Nga Blendi Gashi
Përfaqësuesit e mazhorancës parlamentare dhe atyre në opozitë kanë debatuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, për shkak se nuk kanë rënë dakort për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, kërkesë kjo e opozitarëve.
Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosje-s Glauk Konjufca dhe Avdullah Hoti i LDK-së akuzuan kryekuvendarin Kadri Veseli për shkelje të rregullores, duke thënë se nuk po lejon mbajtjen e seancës. Por Veseli e mohoi duke thënë se nuk ka dakordësi për ditën e mbajtjes.
Konjufca i nervozuar me moslëshimin pe nga Veseli, braktisi mbledhjen e Kryesisë, duke akuzuar se po bëhet përpjekje që të mohohet një e drejtë e opozitës dhe deputetëve për thirrjen e seancave të jashtëzakonshme.
“Kjo është shkelje e demokracisë dhe përpjekje për t’ia marrë opozitës të drejtën që me 40 nënshkrime të thërrasë seancën e jashtëzakonshme. Po duan t´i marrin opozitës instrumentin më të rëndësishëm për thirrjen e seancave të jashtëzakonshme”, tha Konjufca, duke shtuar se ajo duhet të thërritet kur e kërkojnë deputetët e jo pushteti e kryetari i Kuvendit.
Konjufca tha se mbajtja e seancave të jashtëzakonshme nuk mund të bëhet duke u mbështetur në votat e Kryesisë, por në nënshkrimet e deputetëve.
Konjufca nuk e ka përjashtuar mundësinë që këtë çështje ta dërgojnë edhe në Gjykatë Kushtetuese.
Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, pas mbajtjes së mbledhjes tha se është shkelur e drejta e tyre, pasi nuk u mor parasysh kërkesa për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme.
“Sjelljet e opozitës nën ethet e fushatës”
Por akuzat e opozitës i quajnë të pavend kryeparlamentari Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi, duke thënë se opozitarët po duan të fitojnë pikë në prag të fushatës zgjedhore.
Veseli largimin nga mbledhja të Konjufcës dhe ankesat e Hotit i quan veprime që janë pjesë e fushatës zgjedhore, për të cilat akuzoi opozitarët se qëllimisht dëshirojnë të prishin mbledhjen.
“Është respektuar rregullorja e Kuvendit. Pozita ka propozuar që seanca të vazhdojë të enjten e ardhshme, ndërsa opozita ishte për të hënën”, tha Veseli i cili shtoi se kanë mirëkuptim për vazhdimin e seancës, por jo në mënyrë imponuese.
Akuza ndaj VV-së e LDK-së drejtoi edhe Memli Krasniqi. Sipas tij, sjelljet e opozitarëve ishin një skenar i përgatitur, dhe sipas tij janë të ndëlidhura në ethet e fushatës zgjedhore.
“Ata (opozitarët) vetë nuk ishin të interesuar që të mbahet seanca. Jemi të gatshëm që të mbahet seanca, por jo në mënyra imponuese siç u bë sot”, tha Krasniqi.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të NISMA-s Bilall Sherifi tha se partitë nuk u pajtuan për ditën se kur duhet të vazhdohet seanca.
Ja ç’thotë neni 38 i rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës për thirrjen e seancave të jashtëzakonshme:
- Kryesia mund të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, për ta shqyrtuar një çështje të ngutshme.
- Mbledhjen e jashtëzakonshme mund ta thërrasin edhe:
- a) Presidenti i Republikës së Kosovës,
- b) Kryeministri i Republikës së Kosovës,
- c) Një ose më shumë grupe parlamentare, që përfaqësojnë jo më pak se një të tretën e deputetëve, përkatësisht 40 deputetë të Kuvendit.
- Kërkesa për mbledhje të jashtëzakonshme duhet t’i përmbajë çështjen që do të shqyrtohet dhe arsyetimin pse konsiderohet çështje e ngutshme dhe e rëndësishme. /tesheshi.com/