Nuk preferon të japë datë se kur mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke lënë në dorë të drejtuesve të partnerëve të koalicionit qeverisës një gjë të tillë. Por, shprehet tejet i bindur se pas zgjedhjeve të reja, kryeministër i ardhshëm, do jetë Kadri Veseli, për të cilin thotë se ka energjinë, vizionin, projektin dhe potencialin e nevojshëm për të qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.
Është ky Rexhep Hoti, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherit zv.ministër i Kulturës i cili në një intervistë dhënë për tesheshi. com ngacmon paksa koalicionin qeverisës ku derisa flet për çështjen e Demarkacionit shprehet se “nuk ka qeverisje të mirë pa vendime të mëdha”.
Ndërsa flet edhe për shumë tema të tjera si për iniciativën e presidentit Thaçi për ushtrinë, për atë sa po ndryshon PDK në krye me Kadri Veselin, për anëtarësimin në UNESCO e tema të tjera jo pak të rëndësishme.
Intervisoi: Blendi Gashi
Një javë më parë PDK mbajti Konventën e tetë. Si e keni parë ju? Ç’risi ka sjell dhe ç’dallim ka nga Konventat tjera kur në krye të partisë ishteThaçi?
PDK është jo vetëm partia më e madhe në vend, PDK është partia e cila realisht e kuptimësoi realitetin politik të Republikës së Kosovës, të partive tjera, rolin e opozitës, e mbajti fort standardin e proceseve demokratike dhe për çdo kohë kur ajo erdhi në pushtet funksionimi i sundimit të ligjit ishte larg më i mirë sesa modeli që na servojë OKB apo BE. Në këtë drejtim edhe mbajtja e Konventës së tetë nënkupton një plotësim edhe të detyrimeve të subjektit ndaj proceseve demokratike, ligjore, politike e statutare në përgjithësi. Por mbajtja e Konventës, mbi të gjitha është një trajtim i veçantë drejt proceseve novatore e kreative për proceset politike të partisë. PDK është parti institucionaliste, shtetformuese, është grupim politik avangardë i proceseve demokratike e, mbi të gjitha, është parti që ofron shembullin e të qenurit konsekuente në argumentimin e stories së suksesit të Republikë së Kosovës jo vetëm përballë faktorit të brendshëm.
Në kuadër të këtij shtjellimi, PDK e mban të gjallë frymën e funksionalizimit të institucioneve edhe me shembuj konkret të ndarjes së pushtetit me parti tjera, pavarësisht se ato, në të shumtën e rasteve, kanë ardhur në skenën politike të vendit rastësisht (deri tash këtë shije politike kanë pasur). Kam mirëkuptim për të gjithë ata që e marrin medimin tim si një lavd dhe jo më shumë ndaj PDK-së. E vërteta realisht është kjo që po e vijëzoj unë. Madje PDK e ka shpëtuar vendin nga çoroditjet e shumta të disa prej subjekteve politike, të cilat nuk kanë zgjedhur mjete në luftën për pushtet. PDK disa herë e ka shpëtuar vendin nga krizat e thella politike. Do të thosha, falë PDK-së, Kosova ka filluar sot të jetësoj standardet e një gare demokratike të subjekteve politike ndaj proceseve politike për vendin e qytetarin. Ne e shpëtuam vendin për gjatë viteve 2014, 2015, 2016 nga një luftë civile e mundshme. Funksionimi i Kuvendit, fjala vjen, kishte rol kapital. E atë e drejtoi suksesshëm Kryetari i Kuvendit, z. Kadri Veseli, me PDK-në. E gjithë ky sublim vlerash brenda partisë sonë nuk do të thotë se PDK nuk ka pasur e nuk ka gabime të vogla e të mëdha. Ato i kemi me bollek.
Kadri Veseli po tenton të bëj PDK-në ndryshe. Sa mund t’ia arrinë kësaj kur afër vetës ka njerëzit e njëjtë që ka pasur Thaçi, pra Kuçin e Hoxhajn?
