Nga Entela Canaj
Kur dëgjon të flitet për herë të parë për Ulzën, mendja të shkon te një komunë e vogël në veri të Shqipërisë, me rrugë të shkatërruara, e që nuk ka asgjë interesante për t`u parë. Por pakkush e di që kjo qytezë e vogël rrethohet nga fshatra turistikë me një natyrë përrallore, që sot gëzon statusin e Parkut Natyror Rajonal.
Edhe vetë qeveria duket se është vonuar në ‘çertifikimin’ e Ulzës si Park Kombëtar, pasi siç tregojnë banorët, turizmi në Ulëz është frekunetuar qysh herët, nga ambasadorë e udhëheqës të shtetit, por në gjithë këto vite ka mbetur mbrapa nga mungesa e investimeve dhe mungesa e një strategjie për zhvillimin e turizmit malor. Por gjërat kanë nisur të lëvizin. Nëse dy vite më parë Ulza frekuentohej nga shumë pak njerëz që ia njihnin vlerat turistike, sot numërohen rreth 300 turistë gjatë pranverës, që vijnë për të shijuar natyrën apo liqenet që ndodhet në Ulzë.
Turistët në Ulzë
Artan Mize, kryetar i Organizatës ‘Miqësia Ulëz’ thotë se Ulza ofron shumë mundësi për turizëm, ku mbizotërojnë kryesisht peisazhet panoramike. Ai tregon se në kuadër të një projekti suedez të quajtur ‘Signoria’, janë 8 rrjete te shoqatave mjedisore, që merrem me Parkun Natyror të Ulzës, që punojnë për njohjen dhe promovimin e vlerave të këtij parku.
‘Këtë herë kemi zgjedhur pikërisht festën e Shën Markut për të promovuar këtë zonë turistike. Është një ndër festat tradicionale trë zonës, jepet Mesha në qendër të Ulzës,organizohen panaire me gatimet e zonës etj, dhe është një mënyrë e mirë për tu treguar mysafirëve se çfarë ofron Ulza. Në fakt fluksi i turistëve në Ulzë ka qenë në rritje, veçanërisht në 2 vitet e fundit. Ka edhe të huaj të cilët i tërheqin shëtitijet me varkë, më kanoe, por ata marrin dhe çadra me vete (kampingje) dhe flenë jashtë në natyrë. Aktualisht këtu vijnë deri në 300 turistë kryesisht tani në pranverë dhe verë, por duhet theksuar se kjo zonë ka qenë e frekuentuar qysh herët, ku kishte shumë ambasadorë që vinin këtu”, tregon Artani.
Mbështetja nga shteti
Por për çfarë ka nevojë Ulza që të promovohet dhe të kthehet në një destinacion të vërtetë turistik? Artani thotë se Ulza ka nevojë si fillim për guida turistike, për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm kryesisht familjar, pasi edhe kapacitetet e zonës nuk janë të tilla që të përballojnë flukse të mëdha turistësh.
“Do të na duhen subvencione nga shteti pasi ato pak restorante apo njësi pritëse janë shumë modeste të ngritura vetëm me të ardhurat e vetë banorëve, të cilët kanë shumë pak mundësi të investojnë në këtë drejtim. Pra tani për tani pikërisht për shkak të këtij investimi të munguar nuk mund të përballohen flukse turistësh. Kemi hartuar disa pika të përbashkëta me të gjithë pronarët që të aplikojmë dhe të konkurojmë për projekte të ndryshme qeveritare etj. Gjithçka këtu është ndërtuar me investime private”, thotë Artan Mize.
