Nga Bardha Nergjoni
Të gjithë e përmendin sheshin qendror të Elbasanit me emrin “Gensher”, por pak kush e di se si është vendosur ky emër. Shpesh është diskutuar edhe për tu hequr, ka pasur edhe thyerje të pllakës emërtuese por vizitën e hershme të vitit 1992; dhe, lidhja e sheshit kryesor me diplomatin e shquar që njihet edhe si arkitekt i ribashkimit të dy Gjermanive, Hans Dietrich Genscher, njihet shumë pak nga shqiptarët.
Emri i tij u kthye në vëmëndje pas lajmit se ndërroi jetë dy ditë më parë. Njerëz që e takuan, kanë fiksuar impresionin e tyre, mediat shqiptare shkruan për diplomatin gjerman që disa prej fotografive në Shqipëri i ka pikërisht nga Elbasani.
Vizita e tij ishte historike për Shqipërinë në periudhën e ndryshimeve të mëdha. Por pse Gensher erdhi në Elbasan pas 24 vitesh, pak kush mund ta tregojë.
Ishte hera e parë dhe e vetme që një politikan i këtij niveli vinte në qytetin e Shqipërisë së mesme, mbante një fjalim historik në sheshin para pallatit të sportit “Tomorr Sinani” dhe ekzaltonte mijëra njerëz.
Fedinand Hodo, një ish-basketbollist, biznesmen i njohur në Elbasan, është një ndër organizatorët e ardhjes së Gensherit në këtë qytet. Sot të gjithë bëjnë çudi për emrin e politikanit gjerman në qendër të qytetit, por në fakt është pikërisht ky emërtim që solli zv/kancelarin gjerman dhe i hapi rrugë ndihmave, investimeve dhe vëmendjes së BE drejt Shqipërisë. Hodo, një ndër anëtarët e shoqatës së miqësisë Shqipëri-Gjermani të asaj kohe, tregon detajet e vizitës historike në periudhën e ndryshimeve të mëdha që erdhi si rezultat i mardhënieve të krijuara nga kjo shoqatë më parë me ambasadën gjermane nëpërmjet një interlokutori mjaft të përgatitur si Aleko Rada.
Hodo, ju keni qënë ndër iniciatorët e ardhjes së Gensherit në Elbasan. Pse erdhi kjo vizitë?
Ishin vitet e para të ndryshimeve demokratike dhe ne në atë kohë krijuam një shoqatë që pati anëtarë të majtë e të djathtë me qëllim miqësinë Shqipëri-Gjermani. Një ndër organizatorët kryesor të shoqatës ishte Aleko Rada, i cili kishte kontakte të mëparshme me investitorë gjermanë dhe ambasadën gjermane. Deri në organizimin e aktivitetit u bënë pjesë Bashkim Progri, Bukurosh Stafa, etj. Pati që u tërhoqën disi dhe nuk u afruan ditën e ardhjes së Gensher pasi ai shoqërohej nga Berisha dhe këto ndarjet e mëdha politike sidomos në atë kohë shikoheshin.
Pse u vendos që ndalesa e parë të ishte sheshi kryesor në qendër të Elbasanit?
Një ditë më parë, në darkë, ku merrja pjesë edhe unë, u vendos intenerari i lëvizjeve në ministrinë e jashtme shqiptare i monitoruar nga ambasada gjermane. Gjithçka ishte e organizuar deri në detaje. Ndalesa e parë ishte në bulevardin kryesor ku do të zbulohej një pllakat. Më pas, nga sheshi shkuam në pallatin e sportit ku Gensher mbajti një fjalim për demokracinë bashkë me Berishën. Fjalimi u përqëndrua në ndryshimin e sistemit dhe vlerat e lirisë. Kontributi i tij për demokracinë ishte jashtëzakonisht i madh dhe sigurisht që në vitet e para të ndryshimit të sistemeve kjo vizitë ishte historike.
Pra, emërtimi i sheshit erdhi para se të bënte vizitën Gensher në Shqipëri?
Po. Si shoqatë ne vendosëm të propozojmë vendosjen e emrit të këtij sheshi në nder të zv/kancelarit gjerman. Nuk di pse u mendua ky shesh. Mund të ishte menduar një shkollë, një lulishte apo një shesh tjetër, por kjo ka pak rëndësi. Ne nuk bëmë asgjë për interesa personale. E menduam dhe dërguam propozimin në Komitetin e Rrethit të asaj kohe. Mbaj mend që drejtohej nga Argjir Panariti i cili mblodhi këshillin e rrethit, u diskutua dhe u vendos që këtij sheshi ti vendosej emri Gensher. Pra Gensher erdhi në Elbasan për të zbuluar pllakën e emrit bashkë me Berishën. është historike kjo vizitë dhe vendosja e atij emërtimi e ka një histori.
