Çmimet e naftës pësuan rënie me 34 për qind në 2015-ën për shkak të mbiprodhimit dhe ngadalësimit të ekonomisë së Kinës, por ato mund të bien akoma më shumë gjatë muajve të para të këtij viti.
Paralajmërimin e ka bërë shefi ekzekutiv i BP-së, Bob Dudley, i cili i ka thënë radios së BBC-së se “pika e ulët mund të jetë në çerekun e parë të vitit”.
Sipas tij, çmimet mund të stabilizohen nga fundi i 2016-ës, por do të vazhdojnë të mbeten të ulëta në të ardhmen e afërt.
Çmimet e naftës kanë rënë veçanërisht që nga 4 dhjetori, kur Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës vendosi që të mos kufizohej prodhimi.
Në këtë mund të ketë ndikuar dhe vendimi i Kongresit Amerikan muajin e shkuar për t’i dhënë fund ndalimit 40-vjeçar të eksportit të naftës bruto të prodhuar në vend. /tesheshi.com/