Gatimet tradicionale të zonës
Herë pas herë komuna Ulzë organizon panaire ku promovohen gatimet tradicionale të zonës të cilat përveç llojshmërisë dallojnë për nga shija e veçantë dhe vlerat e ushqimit bio. ‘Gatimet tradicionale të zonës Ulzë, janë tavë peshku, nga liqeni i Ulzës, bukë e bërë vetë me misër, byrek, tollum, kek e ëmbëlsira të tjera. Ne në kuzhinën tonë përdorim shumë edhe bimët aromatike, medicinale që i mbledhin vetë nëpër male, si edhe dëllenja, dafina, që i përdorim dhe për çajra. Ne kemi marrë pjesë prej 3 apo 4 vitesh në panaire, me mbështetjen e komunës, kemi organizuar edhe në Peshkopi panaire me prodhime të zonës sonë,’ tregon Vjollca Mize, amvisë nga Ulza.
Punimet e dorës
Punimet e dorës janë një tjetër karaktertistikë e grave të Ulzës, të cilat edhe pse kanë dalë në pension nuk munden të shkëputen nga kjo traditë e vjetër me të cilën janë rritur. Ndaj dhe këmbëngulin t’ua trashëgojnë edhe vajzave të tyre, të cilat edhe pse i pëlqejnë qëndismat, janë pak dembele për ti punuar vetë. ‘Kam tre vajza dhe nuk dinë, sepse nuk kanë pasur kohë, me shkollë e më të tjera obligime,’ thotë Dava Gjoni. Por problem më i madh për këto gra punëtore nuk është lodhja por mungesa e një tregu për t`i shitur punimet artizanale. ‘Stravece’ quhet një nga elementët më të veçanta të veshjes popullore të gravë të Ulzës, (Matit).
“Gratë e zonës sonë, nuset më përpara e përdornin në vend të shamisë. Unë personalisht e kam trashëguar dhe ruajtur nga nëna ime. Unë punoj vazhdimisht me dorë. Qëndis perde, mbulesa, bëj çorape. Por problem është se nuk kemi ku t`i shesim, nuk kemi treg, panairet janë shumë të rralla, ftesa nuk kemi, ndaj dhe gjejmë mënyra private për t`i shitur, punojmë me porosi, kush ka dëshirë për një punim dore na kontakton mik pas miku e kështu me radhë. Lodhje ka, unë i bëj për dy ditë një palë papuçe për shembull, dhe i shes 500 lekë të reja. Perdet dhe mbulesat janë pak më shtrenjtë duke nisur nga 1000 lekë. Ka kërkesa për punët e dorës”, thotë Dava Gjoni, pensioniste.
Veshjet popullore
Veshja popullore tradicionale e Ulzës është mjaft e veçantë, bie menjëherë në sy, sapo ia sheh të veshur dikutj; dominon ngjyra e kuqe dhe lule të shumta. Të bie në sy dhe kapelja me strehë trekëndëshi që shkon shumë me një model flokësh të kapura gërshet rreth e përqark kokës. ‘Veshja është e trashëguar brez pas brezi, e kemi trashëguar nga gjyshërit si unë dhe vëllai. Këto veshje ne i risjellim në festa të ndryshme në dasma e të tjera gëzime. Edhe nusja pas vellos vesh edhe këtë veshje tradicionale. Ne të rinjve na duken pak të çuditshme kur i shohim këto veshje por tani që jam rritur ia di vlerat dhe më pëlqen, ndihem mirë kur e vesh dhe shumë krenare, që e kemi trashëguar”, thotë Ridvana Mize, një vajzë nga Ulza.
Pushteti Vendor
Përfaqësuesit e pushtetit vendor kanë nisur projektet e para për të zhvilluar dhe promovuar turizmin, jo vetëm në Ulzë por në të gjithë rrethin e Matit, nga ku do të varet edhe kjo komunë pas zgjedhjeve, në kuadër të reformës territoriale. Ne takuam në Ulzë për festën e Shën Markut, Adelina Farricin, kryetaren e Bashkisë së Burrelit, e cila na tha se një nga prioritet e zhvillimit ekonomik të zonës është turizmi dhe kryesisht turizmi malor, dhe se e vetmja gjë që duhet është mirëmenaxhimi dhe mirëadministrimi i këtyre resurseve dhe mirëmbajtja e tyre.
