Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Safet Gërxhaliu, një ekspert dhe studiues i njohur i tregut jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan, thotë se që me instalimin e qeverisë të re të Kosovës vendi është “përmbytur” nga politika dhe për ekonomi flitet pak ose aspak. Në një intervistë për tesheshi.com, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, bën një analizë të situatës, duke dhënë edhe recetat. Ai thotë se në lidhje me integrimi ekonomik në një treg të përbashkët me Shqipërinë vetëm flitet, por nga ana tjetër ngrihen barriera në të dy krahët…
Si e vlerësoni gjendjen ekonomike në vend dhe cili është roli i institucionit që ju drejtoni në përmirësimin e kësaj gjendje?
Është më se e vërtetë që ambienti biznesor dhe indikatorët ekonomikë nuk janë ata që sjellin kënaqësi në Kosovë dhe është koha kur vërtet për ekonomi duhet bërë më tepër se deri më tani.
Mirëpo si duket edhe më tutje është duke u vazhduar avazi i vjetër që të dominojë agjenda politike dhe ekonomia të jetë e anashkaluar dhe për të shumë më tepër të flitet se sa të bëhet. Jemi dëshmitarë të ndodhive të fundit që e karakterizojnë vitin 2015, si Gjykata Speciale, rasti i Kumanovës, zgjedhjet në LDK e në një farë forme si duket të gjitha këto janë duke ndikuar në ngadalësimin e proceseve ekonomike e kur krejt kësaj i shtohet fakti se në vitin 2014 e kemi patur një stagnim ekonomik dhe një ngërç politik, situata vërtet nuk është e dëshiruara. Si Odë Ekonomike jemi shumë të interesuar të bëjmë më tepër në këtë drejtim që të bëjmë presion dhe lobim që ekonomia të jetë prioritet kryesor.
Sa kanë ndikuar problemet e krijimit të qeverisë në vitin e kaluar dhe ikjet masive të qytetarëve drejt vendeve të BE-së në fillim të këtij viti në ekonominë e vendit?
Në vitin 2014, ne si Odë Ekonomike patëm paralajmëruar se Kosovën e pret një bombë sociale, për shkak të shkallës së lartë të papunësisë, asaj të varfërisë dhe rënies së investimeve të huaja direkte. Mirëpo, forma e eksplodimit të kësaj bombe sociale është pritur që të ndodhë ndryshe, por ja që ajo u formësua përmes eksodit të të rinjve. Një eksod i cili Kosovën e dëmtoi në aspektin ekonomik, politik dhe mbi të gjitha në aspektin strategjik dhe të imazhit. Kjo do të jetë një ndër sfidat më të mëdha me të cilat duhet të ballafaqohet Kosova, që të ketë sa më tepër mundësi për stabilitet social që nënkupton krijimin e vendeve të reja të punës. Ndërsa krijimi i vendeve të reja të punës nuk mund të bëhet pa një qëndrueshmëri ekonomike. E kjo arrihet nëse avancohet sa më tepër partneriteti me Bashkimin Evropian, sepse nuk mund të ketë zhvillim ekonomik nëse nuk ka sundim të rendit dhe të ligjit, e kur dihet që kompetencat e sundimit të rendit dhe të ligjit i ka EULEX-i, atëherë Evropa duhet të bëjë më tepër në Kosovë që përmes mandatit të saj të sigurojë kushte për stabilitet dhe zhvillim ekonomik.
Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen bizneset e Kosovës?
Në rend të parë duhet të kuptohet që edhe më tutje ekonomia dhe zhvillimi ekonomik janë prioritet. Në rend të dytë, Kosovës edhe 16 vjet pas luftës i mungon një plan nacional zhvillimor. Por duhet të kuptohet se problemi kryesor në Kosovë është ai që ka të bëjë me sundimin e rendit dhe ligjit. Përderisa nuk do të ketë sundim të rendit dhe të ligjit nuk do të ketë ulje të kamatave, nuk do të ketë alternativa për të financuar projektet dhe nuk do të ketë konkurrueshmëri konform realiteteve aktuale në vend.
Ju, me siguri, jeni në njohuri me planin e Qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas jush, sa është ky plan i realizueshëm në praktikë?
Është e vërtet që përbërja e këtij plani ngërthen në vete 37 faqe ku i dedikohen ose i kushtohen ekonomisë, me një përkushtim dhe me një angazhim të gjithëve do të thotë shumëçka nga ky plan mund të jetë i implementuar dhe i realizuar. Në këtë plan janë të përfshira shumë rekomandime që i kemi dhënë ne si Odë Ekonomike, por edhe asociacionet tjera të biznesit. Mirëpo, neve nuk na duhet plani vetëm në formë të shkruar, neve na duhet realizimi dhe implementimi i tij dhe besoj që në këtë drejtim nuk duhet vetëm të kritikohet ky plan, por edhe të bëhet presion që të implementohet. Uroj që ky plan të kalojë sa më shpejt nëpër proceduar institucionale dhe të vihet në funksion të zhvillimit.
