Nga Bardha Nergjoni
Sabri Dika nuk është bari, por elektriçist. Të kishte qenë bari do ishte mëse normale ajo që bën ai, që rri me fyell në dorë e në gojë gjithë ditën e lume.
Por ai pa qenë asfare i tillë, përkundrazi, njeri i pincave dhe i telave (dikur), i bie fyellit pa pushuar, që kur ka qenë i vogël e deri më sot kur është në pleqëri, gjë që në gjuhën e popullit i thonë “t`i biesh fyellit me një vrimë”.
Por ç`e shtyn këtë njeri, këtë ish-elektriçist të njohur në gjithë Elbasanin, që ta ketë me kaq pasion fyellin, derisa të mbajë pa asnjë mund mbi shpinë dhe peshën e rëndë të të quajturit “i çmendur” nga ndokush?!
Mos vallë kërkon të zhvat ndonjë lëmoshë me tingujt që lëshon?!
Sabri, njiheni si njeriu që bashkë me fyellin tuaj lëvizni gjithmonë në qytet duke luajtur pjesë të ndryshme. Pse e bëni këtë?
Unë i bie fyellit qysh në moshën 10 vjeç. Babai më la një fyell, e kur ai mu ndryshk krijova një të ri që është ky që kam sot. Jam i regjistruar në të gjitha qendrat kulturore dhe shpesh më thërrasin kur duan një që i bie fyellit, pasi këtij që kam unë nuk i bie dot njeri. Është një fyell i kohës së Zogut. Kur i bie nuk ulem diku, pasi nuk dua të më marrin për lypës. Unë nuk i lyp asnjë njeriu, asgjë. Ulja do të thotë që unë kërkoj lëmoshë dhe nuk është normale. Unë kam kënaqësinë t`i bie kësaj vegle sepse është e veçantë. Vazhdoj rrugën time dhe i bie. Ka shumë që më përgëzojnë e më respektojnë për këtë që bëj.
Po familjarët tuaj ju kanë penguar që të silleni lart e poshtë duke i rënë fyellit?
Gruan e kam të sëmurë në spital. Djali ashtu e ka punën që ikën e vjen në disa vende të botës, ndërsa gocën e kam të martuar në Tiranë. Duke qenë vetëm lëviz se nuk dua të rri në shtëpi dhe i bie pjesëve të ndryshme të vjetra. Di shumë pjesë.
Dal rrallë, jo çdo ditë. Dal sidomos kur ka festa. Njerëzit që më dëgjojnë më përshëndesin. Një ditë isha në Librazhd dhe duke i rënë fyellit më del një gocë nga një byrektore. Më thotë hajde në dyqan. Më morën brenda. Më nxorrën byrekë. Ndejta edhe një çikë. Më dhanë 5 mijë lekë. Tentova t`i ktheja pasi unë nuk i bie fyellit për lekë por e kam pasionin tim. Ndërkohë një ditë këtu në Elbasan një gocë mu afrua me për përqafoi. Mendova se ishte goca ime që e kam në Tiranë por nuk ishte ajo. Ishte gjithë emocione dhe mendova se ishte sëmurë. Por e ëma më sqaroi dhe më tha se më kishte dëgjuar një natë më parë.
A sillen gjithmonë kaq mirë me ty apo ka edhe njerëz që të quajnë të çmendur?
Po, ka edhe njerëz që shajnë dhe flasin por unë shikoj drejtimin tim. Ajo shprehja “qentë le të lehin, karvani shkon përpara” është edhe për mua. Njerëz të mençur shikojnë punën e tyre dhe më përgëzojnë, të tjerët le të flasin, unë nuk i dëgjoj hiç por i bie fyellit.
Ju në fakt keni pasur një zanat krejt tjetër apo jo?
Po. Unë mbaja çelësat e të gjithë elektrikut të Elbasanit. Vetëm unë i kisha. Kam qenë elektriçist i zoti. Të gjithë më mbajnë mend. Por fyellit i kam rënë dhe atëherë pasi nuk i jam ndarë qysh i vogël.
Do të vazhdoni t`i bieni fyellit?
Shyqyr jam mirë me shëndet dhe lëvizja më bën mirë. Të tjerën merren me llafe, unë i bie fyellit. E kam kënaqësi. Kam jetuar më parë në bodrum, por tani falë një personi që më ka ndihmuar kam shtëpi të mirë dhe e falenderoj. Sa të jenë mundësitë e mia do të vazhdoj ti bie fyellit dhe sfidoj këdo që do ta provojë le të vijë. Këtë vegël vetëm unë di ta përdor dhe pjesët e vjetra vetëm nga unë do t
i dëgjoni. /tesheshi.com/