SHBA-të nënvizuan të hënën rëndësinë e ruajtjes së integritetit territorial të Irakut, pasi qeveria rajonale kurde (KRG) e vendit votoi në një referendum jo të detyrueshëm mbi të ardhmen e tyre me Irakun.
“Ne shpresojmë për një Irak të bashkuar që do të asgjësonte Daesh-in dhe padyshim një Irak të bashkuar për të shtytur prapa Iranin,” u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee-Sanders.
Shtetet e Bashkuara, së bashku me Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Iranin dhe qeverinë qendrore irakiane i kanë kërkuar Irbilit të heqë dorë nga referendumi i diskutueshëm, pavarësisht se votimi vazhdoi të hënën pa pengesë.
Irakenët në zonat e mbajtura nga KRG dhe në një grusht territoresh të kontestuara mes Irbilit dhe Bagdadit, votuan për të vendosur nëse do të shkëputeshin nga Iraku.
Më parë të hënën, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia do të merrte hapa politik, ekonomik, tregtar dhe të sigurisë kundër qeverisë rajonale kurde.
Qeveria qendrore e Irakut ka kërcënuar të ndërhyjë ushtarakisht nëse votimi çon në dhunë.
Kreu i KRG, Masoud Barzani, megjithatë, tha se një votim “Po” nuk do të rezultojë në një deklarim automatik të pavarësisë, por thjesht do të çonte në negociata të mëtejshme me Bagdadin.
Departamenti i Shtetit tha javën e kaluar se referendumi do të përjashtonte mundësinë e negociatave me qeverinë qendrore të Bagdadit dhe do të paraqiste një kosto të lartë për “të gjithë irakenët, duke përfshirë kurdët”.
Departamenti i Shtetit gjithashtu vuri në spikamë përkeqësimin e marrëdhënieve tregtare me fqinjët dhe natyrën destabilizuese të mbajtjes së referendumit në zonat e kontestuara ndërkombëtarisht. /tesheshi.com/