Nëse duhet të zgjedhësh mes 24 ndeshjeve të javës së pestë të fazës në grupe të Ligës së Europës të luajtura mbrëmë, nuk është e vështirë ta vësh gishtin në dy prej tyre.
Për Mançester Junajtedin qe një mbrëmje mjaft e mirë, e mbyllur me një fitore 4-0 ndaj Fejënordit. Paraqitje shumë pozitive e “djajve të kuq”, e posaçërisht e dy prej lojtarëve të saj.
Pas shumë kohësh, Wayne Rooney u kthye të luajë në nivele të larta. Mbrëmja qe për të, me një gol të shënuar e një pasim për gol. I kritikuar fort gjatë kësaj periudhe, më shumë në stol se në fushë, Rooney u dha përgjigje atyre që besonin se ai kishte marrë fund.
Edhe pse Rooney u zgjodh lojtari i ndeshjes, armeni Mkhitaryan, në të dytin aktivizim nga minuta e parë me Mançester Junajtedin që prej transferimit në verë, la mbresa me atë çka bëri në fushë. Aq sa për të vjen natyrshëm pyetja se pse nuk aktivizohet rregullisht në formacionin e parë?!
Rooney, Mata dhe Lingard qenë shënuesit për vendasit, veç një autogoli të portierit mik.
Në ekstremin tjetër të paraqitjeve, në atë të anës negative, qëndron jo çuditshëm Interi.
Një Inter i shpërfytyruar, krejt tjetër nga ai i barazimit të fundjavës ndaj Milanit. Në Izrael, ndaj Hapoel Bir Shevës, Interi humbet 3-2 dhe vulos daljen nga aktiviteti. Tre pikë në pesë ndeshje, një fitore e katër humbje, golavarazhi -5: bilanc tragjik për një skuadër si Interi!
Mes rezultateve të tjera të thella të Ligës së Europës në mbrëmjen e së enjtes ishte fitorja 4-1 e Romës ndaj Viktoria Plzenit, fitorja 4-0 e Shakhtar Donjeckut ndaj Konjasporit, dhe ajo 3-0 e Sllovan Liberecit ndaj Karabakut.
Nga fitoret e skuadrave udhëtuese, më e papritura ishte ajo e grekëve të PAOK-ut ndaj Fiorentinës. 2-3 fituan miqtë në “Artemio Franchi” të Firences.
Në 24 takimet pati një barazim të vetëm pa gola. Sent-Etjen – Mainz 05 përfundoi 0-0.
Sfidat e fundit të kësaj faze në Ligën e Europës do të luhen më 8 dhjetor. /tesheshi.com/