Robert Hand, këshilltar politik i Komisionit të Helsinkit, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, tha se taksa 100 për qind ndaj Serbisë është gabim taktik, por ndërkohë, në një këndvështrimin afatgjatë Shtetet e Bashkuara do të jenë mike dhe aleate të Kosovës.
“Ashtu si edhe me shumë gjëra që kanë ndodhur në vitet e fundit, po ndeshemi me pengesa dhe e shoh në OSBE për shembull dhe unë isha së fundmi në Vjenë ku patën bisedime me aleatë, në pikëpamjen afatshkurtër mund të kemi mosmarrëveshje, por në vështrimin afatgjatë, mendoj se marrëdhënia jonë me Kosovën, ashtu si edhe me shumë miq dhe aleatë të tjerë, është e fortë, dhe është e pranishme, dhe pikëpamja e Kongresit është që duhet të vazhdojë të jetë e tillë.
Kështu që mendoj se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten një mik dhe partner i fortë i Kosovës dhe fakti që mund të mos jemi në një mendje për një vendim që merr qeveria në Prishtinë, kjo nuk do të thotë që nuk jemi më një mik apo partner. Do ta zgjidhim, thjesht nuk jemi dakord në këtë pikë.
Në fakt unë mendoj se ishte një gabim taktik vendosja e taksës”, tha Hand.
Më tej, si njohës i problematikave të rajonit, Hand tha se nuk do ishte kursesi për ndryshim kufijsh në rajon.
“Jam mjaft i shqetësuar për këtë lloj propozimi. Nuk jam një prej atyre që automatikisht e hedhin poshtë këtë ide të ndryshimit apo shkëmbimit të territorit, ose çfarëdo që ta quash. Mendoj se duhet të kujtojmë që në fillim të viteve 2000, para se Kosova të njihej, sapo ishte përmbysur Millosheviçi, ekzistonte mundësia për një marrëveshje të tillë (me ndryshim kufiri). Unë jam më shumë një person që mendon se kohët kanë ndryshuar.
Në atë kohë, Serbia ishte në gjendje të pengonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Në 2008-ën u shpall pavarësia. Kosova është njohur nga një numër i madh vendesh. Kohërat kanë ndryshuar dhe kjo e ndryshon natyrën e asaj që mund të ndodhë mes Beogradit dhe Prishtinës, se çfarë mund të negociohet. Disa nga shqetësimet e mia konkrete, kanë gjithashtu të bëjnë me faktin që kohërat kanë ndryshuar.
Ne tani kemi një situatë shumë më të rrezikshme në Evropë, me një Rusi shumë më agresive, që ushqen jostabilitet në Ballkan, si edhe kemi pasur intensifikim të retorikës nacionaliste, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë dhe sado që të themi që do të ishte një marrëveshje ku të dyja palët të binin dakord, se në një farë mënyrë kjo është një situatë unike, të jeni të sigurt që demagogë të tjerë nacionalistë në Ballkan dhe gjetiu në Evropë, në Rusi, përsa u takon Kaukazeve, Ukrainës, territorit që është marrë atje, ata do ta përdorin këtë si precedent, do të thonë që është precedent dhe do të përpiqen kështu të plotësojnë synimet e tyre dhe për këtë arsye është kaq e rrezikshme.
Ka edhe arsye të tjera që nuk më pëlqen kjo ide. Po bëhet nga disa politikanë mesa duket pas dyersh të mbyllura. Nuk më duket se çfarëdo për të cilën mund të bihet dakord në tryezën e negociatave do të marrë mbështetje popullore, as në Serbi as në Kosovë. Unë do doja që këto marrëveshje të kishin mbështetje popullore. Mundet gjithashtu të rrisin tensionet në zonë, sepse serbët në Jug të lumit Ibër, apo ata që jetojnë në Luginën e Preshevës, shqiptarë që mund të jetojnë në zona të tjera të Serbisë apo që kanë prona në jug të Ibrit, i bën të gjithë nervozë lidhur me atë që mund të ndodhë. Pra është një çështje shumë delikate. Një tjetër shqetësim është se është pothuajse si të pranosh se në shekullin e 21-të, nuk mund të realizojmë transformimin e shteteve në Evropë, përveçse në baza përkatësie kombëtare, nuk mund të kemi një shtet shumëkulturor dhe shumetnik, sikur dorëzohemi në këtë drejtim nëse duam të ndajmë kufij për të akomoduar këto shqetësime. Dhe ky është një parim që unë mendoj se duhet të luftojmë ta kemi në Evropë, që kufijtë nuk kanë edhe aq rëndësi dhe pavarësisht nga përkatësia etnike, je qytetar i një vendi dhe ke një rol të barabartë për të luajtur ashtu si gjithkush tjetër.
Dhe arsyeja e fundit se pse jam i shqetësuar është se sigurisht nëse bien dakord të dyja palët është në rregull, por ashtu siç është situata tani, mua më duket se presioni më i madh është mbi Kosovën që në një farë mënyrë ta mundësojë këtë. Do të ishte mirë të dëgjoja një zyrtar amerikan, që të thotë se po e pranojmë një marrëveshje reciproke, por nëse njëra nga palët, Prishtina por edhe Beogradi thotë “jo” ne do ta respektojmë dhe e mbështesim plotësisht.
Por në fakt unë mendoj se ajo që ka ndodhur, është një presion i vazhdueshëm që të bindet veçanërisht Kosova të pranojë një kompromis, të pranojë një lloj ndryshimi kufiri, apo shkëmbim territori ose diçka të ngjashme. Pra unë e shoh këtë si një situatë disi asimetrike për momentin dhe kjo më shqetëson”, theksoi Hand. /tesheshi.com/