Nga Anila Dushi
Ditë më parë, Shërbimi Social në Shkodër njoftoi se 24 gra të ardhura nga familje në ngujim për shkak të gjakmarrjes, do kenë mundësi të marrin një zanat, e që më pas, duke punuar, t`u jepet mundësia që të lehtësojnë sadopak hallet e tyre ekonomike, që vijnë më së shumti pikërisht nga ngujimi i meshkujve, forcës kryesore për punë.
Varfëria është tejet prezente në shumicën e familjeve që janë të ngujuara, veçanërisht ato të zonave rurale apo periferisë së qytetit. Në shtëpitë e tyre dallohet pa vështirësi mjerimi, ndërsa gratë rrijnë me shpresën se dikush, shoqata apo individë, do kujtohen të sjellin ndonjë thes miell apo pako ushqimi.
E së fundi pra, është marrë një inisiativë që së paku ato të kenë një zanat. Sipas drejtuesve të Shërbimit Social, 24 kryefamiljare do të trajnohen për kuzhinë, rrobaqepësi e parukeri, ndërsa u është mundësuar dhe transporti falas, ngase vijnë prej jashtë qytetit.
Drejtorja e Shërbimit Social Shtetëror në Shkodër, Valbona Tula, thotë se është kontaktuar dhe me biznesin, në mënyrë që pas përfundimit të trajnimit dhe pajisjes me çertifikatë, këto gra të kenë mundësi punësimi. Sipas saj, Zyra e Punës ka projekte dhe bizneset janë afruar për të punësuar këtë target-grup.
Ndërsa Meri Markiçi, drejtore e Shërbimit të Formimit Profesional në Shkodër, shprehet se punësimi i tyre pas përfundimit të kursit do të ndiqet me përparësi, ndërsa shton se kurset dhe transporti i këtyre grave deri në ambientet e qendrës ku dhe bëhet trajnimi është falas.
Liljana Luani, mësuese e cila asiston familjet e ngujuara, thekson se këto kurse janë shumë të rëndësishme me qëllim që këto nëna të jenë të zonjat të punojnë, të kenë rrogën e tyre, të ndihen të vlerësuara në familje dhe të ndikojnë sadopak në zbutjen e varfërisë.
“Këto gra nuk janë të ngujuara, pasi me kanun gratë nuk ngujohen, por ato nuk kanë mundësi punësimi e integrimi për shkak se burrat e djemtë i kanë të ngujuar, ndërsa ato nuk kanë patur mundësi të kërkojnë apo gjejnë punë. Ardhja e tyre në këto kurse trajnimi disa mujore, përveç përfitimit të një zanati dhe mundësisë së punësimit të tyre, ndikon dhe në edukimin psiko-social, në integrimin e tyre në shoqëri” shprehet Luani.
Janë gra të ardhura më së shumti nga zonat e thella apo fshtrat e largët dhe që janë vendosur në Rrethina apo periferi të qytetit për shkak të përfshirjes së familjeve së tyre në konflikte që kanë shkaktuar viktima dhe sot janë të ngujuara. Mosha më e madhe e tyre është 39 vjeçe. Këto trajnime ndikojnë dhe në edukimin e fëmijëve, pasi duke dalë nga shtëpitë, këto gra integrohen në shoqëri dhe ndikojnë tek fëmijët e tyre që ato të jenë më tolerantë, të falin dhe të besojnë tek shteti ligjor.
Po cila është historia e disa prej grave nga familjet e ngujuara të cilat po marrin një profesion me shpresë punësimin e tyre?
Ashtu siç ndodh dhe me meshkujt e familjeve të ngujuara, ato më së shumti refuzojnë të flasin për hallet e tyre apo të dalin në media.
Shkurte Ndrevataj, një prej grave pjesmarrëse në këtë trajnim, tregon se janë 9 pjesëtarë të familje të ngujuar dhe jetojnë me ndihmën ekonomike dhe pagesën e kujdestarisë që merr vetë Shkurta për djalin e mitur të kunatit të vrarë, i cili është jetim pasi i ka vdekur dhe nëna. Familja e Shkurtës nga Lekbibaj i Tropojës, është në gjak që nga viti 2000. Vëllezërit e burrit u përfshinë në një zinxhir vrasjesh dhe tre prej tyre janë vrarë, ndërsa ajo bashkë me bashkëshortin, hallën e këtij dhe katër djemtë e saj janë të ngujuar, përfshirë pra dhe djalin i një prej kunetërve të vrarë.
Në kushtet e një varfërie të madhe, i ngujuar dhe me 9 pjesëtarë në familje, i vetmi burim jetese është 5000 lekë të reja ndihmë ekonomike dhe kujdestaria për jetimin e vogël. Prandaj, Shkurta, e cila në dukje tregon shumë më tepër se vitet që ka, mendon të marrë një profesion dhe të punësohet diku. Ato jetojnë në një shtëpi të varfër në rajonin nr. 3 të Shkodrës, në periferi, pas ish-Kombinatit të Drurit afër shinave të hekurudhës.
“Hasmi që jeton në fshatrat rrotull Tiranës nuk pranon të pajtohet dhe burri e katër djemtë janë të ngujuar”, thotë Shkurta teksa përlotet.
Diella Prela (Hili), është një tjetër grua që i është afruar këtyre kurseve. Asaj i kanë vrarë bashkëshortin në vitin 2002, ndërsa familja me të cilën është në hasmëri jeton në të njëjtën rrugicë ku ndodhet dhe shtëpia e saj, pas ish-sanatoriumit në Shkodër. Ajo ka dy fëmijët e saj dhe dy të vëllait në gjak, ndaj siç shprehet, e ka të domosdoshme të gjejë një punë për të përballuar jetesën. Familja e saj jeton vetëm me ndihmë ekonomike pasi fëmijët nuk kanë pension, sepse babai i tyre nuk ka qenë në punë shteti derisa u vra.
Teksa i shikon këto gra, që më së shumti janë të veshura me të zeza për shkak të vdekjeve të të afërmve të tyre të përfshirë në gjakmarrje, e kupton qartë dramën e madhe disaplanëshe që përjetojnë ato çdo ditë.
“Të paktën dalim nga shtëpia për disa orë, mësojmë diçka por dhe ndërrojmë ambient për pak kohë, pasi nuk thuhet me fjalë ajo që përjetojmë”, shprehen disa prej tyre. /tesheshi.com/