Statistikat tregojnë se në vitin e fundit ka rënie të investimeve nga kompanitë e huaja në Kosovë. Sipas jush cilat janë arsyet e kësaj rënie?
Në rend të parë duhet të kuptohet që vërtet indikatorët ekonomik në Kosovë janë mjaft shqetësues dhe njëri ndër indikatorët kyç dëmton edhe më tepër aktualitetin ekonomik në Kosovë, e ajo është ikja ose prania çdo ditë e më e vogël e investitorëve të huaj. E tëra kjo dëshmon një realitet të hidhur të krijuar në Kosovë, ku shumë më tepër prodhohet politikë sesa ekonomi dhe për përmirësimin e ambientit biznesor shumë më tepër flitet sesa që bëhet. Prandaj duhet të ndryshojmë qasjen karshi investitorëve të huaj. Siç përmenda më parë, në rend të parë duhet promovuar sundimi i rendit dhe i ligjit dhe në rend të dytë duhet të kemi pako fiskale e cila do të jenë në funksion të tërheqjes së investitorëve të huaj. Dhe vetëm në këtë mënyrë mund të përmirësohet atraktiviteti për investitor të huaj. Është e vërtetë se për investitorët e huaj duhet bërë më tepër, të përdoret një marketing agresiv, të kemi një ekonomi diplomatike e cila do të jetë në funksion të promovimit të mundësive për investime në Kosovë. Askush nuk vjen në Kosovë për të investuar përse e do Kosovën dhe popullin e saj, çdokush që vjen të investojë në Kosovë e shikon interesin e tij. Në këtë drejtim mendoj se duhet të mësojmë nga vendet e rajonit të cilat janë agresive në këtë drejtim qoftë në rajon, qoftë më gjerë dhe për investitorët e huaj të mos pyesim se çfarë ata do të bëjnë këtu dhe çfarë do të investojnë, por çfarë ne bëjmë për ta dhe nuk është kurrfarë dobësie që ndoshta me brende dhe kompani prestigjioze të ketë dialog ose kontakte direkte mes qeverisë dhe tyre.
A disponon OEK-u me projekte konkrete për thithjen e investitorëve të huaj dhe përkrahjen e komunitetit të biznesit që prodhimet e tyre të gjejnë hapësirë në tregjet ndërkombëtare?
Është e vërtet që si Odë Ekonomike jemi vërtet një zë lobues qoftë në aspektin intern, qoftë në aspektin ekstern. Në aspektin e brendshëm, punojmë dhe bëjmë presion tek institucionet rilevante për politikat e mirëfillta zhvillimore. Politika të cilat do të jenë në funksion të zhvillimit të sektorit privat, në funksion të forcimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe në funksion të dhënies prioritet të prodhimit vendor. Në aspektin ekstern jemi duke ndërtuar ura të bashkëpunimit me odat homologe dhe me institucionet tjera relevante. Vetë fakti që çdo ditë kemi delegacione të shumta dhe çdo ditë promovojmë mundësi që produktet e Kosovës të jenë në tregje të ndryshme është një aktivitet bazik. Nuk kemi arsye për të qenë të kënaqur për shkak se Kosova akoma vazhdon të eksportojë para të gatshme, sepse më se 90% e të gjitha të mallrave janë të importuara, etj. Por besoj që duhet një angazhim më i përkushtuar i të gjitha palëve relevante që këtë target ta kemi prioritet.
Sa angazhoheni në joshjen e diasporës sonë për të investuar në atdheun e tyre?
Çfarëdo që të bëhet nga Kosova karshi diasporës, ne nuk mund t’ia kthejmë borxhin asaj. Kontributi i saj ka qenë në të kaluarën, ka qenë gjatë luftës dhe është edhe sot prezent. Dua të besoj që do të jetë edhe në të ardhmen. Mirëpo, vërehet një formë e zhgënjimit e diasporës kundruall mundësive për të investuar në Kosovë, për fat të keq për përfshirjen e diasporës më tepër flitet sesa që bëhet dhe vetë fakti që edhe më tutje nuk kemi një strategji të mirëfilltë që të absorbohet kapitali jo vetëm financiar por edhe intelektual i diasporës na e bënë këtë situatë edhe më të vështirë. Ne si Odë Ekonomike rekomandojmë që paraja e diasporës mos të jetë paragjykuar për import. Por vërtet të jetë që të mbetet në Kosovë dhe me ato para të krijohen vende të reja të punës dhe mundësi për zhvillim dhe gjenerim të stabilitetit ekonomik dhe social.
A mendoni që politikat fiskale të vendit tonë janë të favorshme për bizneset?
Qoftë në aspektin e politikës fiskale qoftë në aspektin e legjislacionit Kosova më tepër ka problem në zbatim ose në implementim të tyre sesa në draftim. Mirëpo, ju e dini që në vitet e kaluara sidomos në vitet e fundit kemi bërë presion karshi qeverisë që të kemi politika fiskale të cilat do të jenë në funksion të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike. Ka vetëm premtime, dua të besojë që së shpejti do të del një pako e re e cila do të jetë në funksion të zhvillimit. Por deri më tani po e them shumë më tepër kemi retorikë dhe politikë verbale sesa substanciale. Kosovës i duhet substancë e zhvillimit në këtë drejtim. Mendoj se duhet të kemi politika fiskale të cilat kanë efekte multiplikative në të ardhmen e Kosovës. Jo vetëm për bizneset vendore, por edhe për investitorët e huaj, diasporën dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës. Për fat të keq politikat e tilla ende nuk janë të fuqizuara.
