Çmimet e naftës në tregjet botërore ranë pak javën e kaluar pasi investitorët u shqetësuan për përhapjen e koronavirusit në botë, i cili shkatërroi shpresat për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë botërore, dhe kështu kërkesën e naftës.
Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçi ra 1 përqind javën e kaluar, në 40,90 dollarë, ndërsa në tregun amerikan, një fuçi ra 1.6 përqind në 38.50 dollarë.
Në fillim të javës së kaluar, çmimet u rritën falë shpresës për një rikuperim të shpejtë të ekonomisë botërore nga kriza e koronës. Por për shkak të rritjes së mëtejshme të numrit të infeksioneve të reja koronavirus në disa shtete të SHBA-së, këto shpresa janë zbehur dhe çmimet e naftës kanë rënë.
“Tregjet kanë nxituar (me optimizëm), dhe meqë pandemia nuk ka mbaruar, lëkundjet e mëdha ende janë duke pritur për ne,” shkruajnë analistët e PVM në një përmbledhje të situatës së tregut.
Kthimi i pandemisë në Shtetet e Bashkuara
Ndërsa SHBA dukej se kishte mundur pandeminë në maj, duke bërë që një numër i shteteve federale të hiqnin kufizimet në aktivitetet sociale dhe ekonomike, virusi po përhapet në zonat rurale dhe vendet e tjera ku nuk ishte aq i përhapur më parë.
Kjo është arsyeja pse autoritetet në Teksas dhe Florida vendosën të ndalojnë procesin e hapjes graduale të ekonomisë. Dhe ato dy shtete janë ndër konsumatorët më të mëdhenj të benzinës në Shtetet e Bashkuara.
Për më tepër, të dhënat më të fundit makroekonomike tregojnë se ekonomitë më të mëdha në botë gradualisht po marrin veten nga rënia e mprehtë e mëparshme. Por jo aq shpejt sa kishin shpresuar investitorët, kështu që recesioni mund të jetë më i thellë nga sa pritej fillimisht.
Kështu, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) javën e kaluar rriti vlerësimet e rënies së ekonomisë botërore këtë vit nga 3 në 4.9 përqind. /tesheshi.com/