“Në drejtim të kësaj po shkojmë, është një punë e ngritur që tashmë duhet të vazhdojë në bashkëpunim edhe me organizatat turistike, janë ngritur ekipe në çdo fshat për mirëmbajtjen e pyjeve dhe natyrës. Si kryetare e Bashkisë së Burrelit kam një plan zhvillimi ekonomik dhe një plan strategjik për të gjithë turizmin në rrethin e Matit. Në kuadër të reformës territoriale komuna e Ulzës do të jenë në varësi të Bashkisë së Burrelit. Ulza është pika kyçe e zhvillimit të turizmit natyror dhe malor,pasi rrethohet nga shumë fshatra turistike, kemi Stojanin që është fantastik, dhe ka resurse të mëdha. Pra gjithçka që duhet të bëjmë është promovimi i turizmit të kësaj zone. Investimet janë të pakta por Bashkia e Madhe do krijojë mundësi financimi bashkë me donatorët, ku prioritet ka kumuna Ulzë apo fshati Stojan. Pritshmëritë nga këto investime janë të mëdha me impakt kombëtar. Ka shumë vizitorë, që i tërheq mikpritja, gatimet, natyra e gjithçka tjetër, por duhet ti bëjmë edhe më të njohura këto resurse turistike”, tha zonja Adelina.
Peshkimi në Liqen
Nëse në zona të tjera turistike peshkimi konsiderohet një sport, në Liqenin e Ulzës, peshkimi është një mënyrë jetese pasi punëson dhjetra peshkatarë që merren me tregtimin e peshkut, të cilët dinë ti respektojnë rregullat e ligjin duke mos peshkuar në periudha ku peshqit shtohen, dhe duke zhdukur çdo formë të dëmshme si dinamiti. Gjon Riza, kryetar i Organizatës së Peshkimit Ulzë; thotë se peshkimi është i mirëorganizuar. ‘Jemi 10 grupe peshkimi, të ndarë në zona,jemi rreth 50 peshkatarë për momentin, por mendojmë ta zgjerojmë grupin. Nga data 15 prill deri në 15 maj gjuetia është e ndaluar sepse është shtimi. Ka pasur raste të përdorimit të dinamitit por janë ndaluar nga inspektorët, policia. Por në tërësi respektohen rregullat. Në ditë normale kapin deri në 15 kg peshk, të cilat i tregtojmë në lokale dhe familjarë që vijnë e porositin. Peshkimi është punë për ne këtu. Kryesisht këtu kapet peshku krap, nil, mlysh; ballgjani, apo pëllëmëz. Një kg peshk mesatarisht shitet 600 lekë. Kemi kapur dhe një peshk të madh deri në 50 kg, ka raste të tilla. Ne nga shteti kemi nevojë për rasat, sepse disa nga llojet e peshkut nuk shtohen vetvetiu, nuk është se kemi pasur mbështetje deri tani vetëm përkrahjen nga policia. Edhe mjetet e punes i kemi blerë të gjitha vetë. Po të kemi mbështetjen e rasatit atëherë edhe peshkatarët si numër shtohen deri në 100 e më tepër,’ thotë Gjoni.
Ulza ndodhet vetëm 1 orë e 30 minuta larg Tiranës, aspak larg për të kaluar një fundjavë me familjen apo miqtë, ku shumë mirë mund të organizohen edhe dreka në natyre, piknik, zgarë apo të flihet në çadra siç bëjnë shpesh turistët e huaj. Parku Natyror Rajonal i Ulzës ka një sipërfaqe prej 4.206 ha, ku pjesën kryesore e zënë sipërfaqet me pyje dhe përfshin dy liqenet, atë të Ulzes dhe të Shkopetit, si zona të rëndësishme për konservimin e biodiversitetit, por gjithashtu edhe me potencialin e madh për zhvillimin e ekoturizmit. /tesheshi.com/