Nga Gëzim Hashimi
Besoj e mbani mend Tirkën, mësuesin pa qëndrime të mira parimore tek “Zonja nga qyteti”, sipas së cilit fshatarët gallatë deshin; ose komandatin turk që i drejtohej Çerçizit me shokë duke u thënë: “Po jeni një grusht more jezitër!”. Ai është pra Sotiraq Bratko, një prej aktorëve më të njohur korçarë të kinemasë shqiptare e skenës korçare, pa dyshim. Pas 20 vitesh emigrim në Selanik, ai është kthyer skenës së ‘Andon Zako Çajupi’-t me një zell rinor.
Pas gati tre orë provash për pjesën e re, i djersitur paksa, ulet në skenë dhe rrëfen emocionet e tij. Në atë skenë ku ka munguar afro 20 vjet dhe tani është rikthyer me një punë intensive, si për të mbushur me shpejtësi boshllëqet. Sotiraq Bratko thotë se nuk do t`i largohet më Korçës, qytetit ku u rrit si aktor , qytetit që dëshiron t`i japë gjithshka si artist. Tregon për vitet në emigracion, vuajtjet e shkëputjes në kulmin e krijimtarisë, si u kthye dhe si e përjeton gjendjen e teatrit të Korçës, teatrit me nam, ‘Andon Zako Çajupi’ .
U rikthyet më në fund pas një mungese të gjatë në skenën e teatrit të Korçës. . .
Po, jam rikthyer në këtë skenë. Mungesa e gjatë më shtoi fuqinë për të interpretuar, ama me një frikë jashtëzakonisht të madhe. Dihet se aktrimin po e le një ditë, të le për një javë e kështu me radhë. Erdha këtu në Korçë me një frikë pas 20 vitesh, sepse isha ndarë me shokë dhe kolegë në kulmin e krijimtarisë sime. I druhesha barierave brenda meje. Ishte si një thikë me dy presa ky kthimi im.
Pse gjatë qëndrimi në emigracion në Greqi ishit i shkëputur tërësisht nga aktrimi?
Asnjëherë nuk kam qënë i shkëputur nga arti e shqetësimet e tij. Ndodhte që angazhohesha në recitime poezish. Vura në skenë edhe një pjesë teatrale me fëmijë të emigrantëve në Selanik. Roja me nostalgjinë e viteve të kaluara dhe të roleve të mia. Nuk isha në gjendje ta shikoja një film shqiptar deri në fund sepse emocionohesha shumë. Edhe në ëndërr shikoja ndonjëherë sikur harroja tekstin, e zgjohesha i trembur. Familja më shikonte që vuaja. Gruaja më dha jashtëzakonisht besim. Ja, sa të sistemojmë pak fëmijët me shkollimin e tyre dhe ti Sotiraq do të kthehesh në Korçë, më thoshte shpesh. E ndieja se vetë spektatori dhe Korça më donin, prandaj vendosa të kthehem.
Ndërsa rrethanat familjare më në fund ju favorizuan për t`u kthyer në skenën e teatrit të Korçës, kush ju bindi përfundimisht për t`u ngjitur në skenën e këtij teatri?
Ka diçka paksa të çuditshme në rastin tim. Ngaqë isha në emigracion në Selanik të Greqisë dhe herëpashere vija në Korçë, askush nuk e dinte se isha prej dy dekadash i shkëputur nga aktrimi. Kjo, edhe sepse shikonin filmat ku luaja edhe unë. Për shembull, në Korçë e dinin sikur isha larguar për në Tiranë, dhe në kryeqytet më pyesnin: po ç`bën akoma atje në Korçë, eja këtu e merr ndonjë rol? Vendimin për t`u kthyer në qytetin tim, e mora pas një përvjetori të teatrit të Korçës. Aktorja Zamira Kita këmbënguli jashtëzakonisht shumë që të kthehem. Ish-Kryetari i Bashkisë Niko Peleshi, me shumë dashamirësi më ftoi të kthehem sepse i mungoja skenës së teatrit të Korcës. Andej nga isha në emigracion, njerzit më respektonin, por shpesh më pyesnin: Çdo ti këtu akoma?
Dhe filluat menjëherë punë?
Së pari vumë në skenë një pjesë me regjisorin Dhimitër Orgocka. Pastaj erdhën pjesë të tjera. Aktualisht po angazhohem në rolin tim të pestë pas rikthimit tim në Korçë. Eshtq një komedi e të mirënjohurit Pirro Mani. Kemi zhvilluar turne të ndryshme brenda e jashtë vendit. Jam vlerësuar edhe me dy çmime dhe për njërin nga rolet, atë të doktor Shusterit, mendoj se kam aritur të realizoj rolin e jetës. I hyra thellësisht kësaj figure dhe arrita të krijoj atë rol shumë të bukur. Krahas falenderimeve që mora nga kolegët, me këtë rol arrita të ndieja siguri tek vetja ime. Nuk ishte më ajo frika e parë e rikthimit në skenë pas një mungese shumë të gjatë.
Pra, kini oferta të shumta në sajë të këtij aktivizimi thuajse të pandërprerë?