Hulumtimet e bëra nga disa OJQ tregojnë se në Kosovë nuk ka ambient të përshtatshëm për të bërë biznes. Sa është e vërtetë kjo?
Besoj që vetë fakti që kemi këta indikatorë ekonomikë në Kosovë, kemi rënie të investimeve të huaja direkte, kemi eksport të parasë së gatshme, nuk kemi vende të reja të punës dhe do të thotë po e shihni se si po ngulfatet perspektiva për zhvillim ekonomik çdo ditë e më tepër, është dëshmia më e mirë se duhet të bëhet më tepër për përmirësimin e ambientit biznesor dhe për zhvillim ekonomik në përgjithësi. Definitivisht këta indikatorë e dëshmojnë se këto organizata jo-qeveritare kanë të drejtë. Është koha kur duhet për ekonomi të bëjmë gjithë më tepër sepse ajo është garancë e arritjes së objektivave shtetëror të Kosovës.
Z. Gërxhaliu, çfarë bën OEK-u në përkrahje të prodhuesve vendorë dhe kontrollimin e importeve nga jashtë?
Vetë fakti që kemi limite buxhetore është e pamundur që në aspektin buxhetor të jemi ata që mbështesim prodhuesit tanë. Ajo çfarë ne bëjmë është ndërtimi i urave të bashkëpunimit qoftë me partneritetin vendor, qoftë me atë ndërkombëtar dhe me ato që kemi misione tregtare në Kosovë dhe në vende të ndryshme. Panairet e shumta në Kosovë dhe në vende tjera janë mundësia më e mirë ku OEK-u kontribuon për forcimin e urave dhe për depërtimin e prodhimeve vendore. E pranoj se jemi në një situatë ku nuk kemi arsye për të qenë të kënaqur, por është koha kur për ekonomi bashkërisht të bëjmë më tepër nëse mendojmë që ta bëjmë prodhimin vendor garancë të stabilitetit social dhe ekonomik, por edhe të grumbullimit dhe rritjes së buxhetit të shtetit tonë.
Gërxhaliu, jemi dëshmitarë të problemeve dhe barrierave të shpeshta në shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa në anën tjetër politikanët andej dhe këtej kufirit s’heqin nga goja refrenin për bashkim ekonomik. Përse ndodh kjo?
Mendoj se është koha që ekonomia të ndahet nga emocionet dhe patriotizmi folklorik. Ne duhet të jemi të orientuar në gjetjen e interesit të përbashkët dhe si dy shtete të një populli të ndarë nuk kemi arsye të jemi të kënaqur me bashkëpunimin ekonomik. Si duket shumë më tepër bëhen gara në krijimin e barrierave për produktet kosovare në Shqipëri e anasjelltas dhe vetë fakti që kemi një marketing politik që e demaskon këtë realitet të krijuar është diçka që neve vërtet na shqetëson. Bashkimi si ai kombëtar ashtu dhe ai ekonomik nuk ka nevojë për llafe, por për vepra dhe në këtë drejtim mendoj se duhet ta adaptojmë modelin evropian. Evropën nuk e bashkon dashuria, por ekonomia. Prandaj edhe ne në vend se të vajtojmë se jemi dy shtete të një populli të ndarë më mirë është të orientohemi në gjetjen e mundësive të bashkëpunimit të qëndrueshëm ekonomik dhe atë jo vetëm në forma klasike, por edhe në ato të avancuara, sepse kemi potenciale dhe se ato duhet të shfrytëzohen.
Para disa ditësh, Kuvendi i Kosovës ka hapur një zyrë për bizneset e vendit të cilat do të marrin pjesë në përpilimin e ligjeve në fushën e ekonomisë. A mendoni se kjo zyrë do të mund t’i zgjidhë problemet që kanë bizneset?
Pikë së pari, mendoj se është koha të avancohet partneriteti publiko-privat, që të dëgjohet më tepër zëri i biznesit dhe përmes një komunikimi të tillë të kemi një legjislacion që do të jetë në funksion të zhvillimit. Jemi dëshmitar të një realiteti të hidhur ku ligjet në Kosovë më tepër kanë qenë të përkthyera sesa të adaptuara indikatorëve ekzistues ekonomikë në Kosovë. Prandaj një zyrë e tillë besoj se do të jetë e një vlere të veçantë, sepse shumica e deputetëve edhe pse e kanë votën e popullit, ata nuk e kanë informacionin e realitetit ekonomik. Prandaj kjo formë e komunikimit ose shkurtimi i kësaj distance komunikuese besoj që është një hap i rëndësishëm. /tesheshi.com/