Nga: Nadia Bilbassy
Ajo e quan veten “hixhabmbajtësja”, një referencë për shaminë e saj që e mbështjell me elegancë rreth kokës ndërsa kryen detyrën si këshilltare për Ben Rhodes-in, zëvendëskëshilltarin e presidentit Barack Obama për sigurinë kombëtare.
Disa muslimanë punojnë në pozicione delikate në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, e kalojnë nëpër duar informacion të klasifikuar.
Të tjerë kontribuojnë për departamentet e legjislativit, të emigracionit, të shkencës e teknologjisë, në Shtëpinë e Bardhë.
Muslimanët janë bërë pjesë e debatit politik mbi emigracionin dhe sigurinë kombëtare. Kandidati presidencial republikan, Donald Trump, i ka vënë ata në shenjë në mënyrë të përsëritur, duke sugjeruar një ndalim të hyrjes së muslimanëve në Shtetet e Bashkuara “gjersa ne ta dimë se ç’të bëjmë me ta”.
Udhëheqësit republikanë dhe demokratë i kanë kritikuar komentet e tij, duke thënë se ato nxisin urrejtje dhe frikë.
Të tjerë shprehin shqetësim për efektin që mund të kenë deklaratat e tij në marrëdhëniet me botën muslimane.
Ky shqetësim mund ta ketë shtyrë Obama-n të bëjë vizitën e tij të parë zyrtare në shkurt në një xhami në Baltimorë.
Atje ai foli mbi amerikanët muslimanë që i shërbejnë qeverisë së tyre dhe që e mbrojnë atdheun e tyre, nganjëherë me çmimin e jetës.
Kushtetuta amerikane e ndalon qeverisë të kërkojë të dijë përkatësinë fetare, prandaj është e vështirë të llogaritet numri i muslimanëve që shërbejnë në degë të ndryshme.
Bërja dallim
Rumana Ahmed-i është një e re plot energji, dhe muslimanja me pozitën më të lartë që punon për Rhodes-in. Para rolit të saj të tanishëm, ajo punoi në zyrën e angazhimit publik nën Valerie Jarrett-in, të besuarën e Obama-s.
E lindur në një rrethinë të Washington-it, në Gaithersburg, Maryland, nga prindër bangladeshas, Rumana Ahmed-i tregon se nuk kishte fillimisht si objektiv një karrierë shtetërore.
Kjo gjë ndryshoi në verën e 2008-ës, kur ajo asokohe e pa kandidatin Obama të fliste mbi shpresën dhe ndryshimin. Mesazhi bëri jehonë te ajo, dhe e tërhoqi në jetën në shërbimin publik.
Ajo u mor në punë në fillim, në korrik të 2009-ës, si një stazhiere në zyrën e korrespondencës presidenciale, e më vonë u ngrit në përgjegjësi si personel në zyrën e angazhimit publik.
Nëpërmjet punës në Shtëpinë e Bardhë, ajo lidhi njerëz të pasionuar pas kauzave të ndryshme. Aftësitë që fitoi në atë rol, e si një ndërlidhëse e Shtëpisë së Bardhë, e ndihmuan atë në bashkësinë e saj muslimane.
“Ishte vërtet stimuluese,” tregoi Rumana Ahmed-i, “sepse unë ngrita zëra dhe thirra njerëz, si në iftaret dhe në tryezën e rrumbullakët të presidentit vitin e shkuar. Një gjë që unë vërtet kurrë nuk e kuptova, duke vështruar pas, ishte se edhe pse ju jeni një e re, mendoj se një pyetje që bëjnë njerëzit është, ‘a ju marrin seriozisht ngaqë jeni e re, ngaqë jeni amerikane muslimane?‘”
Perceptime
Kur u pyet nëse qe përballur me diskriminim, ajo tha duke qeshur: “Hera e fundit ishte pas 11 shtatorit. Sapo kisha nisur t’i mbuloj flokët në shkollë, dhe i provova të gjitha ngacmimet e frikësimet.
Ajo tregon përjetimin e të kundërtës në Shtëpinë e Bardhë. “Në të vërtetë u ndjeva e fuqizuar duke qenë një hixhabmbajtëse, ngaqë mendoj se njerëzit erdhën tek mua për të më pyetur mbi këndvështrimin tim dhe e vlerësuan atë, sepse e dinin se unë sillja një këndvështrim ndryshe.”
Rumana Ahmed-i e pranon se kur filloi të punojë në Krahun Perëndimor ndjehej e vetëdijshme që po mbante një hixhab.
“Para së gjithash, nuk mund ta besoja se isha në atë ndërtesë. Isha pak si shumë e vetëdijshme se si mund të më shihnin njerëzit.”
Por “njerëzit ishin aq të mirë, teksa më shihnin siç vështronin çdo person tjetër. Ben-i, shefi im, më ka dhënë mundësi nxitëse për të qenë para presidentit. Sa herë që jam atje vras mendjen në bie në sy se jam hixhabmbajtëse.”
Model
Rumana Ahmed-i thotë se pozicioni i saj në Shtëpinë e Bardhë është simbol i mbështetjes së administratës për diversitetin, që i përfshin muslimanët.
Ajo e kuptoi këtë në një udhëtim zyrtar për një konferencë në Marok, kur një pjesëmarrës i ri palestinez iu qas me mosbesimin se Shtëpia e Bardhë mund të punësonte një muslimane të mbuluar.
Rhodes-i tha për Al Arabiya-n se Rumana Ahmed-i “është një histori e madhe amerikane suksesi, e një përfaqësuese e jashtëzakonshme e vendit tonë dhe e vlerave të tij. Kërkoj ndihmë tek ajo çdo ditë, dhe ajo e mbështet punën tonë në gjithçka, nga përkrahja jonë për ndërmarrësinë globale te angazhimi ynë me bashkësinë muslimane, nga ribalanca në Azi te normalizimi ynë me Kubën.”
Ajo “e vlerëson së tepërmi vendin e saj dhe besimin e saj, dhe tregon nëpërmjet shembullit se këto dy gjëra nuk janë në konflikt, por, përndryshe, përplotësuese. Për më tepër, ajo është gjithmonë e vëmendshme për shembullin që jep për të tjerët, veçanërisht për muslimanët e rinj që duan të dinë se ç’vend zënë në Amerikë.”
Titulli është redaksional. Marrë nga Al Arabiya.
Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/