Kur pak vite më parë, një gazetar i njohur njoftonte në FB emërimin si zëdhënës i një dikasteri, një koleg me të cilin kishin punuar për vite të tëra, reagoi në komente duke i thënë pak a shumë: “e kuptova që je emëruar diku, pasi nuk ma ngrite telefonin”.
Ky është vetëm një prej aspekteve etike të një ngërçi mes kolegësh, ku njëri ka vijuar terrenin, e tjetri ka kapur zyrën.
Sot, realisht, të parët ankohen për të dytët se nuk u ngrejnë telefonin, ndonëse deri dje në terren ndanin redaksitë dhe tavolinat e kafeve.
Tjetri dhe më i rëndë, është vetë rënia e zëdhënësit si institucion.
Kudo në botë, zëdhënësi i një institucioni në nivel qeveritar, është dhe zëri i dubluar i eprorit, por në një kuptim që fjala e tij përbën dhe lajm, në sensin më autoritar të fjalës. Kjo për shkak se zëdhënësi përfaqson dhe adaptin e profilit të dikasterit përkatës. Një zëdhënës diplomatik, nuk mundet dot mos ta njeh diplomacinë, e kështu me radhë.
Por çfarë ndodh në Shqipëri prej vitesh? Te ne, zëdhënësat janë në atë detyrë falë njohjeve ndërnjerëzore, e asnjëherë falë zotësisë profesionale.
Ardhja e PD-së në pushtet në vitin 2005, ishte koha kur u shfaqën zëdhënësat “pa lidhje”, ku veçoi Iva Tiço e Kulturës që shkoi të Bujqësia. Ç’prej atëherë, “gallata” të tilla kanë qenë mëse të zakonshme. Në vend të emrave si Agim Neza, Naim Zoto, Sokol Gjoka apo Mariana Zegali, të hapur, komunikues e të zotë për të ta shkoqitur një çështje sipas fushave që mbulonin, u shfaqën kolegë gazetarë që të lodhur nga terreni preferuan zyrën. Kush i kujton këto katër emra, me të cilët mund të ketë patur fatin të bëjë, e di se ata përfaqsonin denjësisht profilin e dikasterit që i përkisnin.
Ndërsa duke veçuar dy të fundit, Sokolin e Ministrisë së Jashtme dhe Marjanën e Mbrojtjes, mjaft të vërehet se kush erdhi pas tyre për të kuptuar se ç’degradim ka pësuar institucioni i zëdhënësit. Ish-gazetarja që në fillim ishte te Mbrojtja e më pas kaloi te diplomacia, jo vetëm që nuk ka histori si gazetare, por nuk ka lidhje me asnjë prej këto fusha, si profil gazetaresk apo shkollim. Keqardhje dhe për kolegun Muhamed Veliu, që një ditë të bukur shkoi dhe u bë zëdhënës ekonomie, pa e patur kurrë ekonominë si profil në karrierë. Dhe si ai nuk janë të pakët. Lista është e gjatë.
Rekordin e mban PD, e cila një ditë ia besoi foltoren e zëdhënësit një çupërline që vinte nga media roze, Orjela Nebiaj (foto ilustruese e shkrimit). Kjo i zuri vendin po ashtu një simotre, Laura Vorpsi, po aq pa lidhje për të qenë një zëdhënëse politike. Sërish lista është e gjatë… /tesheshi.com/