Shpesh kam parë që është diskutuar heqja e emrit, ndoshta qytetarët nuk e dinë këtë histori. Ka pasur raste që është hequr pllaka, e raste të tjera kur është vendosur prapë. Por duhet të dini se Elbasani nuk ka ngjarje më të madhe historike si kjo. Këtu nuk ka ardhur një ministër i jashtëm i një shteti ballkanik e jo më i një vendi si Gjermania.
A mund të sillni detaje nga kjo vizitë?
U deshën të paktën 4 orë intenerar për të ardhur e për t’u larguar nga Elbasani me gjithë agjendën që kishte. E mbaj mend që kishte një protokoll strikt zyrtar i llogaritur deri me minuta. Kur kanë zbritur përpara Kalasë në të njëjtën makinë të dy, më kujtohet se si Berisha ishte ulur djathtas dhe ai majtas. E pritëm kur zbriti tek Kalaja dhe shkuam tek sheshi ku u hap pllakata.
Çfarë solli kjo vizitë për Elbasanin?
Pas kësaj vizite shumë njerëz nga Komuniteti Europian vizituan Elbasanin. Ishin kryesisht komisionerë të KE. Një prej tyre, që ishte kryesor në atë kohë e kemi dërguar në spitale ku ka parë gjendjen e tyre. Mbaj mend që ka qarë ndërsa shikonte kirurgjinë tonë, edhe pse për ne nuk ishte dhe aq keq. U skandalizua nga gjendja këtu. Pas kësaj vizite pati ndërhyrje e investime. Gjermania ka qenë promotori i Shqipërisë në ndihma. Dihet që pjesa më e madhe e fondeve nga BE vijnë nga Gjermania.
Ju si shoqatë udhëtuat edhe drejt Gjermanisë?
Ne vazhduam kontaktet me ambasadën. Kemi udhëtuar drejt Gjermanisë disa herë. Jemi pritur edhe në Bundestag ku janë organizuar disa takime. Aty kemi takuar sërish Gensherin, edhe pse vetëm për 5 minuta. Ai kishte agjendë të ngjeshur. Ishte fat i madh të vizitojë Bundestagun në atë kohë. Në ato 5 minuta ne i bëmë kërkesa për nevoja emergjente siç ishin ilaçet. Janë sjellë gati tre kamionë me medikamente në atë kohë në Elbasan. Shqipëria kishte nevojë për gjithçka por sidomos për medikamente.
Ju thatë se një njeri ishte promotor i kësaj marrëdhënieje. Cili ishte ai?
Aleko Rada ishte një ndër organizatorët kryesorë. Sot është në Angli. Fliste anglisht, dhe ishte gjermanishtfolës shumë i mirë. Ai ishte promotori i gjithë kësaj mardhënie që kishte nisur me punën e tij me industrialistë gjermanë. Ata në fakt investuan në Uzinën 12-të që mund të kishte qenë ndërhyrja më e rëndësishme ekonomike për kohën. Nuk di pse u la përgjysëm por i gjithë investimi i bërë u shkatërrua në 97-tën. Shoqata u bë urë lidhëse si para ashtu dhe pas vizitës së Gensherit. Komisionerët që vizituan Elbasanin në atë kohë, panë se çfarë duhej dhe disa nga investimet kanë ardhur pikërisht prej këtyre vizitave.
Hapja e degës së gjermanishtes në universitetin e Elbasanit erdhi si rezultat i kësaj mardhënieje?
Pas vizitës së Gensherit, ambasada gjermane solli një pedagoge që ka dhënë mësim në Universitetin e Elbasanit. Ajo ka qëndruar fillimisht edhe në shtëpinë time. Pedagogen e paguante ambasada dhe nga aty lindi dhe idea për hapjen e gjermanishtes si degë.
Sot jemi në periudhën që shqiptarët kanë ikur në masë drejt Gjermanisë. A e mendoni zgjidhje emigrimin?
Nëse s’ka zgjidhje këtu mirë bëjnë që ikin por qëlloi periudhë e keqe pasi këtë gjë mund ta kishin bërë më parë. Çfarë ka ndryshuar këto 3 vjet? Në krizë kemi qenë edhe më parë. është pasojë e krizës dhe vendet në zhvillim janë të fundit që përjetojnë valën goditëse të saj. Të shpresojmë që gjërat do të ndryshojnë. /tesheshi.com/