
Megjithatë, nuk është se grekët nuk kanë menduar të “sajojnë” pak atmosferë greke në zonën ku janë vendosur. Aty ka një kafene greke, një tavernë e kompletuar me një flamur të klubit të futbollit Olympiacos si dhe një dyqan ku bostanët grekë janë me ofertë në të nxehtin e këtij korriku.
Gjithsesi, pavarësisht këttij familjarizimi, te jesh një nga 330 mijë emigrantët grekë në Gjermani, gjatë krizës së borxhit, ka qenë sfiduese.
Kërkimet më të fundit akademike tregojnë se ndjenja antigreke në Gjermani po pëson rritje.
“Dëgjon njerëz që thonë se na kanë duruar mjaftueshëm, ne paguajmë për ju”, na thonë, “dhe gjëra të tilla”, thotë Niki, që ka ardhur në Offenbach nga Selaniku në vitin 2010 dhe punon ne aeroportin e Frankfurterit. “Nuk eshte e rehatshme”.
Jo surprizë, që Niki socializohet pothuajse vetëm me bashkëatdhetarët e saj, shpesh duke luajtur tavëll apo lojëra të tjera greke me dy grekë të lindur në Gjermani.
“Dua që kjo të marrë fund”, thote ajo, duke iu referuar negociatave midis Greqisë dhe kreditorëve të saj. “Dua të kthehem”.
“Do të jetë vështirë për mua në Greqi, por preferoj të jem atje me njerëzit e mi, në vendin tim në vend që të qëndroj këtu dhe të dëgjoj gjithë këtë…”.
Pergatiti: Juli Prifti