Bukur e shtruat pyetjen dhe ju falënderoj! Më mundësuat që të përgjigjem në një drejtim që mendoj se nuk është sqaruar sa duhet. E para, emrat si z.Hoxhaj e z.Kuçi, nuk janë emra që në një parti politike vjetërsohen në kuptimin e rotacionit demokratik. Të tillët brenda PDK që ka edhe nja dy-tre të tjerë, janë shtylla të fuqishme që e inspirojnë vazhdimisht monotoninë e kaheve politike në demokraci. Ata bëjnë pjesë te pjesa e filozofisë politike e PDK-së, e cila e bën të mundshme që brenda saj të rrjedhë vazhdimisht mendimi i ri politik. Të tillët janë të rëndësishëm në një subjekt politik edhe kur janë në parlament, në ekzekutiv apo vetëm në subjektin përkatës. Në këtë pikë dallon PDK, e cila ka mendim politik që është më i pjekur dhe më i avancuar se sa shumë parti e subjekte tjera rajonale e jo vetëm brenda një gare, të themi, brenda faktorit shqiptar në Ballkan. Freskimi i një partie me njerëz të ri tashmë është parim e standard i PDK-së.
Ju jeni një nga zyrtarët e lartë në PDK që nuk e keni problem të ngritni zërin kur mendoni se gjërat nuk po shkojnë në rregull. Pra, a keni ndonjë vërejtje për Veselin si kreytar partie? Ç’mesazh keni për të?
Shfaqja e mendimit dhe e qëndrimit politik nuk është vetëm ‘leje politike’ e partisë. Është edhe kulturë, edukatë, është filozofi në vete. Por, ka njerëz që kanë marrë gjithçka nga politika që janë në PDK e që dalin, kohë pas kohe, pyet e pa pyet edhe në media, gjoja për partinë, por në të vërtetë, të tillët janë ngarkesat më të padëshirueshme të një partie politike dhe të politikës në përgjithësi. Ata janë parazitët e politikës. Ata në të vërtetë nuk kanë asgjë të përbashkët me PDK. Të tillët nuk dinë të bëjnë as edhe një projekt në jetën e tyre. Ata fërkohen për politikë, sepse e kanë bukë, interes dhe jetë politikën. Të tillët janë bari i keq i politikës do ta thoja figurativisht. Të tillë ka në të gjitha partitë, ka edhe në PDK. Por, natyrisht në PDK janë më të mjerë, sepse, sa herë që ata paraqitën humb PDK! Sepse vihet re kontrasti i madh ndermjet asaj që është etike, me vlerë dhe asaj që të tillët e servojnë. Ata kundërmojnë shumë, shumë!
Veseli?! Më pyetni për njeriun që sapo ka filluar. Nuk do të ishte e drejtë të flas shumë për të. Por diçka mund të them. Në qoftë së flasim për organizimin dhe mbarëvajtjen e Konventës, atëherë mund të dëshmohet e bukura e organizimit, e mbarëvajtjes dhe e strukturimit të proceseve. Në qoftëse flas për hapat e tij që i ka ndërmarrë se fundmi, atëherë mund të thuhet se roli i tij është brenda një dimensioni madhor që ka PDK në vetvete përballë dhe për qytetarin e Republikës së Kosovës. Vetëm PDK mund të ketë kondicionin e nevojshëm, kulturë e standarde për të pasur agjenda të mëdha shtetërore dhe për të pasur agjenda edhe më të mëdha për qytetarin e Republikës.
Më thoni kush është duke e dëgjuar qytetarin e Republikës së Kosovës pos PDK-së, rrjedhimisht z. Veseli? Në këtë dritare të mendimit ju mund të kuptoni shumëçka. Të mos flasim për veprimin e dëgjimit të mendimit të njerëzve profesionistë, të atyre të fushave e profileve të ndryshme. Politika në instancën e fundit është shërbim dhe rregullim, është mundësi për qytetarin. Këtë është duke e bërë PDK, rrjedhimisht z. Veseli larg, shumë larg monotonisë dhe improvizimeve bajate të subjekteve tjera. Ato janë subjekte politike sikur të mos kishin atdhe.
Subjekte politike me agjenda folklorike, me krekosje e kanosje. Apo të atyre që janë realisht ende me brum komunist. Të tjerat me mbetje të shkollës së neokolonializmit e kështu me radhë. Skena politike e Kosovës vazhdon të mbetet një shoshë e madhe e cila është duke situr pandërprerë. Dhe prapë mjerimi jonë në edukim, arsim, kulturë, drejtësi, shëndetësi, solidaritet, transparencë e në fusha tjera është në nivele të pështira.
