Edhe shqiptarët e Maqedonisë u janë rikthyer armëve në kuadër të krizës politike që po sundon prej kohësh në vend. Një pjesë e tyre, ata të cilët iu përgjigjen thirrjes për të dalë në rrugë nga partia opozitare e Lëvizjes për Reforma në PDSH, me në krye me Ziadin Selën, patën si thirrje kryesore ankronimin militar UÇK; duke e parë vetëm armën pra si zgjidhje.
Protesta filloi menjëherë pas namazit të xhumasë, në afërsi të Pazarit të Shkupit. Rrugët ishin të bllokuara nga forcat e mëdha policore nga dhe autobusë të qyteteve të ndryshme që kishin ardhur për të manifestuar pakënaqësitë ndaj regjimit.
Marshi protestues me në krye Ziadin Selën, u pengua nga kordoni policor, andaj në vend se të nisen në drejtim të Gjykatës Themelore të Shkupit, ata u detyruan të ndërrojnë kahje në drejtim të Kuvendit të Maqedonisë.
Nga këtu morrën fjalën duke i’u drejtuar protestuesve figura të ndryshme të skenës politike, si Daim Hiseni, Besim Hoda, Shpëtim Pollozhani, Hisni Shaqiri, Vesel Memedi, dhe në fund kreu i LR-PDSH-së, Ziadin Sela.
Sipas Ziadin Selës, ky është vetëm fillimi, dhe se shqiptarët do të protestojnë derisa të marrin hisen e tyre.
“Është vetëm fillimi, do ta bëjmë tani, do ta bëjmë edhe nesër. Nuk do të lejojmë tani e tutje që dikush me zgjedhje të djegë verdiktin e shqiptarëve. Ne jemi për zgjedhje kredibile. Ne nuk jemi këtu vetëm për të ndërruar një kryeministër më një kryeministër tjetër. Ne jemi për drejtësi. Ky shesh do të mbushet me një milion shqiptarë nëse nuk realizohen kërkesat shqiptare. Qëllimi i protestës u arrit. Sot dhamë një mesazh se ne kemi hise në këtë shtet. Hisen do e marrim gjithë së bashku”, deklaroi para protestuesve Ziadin Sela.
Në fund protesta ishte e shoqëruar edhe nga një improvizim mjaft rrënqethës i njërit nga protestuesit i cili ishte i lidhur i tëri me zinxhirë dhe dry, gjë që sipas tij simbolizonte robërimin dhe burgosjen e pafajshme të shqiptarëve në Maqedoni.
Përgatiti: Mensur Krasniqi – /tesheshi.com/