SHBA s’rreshtin se përcjelli mesazhe në mbështetje të 30 qershorit si datë zgjedhjesh, duke shfrytëzuar për këtë apelimet anti-dhunë.
“Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit. Shtetet e Bashkuara do të kenë ekipe vëzhguesish në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit në mbarë Shqipërinë. Ne do të mbështetemi në raportin e OSBE/ODIHR-it për të vlerësuar rregullsinë e votimit”, thuhet në më të fundit deklaratë të lëshuar nga Ambasada Amerikane.
Por si dhe në atë të para një dite, i vihet theksi asaj që duhet të ndodhë pas zgjedhjeve, e që është vijimi i Reformës në Drejtësi, duke nisur që nga ngritja e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun. Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA.
Duhet theksuar se kjo është e dyta deklaratë në 24 orë e amerikanëve, diçka e pazakontë në zhvillimet shqiptare. /tesheshi.com/