Të kalojmë në tema nacionale. A jeni në dijeni se kur do dërgohet projektligji për Demarkacionin në Kuvend? A i ka votat PDK për ta votuar këtë marrëveshje? Nëse jo a jeni në dijeni se cilët deputet do mbesin të pa lëkundur nga partia juaj për të mos dhënë votën?
Tash e 17 vjet nuk ka çështje politike që është manipuluar më shumë sesa ajo e Demarkacionit.
E para, Demarkacioni është një çështje që e ka sjellë në tryezë si problem ekskluzivisht partneri ynë i koalicionit, pra LDK; a. edhe si çështje të diskutueshme (në nivele të ekspertëve), b. edhe si çështja të pa kryer në kuptimin e votës. Kryeministri aktual ka pasur pafatësinë të mos e ketë që nga fillimi mbështetjen e partisë së vetë diku prej 20 deri në 30 përqind të saj, në qoftë se do ta përkthenim në votë.
E dyta, kjo çështje është kërkuar me aq ngulm nga administrata e Presdientit Obama e tash edhe e Presidentit Trump, sa nuk mund ta kuptoj logjikën përse kjo çështje ka mbetur pezull si e tillë! Këtë logjikë nuk e kam kuptuar as brenda koalicionit qeveritar ku edhe unë bëjë pjesë, por të saktësojmë një gjë: zëvendësministrat nuk janë pjesë e kabinetit qeveritar me Kushtetutë të Republikës së Kosovës, prandaj ne as nuk mund të krenohemi edhe po qe se do të kishin ndonjë sukses, fjala vjen. Ndonëse fjalë ‘sukses’ në Kosovë është më deficitare sesa kamja.
E treta, PDK ka pasur dhe ka qëndrim unanin sa i përket kësaj çështje. Shih vendimet e partisë në nivel të Kryesisë së saj.
E katërta, Kryeministri e ka pasur kohën e gjithë botës që çështjen e Demarkacionit të shtrojë realisht në frymën e konsensusit. Nuk e di pse nuk e ka bërë. Nuk e di përse nuk ka shkuar edhe më larg, që brenda Demarkacionit ta fusë edhe opozitën, e cila është dashur qëndrimin e vet folklorik ta ballafaqojë me realitete ku fjala kishte pasur peshë edhe në raport me SHBA-atë, fjala vjen. Në vend të kësaj opozita jorrallë është përballur prej një pjese të mazhorancës me një argumentim zeologjik, për të cilën nuk kam pasur dhe nuk mund të kem mirëkuptim. Nuk mund ta imagjinoj si të tillë.
E pesta, opozita gjithkund në demokraci është e papërshtatshme. Përse ajo ndaj nesh do të duhej të ishte ndryshe. Është fjala si mazhorancë. Natyrisht dhuna që demonstroj ajo ishte fundi i politikës dhe për këtë nuk kemi çfarë themi, sepse është një akt që e rrënon shtetin, Republikën, qytetarin dhe përkatësinë tonë etnike e kombëtare. Por, dhe veçmas, i dëmton komunitetet joshumicë.
E gjashta, nuk ka qeverisje të mirë pa vendime të mëdha, pa hapa të vështirë. Kjo është dialektikë e natyrës politike dhe qeverisjes.
E shtata, në këtë drejtim ne si PDK jemi ende duke e pritur partnerin e koalicionit që ta kalojmë Demarkacioni kur ata janë të gatshëm me votë.
E teta, mazhoranca ka përgjegjësi institucionale, ligjore e kushtetuese për të komunikuar me opozitën. Pyetja është, a është bërë drejt kjo çështje prej mazhorancës?! Apo e kemi lejuar logjikën e folklorit e të honxho-bonxhove të të qortojnë përditë, pa asnjë të vërtetë e kulturë politike e njerëzore?! Por në demokraci edhe hipokritët, cinikët, ta mjerët, të varfëritë e mendjes kanë të drejta të barabarta me të tjerët. Të tjerët, vërtet, ku janë ata?!
Janë rritur ndjeshëm zërat për zgjedhje të parakohshme. A pritni që të mbahen zgjedhjet parlamentare këtë vit?
