Ligjërimit të shkujdesur apo fluturak të çiftit Meta-Kryemadhi, ku bashkëshorti është president e bashkëshortja kryetare partie, i është shtuar dhe një frazë thënë nga kjo e fundit, e cila ngjan e huazuar nga skenaret apo fabulat e telenovelave. Gjatë një interviste për Shqiptarja.com, znj.Kryemadhi tha se “mirëmëngjesi” i bashkëshortit të saj, pra presidentit, çdo ditë kur ngrihen nga shtrati, është shprehja e kundërshtisë mbi djegien e mandateve.
“Di të them që është i pakënaqur për çështjen e mandateve. Sapo hapim sytë në mëngjes, nuk fillojmë me ‘mirëmëngjes!’, si fjete?’ por ‘pse i dogjët mandatet?’”, tha znj.Kryemadhi, duke shpjeguar më pas se politikisht nuk kanë asnjë lloj bashkëpunimi brendafamiljar.
“Të jeni të bindur që përsa i përket aksionit opozitar unë nuk ndaj asgjë me të. Sepse ajo çfarë unë jam e angazhuar në tryezën e opozitës vjen si rezultat i vendimmarrjes me strukturat e partisë dhe më pas ajo reflektohet në tryezën e partive politike të frontit opozitar”, tha bashkëshortja e presidentit. /tesheshi.com/