Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, i cili edhe në ditë zakonshme jep lajme “apokaliptike”, ka deklaruar sot se do të evakuohen deri në orën 15.00 të gjithë banorët e zonave të përmbytura dy vite më parë.
Prençi paralajmëroi banorët e të gjithë zonave të përmbytura në vitin 2015 dhe që janë prekur edhe këtë vit që të largohen, në të kundërt autoritetet do ndërhyjnë dhe do t’i nxjerrin forcërisht nga shtëpitë, pasi sipas tij, nisur edhe nga parashikimet pesimiste të motit, pritet vërshim i fuqishëm i disa lumenjve si Vjosa, Semani dhe Shkumbini.
“Sipas raportimit të sasisë së reshjeve në Greqinë Veriore dhe juglindjen e vendit tonë, priten pas 6 orësh vërshimi i lumenjve Seman, Vjosë dhe Shkumbin e priten përmbytje në hartën e zonave të përmbytura në 2015. Ndaj, duhet të evakuohet popullata e përmbytur në 2015, pasi situata është në ato nivele si në 2015 ose edhe më ekstreme. Ndoshta edhe më e rëndë, por mund të përballohet për shkak të disa investimeve në shtratin, basenet e lumenjve dhe kanalet e kullimit. Edhe për ato familje që nuk pranojnë evakuimin, do ndërhyjë autoritetet për t’i evakuar forcërisht qoftë edhe me bagëtitë. Qytetarët të largohen në drejtim të të afërmëve ose në qendrat e ngritura nga bashkitë. Pas orës 15:00 shtabi i emergjencës do evakuojë banorët duke përdorur edhe forcën”, tha Prençi. /tesheshi.com/