Qëndrimet ndaj vizitës së Presidentit turk Recep Tayyp Erdogan në Shqipëri, kanë qenë kontraversale, ku sërish një nga polemistët e njohur të relacioneve turke, studiuesi Piro Misha ka qenë kritik. Më poshtë po botojmë një intervistë të historianit të njohur të çështjes shqiptare James Pettifer, profesor i Universitetit të Oxfordit në Mbretërinë e Bashkuar, dhënë më 2 Mars 2010 në gazetën “Shqip”, ku disa gjëra janë aktuale edhe sot. Ai polemizon dhe me zotin Misha. Po e japim me një variant të redaktuar që të ruajë koherencën…
Edhe pse impenjimi është shtuar, ka pak kohë që punon edhe si pedagog i shumë të famshmit universitet të Oksfordit, profesor James Pettifer, nuk heq dot nga gërmimi i arkivave për të zbuluar të vërtetat e çështjes shqiptare. Dhe Londra është pa dyshim vendi nga ku “flenë” ende shumë të vërteta të panjohura, por që britaniku që e njeh më mirë çështjen shqiptare nuk resht së zbuluari dhe së elaboruara studime që ndihmojnë kancelaritë të punojnë. Pettifer, i cili prej vitesh punon në Qendrën e Studimeve Ushtarake të “Madhërisë së Saj” në Londër, ka sjellë në “Shqip” librin më të ri “Ëoodhouse, Zerva dhe çamët”, ku flet për rolin britanik në kohën e masakrave greke ndaj popullsisë çame. Por, në një intervistë për “Shqip”, profesor Pettifer bën një analizë të gjerë mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në Ballkan. Sipas tij, Athina zyrtare duhet të nisë të negociojë mbi të drejtat e çamëve sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi ajo do të hapet dikur, por e rëndësishme është që ajo të bëhet shpejt. Në këtë intervistë, studiuesi i njohur flet edhe për krizën e fundit, por edhe për çështjen e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Dhe në këtë pikë, James Pettifer, nuk është aspak optimist kur parashikon se shtetet ballkanike do të rrinë në radhë edhe për një kohë të gjatë, pasi sipas tij, Europa ka një dhimbje të madhe koke që është kriza greke, e cila mund të sjellë pasoja të rënda kudo, madje edhe në Shqipëri…
Hapja e arkivave të kancelarive perëndimore po nxjerrin dita-ditës një të vërtetë të ndryshme për Ballkanin dhe në veçanti për çështjen shqiptare. Ju sapo keni botuar një tjetër libër për çështjen çame pas “gërmimeve” në arkivat ballkanike. Çështja çame, sipas jush, është një rast politik apo çështje e të drejtave pronësore?
Në fakt, ky është një problem i të drejtave të njeriut, por nuk është vetëm i tillë, ndaj duhej të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Është një çështje e një identiteti të gabuar dhe shtetësie, ndaj duhet një që të kuptohet në mënyrë korrekte se ç’ka ndodhur. Unë mendoj se duhet bërë një punë historike, unë jam munduar të nis diçka në librin vogël Ëoodhouse, Zerva dhe çamët. Por çështja kryesore është se grekët duhet të nisin të negociojnë. Çamët kanë pasur një përvojë të keqe prej shumë kohësh dhe kanë harxhuar shumë pasuri për pasuritë e tyre të patundshme.
Problemet e vjetra të Ballkanit po gërmohen, por politika greke si konservatorët ashtu edhe socialistët e cilësojnë të mbyllur çështjen çame, ndërkohë që reagimi i Tiranës është kondicionuar nga dobësia e shtetit shqiptar. Ju mendoni se kjo çështje zgjidhet në suazat bilaterale apo duhet një ndërhyrje ndërkombëtare?
Në fakt, faktori ndërkombëtar është aktivizuar, por e rëndësishme është që grekët do të duhet të vendosin bëhen realistë dhe të fillojnë të bisedojnë, sepse përndryshe do të kemi turbullira për vite të tëra. Ndërkaq, edhe qeveritë shqiptare, si të së majtës ashtu edhe të së djathtës kanë ndërmarrë përpjekjet e tyre për ta hapur këtë çështje, por grekët nuk e kanë marrë në konsideratë. Unë mendoj se doktor Berisha duhet të bëjë më shumë presion nëpërmjet shqiptarëve që jetojnë në Greqi, të cilët janë një faktor i rëndësishëm për ekonominë greke, merren me ndërtime, në biznesin e restoranteve etj., duke i dhënë vlera të rëndësishme ekonomisë së Greqisë. Ndërkohë që çështja e emigrantëve është edhe rast i të drejtave të njeriut, pasi kemi mungesë të arsimimit të tyre në gjuhën amtare, gjë që është një standard i njohur në Bashkimin Europian.
