Nga Gjergji Koja
Pak javë më parë në media të ndryshme u dha alarmi se shqiptarët rrezikonin rikthimin e regjimit të vizave për të udhëtuar drejt zonës Shengen. Gjithçka nisi pasi një prej mediave në Holandë iu referua një raporti të policisë në lidhje me rritjen e kriminalitetit nga shqiptarët.
Raporti u interpretua si një kërkesë që i bëhej qeverisë së Holandës për të përdorur mekanizmat që burojnë nga marrëveshja për lëvizjen e lirë. Por zyrtarisht, autoritetet shqiptare mohuan ekzistencën e një raporti dhe rrezikun për rikthimin e vizave.
Tashmë, zhurma e pak javëve më parë duket se po përsëritet me një tjetër shtet anëtar të BE-së, Francën.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme franceze tregojnë se Shqipëria mban vendin e parë të numrit të azilkërkuesve për vitin 2017.
E përditshmja franceze Le Figaro shkruan se nga janari deri në gusht janë plot 7256 shqiptarë që kanë kërkuar azil në këtë vend.
“Për kontrolluar situatën, Parisi është i detyruar të kërkojë për Shqipërinë të njëjtat klauzola mbrojtëse që kërkoi për Gjeorgjinë dhe Ukrainën: një rivendosje të vizave në rast të abuzimit me mikpritjen”, shkruan Le Figaro.
Sipas gazetës, të paktën 3 avionë kanë mbërritur nga Franca me shqiptarë që u është refuzuar kërkesa për azil.
Pak muaj më parë, Fatmir Xhafaj dhe Ditmir Bushati zhvilluan takime me ministrin e Brendshëm francez, Gerard Collomb, në lidhje me azilkërkuesit.
Në gusht policia shqiptare shtoi në maksimum masat e kontrollit mbi dokumentet e udhëtimit në zonën Shengen, duke parandaluar me qindar raste.
Në shkrimin e gazetës franceze thuhet se “disa e kërkojnë azilin si pasojë e Kanunit, por ky ligj i hakmarrjes është mbivlerësuar, siç shprehet një funksionar i Ministrisë së Brendshme”.
“Një gjë është e sigurt– thotë ai- shqiptarët që arrijnë në masë mbështeten nga grupe mafioze të vërteta, të vendosura në Metz, Lion e Calvados. Trafiku i qenieve njerëzore, të minorenëve dhe prostitucioni e minojnë këtë komunitet vulnerabël. Shkurt, kriminaliteti shqiptar po vendoset në Francë dhe shteti duhet të reagojë”.
Në takimin e zhvilluar në Durrës me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, Edi Rama deklaroi se nuk do të pranonte në asnjë mënyrë që shqiptarët të identifikohen me azilkërkuesit apo kriminelët, duke u shprehur se krimi nuk ka ngjyrë. Rama i drejtoi një apel shqiptarëve që të mos bien preh e kërkesave për azil.
Një nga mekanizmat kryesorë në marrëveshjen e liberalizimit të vizave është ai mbi pranimet, pra që shteti nga nisen azilkërkuesit të mos refuzojë rikthimin e këtyre shtetasve.
Deri më tani Shqipëria ka ripranuar të gjithë ata që i është refuzuar azili në vendet e BE-së, çka do të thotë se ka respektuar mekanizmin.
Referuar shifrave, janë disa mijëra qytetarë shqiptarë që janë rikthyer qoftë nga Franca, Gjermania apo vende të tjera të BE-së, një pjesë e të cilëve ndodhen nën penalitetin për të mos shkelur në zonën Shengen për një periudhë të caktuar kohe.
Nëse do t’i referohemi proçesit të liberalizimit të vizave, përveç aspekteve teknike në përmbushjen e kushteve, vendimi përfundimtar ishte politik, pra parlamentet e vendeve të zonës Shengen miratuan marrëveshjen.
Nisur nga kjo llogjikë, edhe vendimi për të bllokuar marrëveshjen, qoftë edhe nga një shtet që mund të vendosë veton, është politik, pavarësisht termave teknikë që mund të përdoren deri në një vendimmarrje.
Një fjalë e urtë thotë, “ku ka zhurmë nuk është pa gjë”. Por në rastin e vizave ka shumë kohë që po bëhet vetëm zhurmë dhe urojmë të mbetet e tillë… /tesheshi.com/