Tek apologjia e Saimir Tahirit një ditë më parë, si një përpjekje për të sqaruar opinionin mbi të vërtetën e përfoljes së emrit të tij nga dy trafikantë droge, gjendeshin dhe fraza ku përmendej fëmija i tij, djali që ka, si përbërës i asaj mase sentimentale të nevojshme për kumte të mëdha morale.
Se vërtet, në ka diçka që të prek në histori të tilla, është raporti me fëmijën i atij që e ka pësuar, dhe pozita e një të pafajshmi, bota e bukur e të cilit, mu prej sinqeritetit, pëson një goditje të rëndë.
Ja rastet kur Tahiri përmendi fëmijë e tij:
Unë jam rritur nga prindërit e mi, e sot rris tim bir, duke besuar tek e vërteta, i bindur se sado e madhe qoftë gënjeshtra dhe abuzimi, e vërteta dhe e drejta, janë aty. Dhe sikur gënjeshtrën dhe abuzimin ta marrin vesh mijra e miliona vetë, e vërteta vlen më shumë, edhe sikur i pari e i fundit që e ka mësuar jam unë vetë.
Kam luftuar çdo ditë, me çdo fuqi timen, për të bërë detyrën me drejtësi, si detyrimin tim më të shenjtë përballë tim biri më së pari, familjes sime, përballë miqve e cilitdo që më njeh, por mbi të gjitha përballë qytetarëve që më kanë besuar e më kanë zgjedhur, e që nga sot pres me padurim të dali e vërteta në dritën e diellit, si e vetmja rrugë për të pasur besim më të fortë te njëri-tjetri e tek Shqipëria e tim biri dhe e fëmijëve nesër.
Sot është një ditë jo e lehtë edhe për mua, në raport me veten dhe moralin tim, familen time dhe mbi të gjitha tim bir.
Dhe ky është rasti për të kujtuar se sa pak “prindër të mirë” kanë qenë apo janë ata që e udhëheqin këtë vend. Dy janë forcat e mëdha diktuese në moralin dhe përgjegjshmërinë e njeriut, veçanërisht kur ka pushtet mbi fate njerëzish: Zoti (nëse e beson atë, dhe po ashtu beson llogarinë para Tij), si dhe fëmija, detyrimi që i vjen nga të qënit prind i një krijese, me një lidhje ndjesish gati të paartikulueshme, për t’ja bërë të ardhmen, jetën, dhe kur është fjala për pshtetarë, vendin ku jeton, sa më të mirë e të jetueshëm.
Jo kështu por me fjalë të tjera, e ka thënë dhe vetë Tahiri në apologjinë e tij.
Por mu kjo pikë është gjëja më e diskutueshme ku sheh se ç’atdhe u lënë fëmijëve kjo kastë udhëheqësish politikë, sesi më paaftësinë e tyre, apo më keq akoma, me grykësinë e tyre, jua shëmtojnë jetën dhe ju përgatisin një të ardhme ferr, si dhe një karakter të keq, nëse i kanë ushqyer me pasuri të vjedhur.
Vërtet, fjalë me mend ka thënë Tahiri aty ku përmend fëmijën, fjalë për t’u marrë shembull; por nuk e dijmë nëse janë të dala nga gjoksi apo nga goja? /tesheshi.com/