Në lidhje me çështjen çame kemi disa zhvillime edhe në lidhje me komunitetin që e përfaqëson në Shqipëri. Nga një shoqatë, tani kemi edhe dy parti politike, a mendoni se kjo përbën faktor pozitiv?
Unë mendoj se duhet të jenë më shumë të bashkuar, por opinioni im dhe i koleges, Miranda Vickers, është që çamët duhet të grumbullohen vetëm në një parti politike.
Në Shqipëri kanë nisur procedurat për regjistrimin e ri të popullsisë, i cili ende pa filluar ka hapur polemika të mëdha në vend në lidhje me çështjen e deklarimit të përkatësisë etnike dhe atë religjioze. Shumë mendojnë se vërtetësia e deklarimit do të varet edhe nga kushtëzimi ekonomik…
E njoh këtë argument dhe ka kohë që e kam vënë re kur nisa të punoj në Ballkan 20 vjet më parë. Por ndryshimet e fundit kanë dhënë një panoramë të ndryshme, ku Shqipëria është një vend më i fortë se 20 vjet më parë dhe është thuajse i barabartë me Greqinë dhe jo një protektorat. Qeveria shqiptare duhet të ketë më shumë besim, pasi ka shumë miq të fuqishëm që e ndihmojnë dhe besoj se ky regjistrim do të realizohet mjaft mirë, pasi ky regjistrim është shumë i rëndësishëm për çështjen e pronësisë.
Përveç çështjes së etnicitetit polemika ka hapur edhe problemi i fesë, si mendoni ju për këtë?
Në fakt, kjo është një çështje e njohur në Ballkan që i ka rrënjët që nga koha e Perandorisë Otomane. Unë mendoj se këtu kemi të bëjmë me çështjen e lidershipit të Kishës Ortodokse Greke, pasi ka ende disa besimtarë ortodoksë që e konsiderojnë fuqinë e Greqisë. Unë mendoj se kjo nuk është çështje kombësie, por thjesht e karakterit fetar. Duhet të kemi parasysh se shumë ortodoksë shqiptarë në të gjitha periudhat historike, kanë qenë pjesë e bërthamës dhe e drejtimit të çështjes shqiptare, kemi shumë patriotë që kanë qenë jo vetëm besimtarë, por edhe klerikë të kishës ortodokse.
Tani në Ballkanin Perëndimor kemi disa zhvillime të reja që ndahen në dy çështje kryesore” liberalizimin e vizave për qytetarët e rajonit dhe procesin e integrimit në BE ku shumica ka aplikuar për statusin e vendit kandidat. Vetëm Shqipëria dhe Bosnja mbetën të fundit për liberalizimin e vizave, sipas jush kjo është një çështje politike apo teknike?
Në fakt, është e vërtetë që një pjesë e madhe e opinionit publik në Britani e konsideron fenë si çështje të rëndësishme, ndaj është shumë e vështirë të pranojnë hyrjen në BE të vendeve me shumicë myslimane. Nuk jam shumë i sigurt për vendet e tjera, por fakt është që kriza ekonomike i ka ndryshuar mjaft gjërat. Duhet të presim edhe më shumë për çështjen e anëtarësimit të vendeve ballkanike. Sipas mendimit tim, situata do të kondicionohet edhe më shumë nga kriza e rëndë ekonomike në Greqi. Ajo është thelbësore për një kohë të gjatë për zhvillimet në të gjithë rajonin, por edhe më gjerë. Patëm pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë, por kjo nuk solli shumë entuziazëm, pasi taksapaguesit europianoveriorë nuk duan të hedhin para e të blejnë anëtarë të BE-së. Opinioni im është që edhe Kroacia nuk do të pranohet në BE në vitin 2012, kjo pasi kriza greke do të japë më shumë reaksion në të gjithë strukturën europiane për vite. Unë mendoj se NATO dhe BE janë gjëra të ndryshme, pasi NATO është Amerika dhe Shqipëria është një mik i mirë i SHBA-së. Në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare, mendoj se një rol të rëndësishëm mund të luajë Turqia, e cila ka një qeveri efektive dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimet në Ballkan si në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë etj. Në këtë aspekt unë nuk jam me një mendim me disa njerëz si Piro Misha që mendon se Shqipëria rrezikohet nga një otomanizëm i ri. Nuk kemi të bëjmë me këtë, por thjesht me peshën specifike të një shteti të fortë.
Marrë nga “Gazeta-Shqip”