Po, e vërteta është se kam oferta, por unë nuk do të largohem më nga Korça. Kam patur ftesa nga Tirana apo Maqedonia për të luajtur atje, por i kam refuzuar. Nuk jam edhe aq i lirë sa ti përgjigjem regjisorëve, pastaj unë kam detyrime ndaj Korçës. Këtu kam gjetur ngrohtësinë, dashurinë, durtrokitjet, dhe vetëm dua t`i jap, dua t`i jap këtij qytetit.
Më lejoni që të përdor një nga batutat e filmave tuaja. Dhe si u thatë kolegëve tuaj kur u kthyet në Korçë: “Po jeni vetëm një grusht more jezitër?”
Oh, jo, jo!Kolegët e mi unë i respektoj. Por, ndjeva një si mangësi e një lloj ftohtësie në teatër. Jo vetëm nga përbërja e aktiviteteve. Më tepër nga ftohtësia dhe largësia që ishte krijuar me spektatorin. Teatri duhet ndihmuar, sepse spektatori ka mbetur larg.
Dhe si e shikoni prespektivën, të paktën për teatrin e Korçës?
Si të them…ne kemi patur brezin e parë të shkëlqyer të aktorëve me Pandi Raidhin, Stavri Shkurtin, Thimi Filipin etj. Pastaj erdhi një brez i dytë aktorësh shumë i mirë, ndërsa unë i përkas brezit të tretë. Kur erdha unë, në teatrin e Korçës gjeta një trupë me aktorë e regjisorë të jashtëzakonshëm. Ahëhere kishte dyndje aktorësh të mirë, teatri ishte në lulëzim. Unë pata fatin se sapo erdha më dhanë rol kryesor. Tani punët kanë ndryshuar. Ja, në teatrin e Korçës dy apo tre aktorë dalin në pension që këtë vit, disa të tjerë dalin vitin tjetër. Kush mbetet? Aktorë të rinj nuk dalin dhe këtyre djemve e vajzave të reja që kemi, u them të punojnë më seriozisht.
Gjatë karierës suaj artistike keni afro 18 role në kinematografi dhe mbi 70 role në teatër. Cili prej këtyre roleve ju pëlqen më shumë apo që e keni më për zemër, ngaqë ju identifikon spektatori?
(Mendohet paksa) Nuk mund të veçoj dot asnjë rol. Sepse rolet për mua janë si puna e gishtave dhe të gjithë dhembin njëlloj. Kam patur role kryesore, role të dyta apo të treta, dhe të gjitha i vlerësoj. Nga natyra jam i tillë që nuk rrija dot pa punuar seriozisht. Nuk mund të harroj përshembull nga mënyra se si i qëndisnin rolet Pandi Raidhi apo Violeta Manushi, dhe tashmë na takon neve që të ruajmë trashëgiminë e tyre.
Po në ndonjë film a mendoni të luani tani?
Dikur ne kemi krijuar filma që i përgjigjeshin jetës. Regjisorët mernin aktorë nga Korça sepse e shikonin që kishin për të dhënë diçka. Regjisori do suksesin, prandaj edhe i zgjedh aktorët për të aritur më të mirën e tij. Sa për atë nëse do të luaj në ndonjë film, kësaj nuk mund t`i jap dot përgjigje. Nuk kam asnjë kontakt deri tani. Filmat dikur realizoheshin me angazhime të mëdha e të gjithanshme. Tani duhen para, dhe po i kurseve ato dihet se diçka do ti mungojë një filmi. Nuk do të jetë aq realist. Unë dëshirën e kam të luaj, se aktori për këtë është i prirur, por e shikoj si të vështirë tani për tani të luaj në ndonjë film. Kështu që jam këtu dhe siç e thashë nuk dua ti iki më Korçës.
Aktualisht çfarë po vini në skenë?
Kemi një komedi të Pirro Manit. Korça ka detyrime ndaj tij. Jo vetëm që është krijuesi i teartrit realist shqiptar, por mund të konsiderohet edhe si “babai” i teatrit të Korcës, sepse këtu ka punuar shumë që në fillimet e këtij teatri. La gjurmë mjaft të mira, dhe Korça më shumë se kushdo mund ta nderojë tani që ka festuar edhe 83 vjetorin. Pjesa dukert sikur është shkruar enkas për qytetarin korçar. Ne po përgatitemi me regjisorin Spiro Duni, dhe ndoshta nga mesi i muajit maj komedia do të vihet në skenë. Do të ishte njëkënaqësi e madhe, sikur Pirro Mani, ashtu siç ka premtuar të jetë i pranishëm në premierë.
Dhe ju, pas kësaj pjese do të vazhdoni të punoni role të tjera?
Patjetër. Unë e thashë se i detyrohem Korçës. Jo se nuk mund të kthehem dhe të rroj i qetë atje në Selanik me familjen time, sepse kushtet i kam tashmë. Por, nëse u shkëputa një herë dhe kaq gjatë për shkaqet e mia familjare, tashmë është familja ajo që më përkrah për të mbetur këtu ku ende kam për të dhënë për skenën e këtij teatri dhe spketatorin e këtij qyteti. /tesheshi.com/