Pas një vale shpërthimesh tritoli, të cilat rikthyen ankthin e një viti më parë, po bëhen ditë që kjo valë ka rënë. Në këtë kontekst, rikthimi në normalitet nuk ka pse mos përbëjë lajm. Situata ngjan më atë të vitit të kaluar, kur pas një furie të pashpjegueshme shpërthimesh, intensiteti i tyre ra paprimtas. Pas arrestimit të tritolvënësit të vetdeklaruar Julian Sinanaj, u duk sikur situata u zgjidh, por realiteti tregoi se “Sinanajt” në këtë vend ishin më shumë se një. Që vepronin sidomos në zonën e Fushë – Krujës. sakaq, ministri i Rendit Tahiri, tek shpatullat e së cilit rëndon e gjithë kjo situatë – derisa dhe familja e tij u cënua nga tritoli – ndodhet në SHBA i ftuar nga Presidenti Obama, jo për të marrë mbështetje për luftë të pakompromis kundër krimit – një suport i nevojshëm politik ky në kushtet tona – por lidhur me masat antiterrorizëm, në rrafsh global dhe lokal, që ka lidhje me “tritolet” në Lindjen e Mesme.