Zgjedhjet e parakohshme janë çështje në tryezë. Mbi të gjitha ato janë çështje e partnerit të koalicionit. Opozita nuk ka çfarë kërkon në këtë mes, pavarësisht se ajo tjetër nuk është duke dëshmuar se di, përpos që është duke kërkuar zgjedhje të reja, që ditën që kanë mbaruar ato të fundit dhe që ata e kanë parë se vërtet nuk i mbështet populli. E si të mbështet populli parti pa atdhe?!
Nëse po në cilin muaj mund të mbahen ato dhe cilën parti e shihni triumfuese?
Më falë që nuk kam kurrë përgjigje për data në politikë.
Pashmangshëm se është në interes edhe mendimi juaj se ç’koalicion preferoni pas zgjedhjeve të reja? E shihni patjetër Veselin si kryeministër?
Për koalicion mund ta japë qëndrimin kur të vjen koha PDK dhe nuk është në natyrën time të spekuloj. Por mund të them se kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Republikës së Kosovës është z. Veseli. Ai edhe do të bëhet Kryeministri i ardhshëm, sepse e ka energjinë, vizionin, projektin dhe potencialin e nevojshëm për të qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit. Me z. Veseli të gjithë do të kenë mundësi për vazhdime, fillime, rifillime e avancime të proceseve e të nismave individuale e grupore, private, publike e institucionale.
Po për tërheqjen e presidentit Thaçi pas reagimeve ndërkombëtare që ushtria të mos bëhet përmes ligjit si e shihni? A gaboi ish-kreu i partisë suaj me iniciativën e ndërmarrë?
Presidenti jo vetëm që nuk është tërhequr nga qëndrimi i vet, por ai e ka avancuar dhe e ka siguruar formimin e ushtrisë edhe në rrethana që nuk kanë qenë të ditura e të bëra publike gjer tash. Të mos harrojmë, Presidenti i Republikës së Kosovës e fuqizojë misionin e formimit të ushtrisë së Republikës së Kosovës realisht, e konkretizoi. Ndryshimet në metodologji nënkuptojnë se Presidenti e zyrtarizoi qëndrimin e SHBA-s dhe të NATO-s që Republika e Kosovës duhet ta ketë me Kushtetutë ushtrinë e saj të definuar. Më bukur së kaq nuk ka. Por kjo erdhi nga nisma e Presidentit Thaçi. Çka do të thotë se kjo edhe hyri në agjendë të pakthyeshme për formimin e ushtrisë. Me ç’rast, pohimi i ambasadorit të SHBA-ve në Prishtinë z.Delawie se ushtria mund të formohet edhe përgjatë vitit 2017, dëshmon për seriozitetin e çështjes në fjalë. Jashtë këtij koncepti ne mund të bëjmë politikë, por unë nuk parapëlqej.
Nisma e Presidentit erdhi menjëher pas qëndrimit që pati Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, z. Xhejms Matis për formimin e ushtrisë në Republikën e Kosovës. Dhe ne Kosovë kishte sens politik për ta kapur këtë vetëm Presidenti Thaçi. Të tjerët, ekskluzivisht partnerët e koalicionit, e jo vetëm opozita, mund të belbëzojnë çfarë të duan, por ky është realiteti.
Ju mbani aktualisht pozitën e zv.ministrit të Kulturës. Ministri i Jashtëm Hoxhaj bëri të ditur se sërish do aplikohet këtë vit për anëtarësim në UNESCO. A pritni që përfundimisht të pranohemi në këtë organizatë?
Mos të ngutemi me UNESCO. Është duke u punuar shumë në këtë drejtim dhe, siç ka thënë edhe ministri i Jashtëm, z. Hoxhaj, Kosova do ta aplikojë me kohë sërish për anëtarësim.
Për fund, si zyrtar i PDK-së, ku e shihni vetën pas zgjedhjeve të reja, në ndonjë post ministror, apo sërish do pajtoheni me një pozitë të zv.ministrit?
Kisha pas qef edhe vetë ta di, i nderuar! Politika ka gjithmonë rrugë, kthesa e labirinte nga ma të çuditshmit. Prandaj ajo është politik. Ajo sundon edhe më të ligën e veçmas prej saj! /tesheshi.com/