Autoritetet ruse kanë arrestuar një gazetare të Radios Evropa e Lirë (RSE), e cila financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me akuzën e të qënit “agjente e huaj”, njoftoi kjo shtëpi mediatike.
Alsu Kurmasheva, e cila ka nënshtetësi ruse dhe amerikane, është gazetarja e dytë amerikane që mbahet në Rusi këtë vit, sipas agjencisë britanike. Evan Gershkovich, një korrespondent për Ëall Street Journal, u arrestua në mars me akuza për spiunazh, të cilat ai i mohon.
Agjencia ruse e lajmeve Tatar-Inform raportoi se Kurmasheva rezultoi si “agjente e huaj” gjatë mbledhjes së informacionit mbi aktivitetet ushtarake të Rusisë. Ajo mund të përballet me deri në pesë vjet burg, sipas RSE, e cila kërkoi lirimin e saj.
Kurmasheva jetoi në Pragë deri në maj, kur udhëtoi për në Rusi për shkak të një “emergjence familjare”, sipas Radios Evropa e Lirë. Dy pasaportat e saj iu konfiskuan më 2 qershor kur ajo u përpoq të kthehej në Pragë dhe ku u gjobit për mos njoftimin e autoriteteve ruse për shtetësinë e saj amerikane.
Gazetarja po priste që t’i ktheheshin dokumentet kur u ndalua më 18 tetor me një akuzë të re, sipas RSE.
Sipas ligjit rus, individët dhe organizatat që marrin fonde nga jashtë mund të shpallen agjentë të huaj, duke minuar potencialisht besueshmërinë e tyre tek publiku rus. /tesheshi.com/