Sulmuesi legjendar brazilian Romario, i cili fitoi Kupën e Botës me Brazilin në vitin 1994, duke shënuar pesë gola në atë turne, synon të rikthehet në fushat e futbollit 15 vjet pas pensionimit zyrtar.
Sot 58-vjeçari Romario është regjistruar si lojtar i ekipit America-RJ, i cili luan në divizionin e dytë të shtetit brazilian të Rio de Janeiro, raporton Reuters.
Romario është presidenti i klubit dhe ai luajti minutat e fundit para daljes në pension në fanellën e atij klubi kur hyri në fushë për 22 minuta në 2009. Në atë kohë ai kishte rolin e drejtorit sportiv.
Dëshira për të luajtur me djalin e tij
America-RJ ishte klubi i preferuar i babait të tij të ndjerë, dhe tani djali i tij Romarinho luan për ekipin e parë.
“Nuk kam ndërmend të garoj në kampionat, por do të luaj disa ndeshje për klubin që më është për zemër. Përveç kësaj, do të realizoj një ëndërr tjetër, që është të luaj me djalin tim”, ka bërë të ditur Romario në Instagram.
Gjatë karrierës së tij të pasur dhe të suksesshme, Romario ka luajtur për klubet më të mëdha nga Rio de Zhaneiro – Vasco da Gama, Flamengo dhe Fluminense, ndërsa në Evropë ka mbrojtur ngjyrat e PSV-së Eindhoven, Barcelona dhe Valencia. /tesheshi.com/