Me 74 vota kundër e vetëm 52 pro, parlamenti ka rrëzuar draftin e PD-së për vettingun në politikë, pasi dhe Komisioni i Venecias e kundërshtoi në shumë pika. Mazhoranca mbrojti tezën se vettingun e kryen vetë reforma në drejtësi me anë të instancave të saj, siç është SPAK, e që për më tepër vettingu që kërkon opozita mund ta dëmtojë atë. Ndërsa kjo e fundit, gjithashtu mbrojti tezën se nuk ka asnjë problem që vettingu të kryhet paralel.
Seanca u shoqërua debate të shumta, ku si kulm pati një fjalim të ashpër të ish-kreut të PD-së Berisha, i cili përmendi edhe armët, duke kujtuar vargjet e famshme në këtë formë:“Ose miratoni amendamentin ose përndryshe do t’ju shkulin me dhunë qytetarët dhe në rrugët e qytetit do ushtojë: O djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri”, tha Berisha.
Reagoi kryedeputeti socialist Balla, duke kërkuar ndëshkimin e Berishës për këto fjalë. Ndërsa kreu demokrat Basha, iu drejtua të majtëve duke iu thënë: “Ju nuk e doni vettingun sepse për shumë do sënonte fundi,n e karrierës politike, por nga ana tjetër do ishte çlirimi i këtij parlamenti dhe Shqipërisë nga krimi. Apeli është të bashkoheni me ne që të votojmë amendamentet kushtetuese, por ligjet bëjini vetë dhe ne do të votojmë me një kusht që të propozimet tuaja të jenë konsultuar me Komisionin e Venecias. Nëse votoni sot amendamentet kushtetuese, sillni propozimet tuaja dhe ne do t’i votojmë”, theksoi Basha. Megjithatë, edhe duke iu referuar Venecias, mazhoranca nuk ka pranuar ta votojë draftin e opozitës. /tesheshi.com/