Nga Shkëlzen Rrecaj
Ne e dijmë që atij nuk do i pëlqente të quhej UFO, pra me veti mbitokësore, pasi preferon të jetë thjesht njeri, krejt tokësor, por që t`i jep hakun këtij statusi të bukur dhe të privilegjuar të Krijimit. Por ne një realitet, ku njerëzorja, sidomos ajo që qeveris, e ka humbur fisniken e saj, ai ngjan me një UFO.
Ai ka përbërë gjithnjë lajm, por jo si të tjerët e ‘racës’ së tij, të politikës dhe qeverisjes, që i kanë të pabërat njëra-pas tjetrës. Ai ka përbërë lajm për të kundërtën, që ndoshta media e ka shitur si një “showbiz politik”, ngase nuk është mësur të trajtojë me seriozitet dhe modelin e mirë tek politika dhe qeverisja, ashtu siç trajton skandalet e saj, modelin e hidhur.
Eshtë fjala për Rufki Sumën, kryetarin pa parti të Komunës së Hanit të Elezit. Dorështrënguar më paranë publike, punëtor dhe modest, ai përcjell atë çka politika duhej të ishte dhe pushtetarët duhej të ishin. Për portalin tesheshi.com, ai ka rrëfyer disa aspekte të punës së tij dhe, sidomos atë se si mundi ta pastrojë Hanin e Elezit prej çdo emërtimi serb.
Ju jeni i vetmi kryetar i pavarur i një komune në Kosovë. Sa e vështirë është të punosh pa parti?
Të punosh pa parti është shumë më lehtë për disa aspekte sepse nuk imponohesh në marrjen e vendimeve nga niveli qendror dhe nuk i jep llogari shefave të partive politike pos qytetarëve të cilët na kanë zgjedhur, por në aspektin e përfitimit të projekteve nga niveli qendror, që shpesh ndodhë niveli qendror më shumë i përkrahë dhe u jep mbështetje komunave të cilët i kanë në vijën e vet politike. Ndërsa nga donatorët ndërkombëtar përfitimi i projekteve kapitale është më i lehtë si kandidat i pavarur.
Sa përqind të premtimeve tuaja i keni i keni realizuar?
Edhe pse unë nuk kam mbajtur asnjë tubim zgjedhor dhe nuk kam dhënë asnjë premtim para qytetarëve, pos që kam thënë se do të punoj në interesin e qytetarëve për aq sa kam mundësi, megjithatë në disa debate televizive në kohën e fushatës kam premtuar menaxhim të mirë në interesin e qytetarëve dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore, përmirësimin e cilësisë në arsim, përkujdesje ndaj kategorive të dala nga lufta e UÇK-së etj.
Lirisht mund të them se vitin e kaluar kemi përfunduar me shtrimin e rrugëve lokale me asfalt, me ç’rast asfalti i fundit ka qenë në rrugën e fshatit Dërmjak ku me tepër se 3 km rrugë janë shtruar për vetëm dy shtëpi të banuara, janë shtruar me kubëza betoni shumica e rrugicave në zonën urbane por edhe ato rurale, është rregulluar kanalizimi në tërë zonën urbane por edhe në atë rurale (pos që ka mbetur edhe lidhja e disa kanalizimeve nga zona rurale me atë urbane).
Po ashtu është rregulluar aneksi i QKMF-së dhe janë krijuar kushte shumë më të mira për punë (pos që mungon stafi i mjaftueshëm për disa sektorë shëndetësore si ajo e pediatrisë, gjinekologjisë), gjendja në arsim është jashtëzakonisht e mirë pasi që janë riparuar të gjitha shkollat që ka patur nevojë, gati të gjitha shkollat në komunë janë të reja dhe punojnë vetëm në një ndërrim (pos një shkollë fillore në qytet që punon me dy ndërrime), bëhet transportimi i nxënësve të shkollës fillore që udhëtojnë më shumë se 5 km.
Në të gjitha shkollat mësimi zhvillohet me laptop dhe projektor ku çdo mësimdhënës është i pajisur me laptop personal dhe çdo dhomë mësimi është i pajisur me projektor, është në përdorim ditari elektronik, të gjithë punëtorët e stafit publik (komunës, shëndetësisë, arsimit, B. Islame, kryetarët e fshatrave, bizneset…) dhe familjarët e tyre shfrytëzojnë telefonat pa pagesë në rreth, çdo vit jepen bursa për studentë, hiqen shpenzimet e varrimit për të gjitha rastet mortore, për çdo lindje paguajmë nga 100 euro, japim subvencione nga 150 euro në muaj për familjet e dëshmorëve të rënë në Maqedoni, çdo vit dërgojmë në Banjë të Kllokotit familjarët e dëshmorëve, janë kryer edhe një varg projektesh tjera në bashkëpunim me donatorët vendor dhe ndërkombëtar.
Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur gjatë këtyre viteve të mandatit tuaj?
Çështja e punësimit ka qenë sfida më e madhe gjatë dy mandateve të mia, edhe përkundër shumë punësimeve sezonale që kemi bërë çdo vit ku përmes këtyre projekteve kemi punësuar të paktën nga 50 deri në 100 të rinj çdo vit. Gjithashtu sfidë për ne ka qenë problemi i ujit dhe i mbeturinave. Edhe pse Ligji për Vetëqeverisje Lokale përcakton se është përgjegjësi e komunave menaxhimi i ujit dhe mbeturinave, një gjë të tillë në praktik nuk ndodhë. Kur ne me vendimin e Kuvendit komunal të Hanit të Elezit para 4 vitesh themeluam një kompani për menaxhimin e ujit dhe mbeturinave, Qeveria e Kosovës kërkoi nga ne që ta shfuqizojmë këtë vendim me arsyetimin se Ligji mbi ndërmarrjet Publike nuk lejon që komunat të themelojnë kompani për menaxhimin e ujit dhe mbeturinave.
Në përputhje me vendimin e Qeverisë, Kuvendi i komunës shfuqizoi atë vendim dhe mori vendimin për kyçje në Kompaninë Regjionale “Bifurkacioni” ashtu siç e kërkon ligji, mirëpo kaluan më tepër se dy vite që kjo kompani nuk menaxhon me ujin në territorin e komunës së Hanit të Elezit, ndërsa sa i përket menaxhimit të mbeturinave edhe pse Ligji nga viti 2014 lejon themelimin e ndërmarrjeve Publike Lokale, edhe përkundër asaj që me tepër se një vit që kemi marr vendim për këtë qëllim dhe ia kemi drejtuar qeverisë për lejimin e kësaj kompanie, qeveria ende deri me tani nuk ka lejuar një gjë të tillë. Pra këto dy probleme (uji dhe mbeturinat) ka qenë sfida më e madhe e komunës gjatë këtyre dy mandateve, sepse qytetarët kërkojnë përgjegjësi nga komuna, ndërsa në anën tjetër qeveria nuk lejon një gjë të tillë.
Pasi që jeni kryetar jo-partiak dhe shembull për ruajtjen e parasë publike. Si ia del të funksionojë kabineti juaj kur keni hequr dorë nga shumë benefite, çka nuk është rasti me kolegët tuaj nëpër komunat e tjera të vendit?
Sa i përket kësaj çështje ne menaxhojmë mjaft mirë me ruajtjen e parasë publike, edhe pse nevojat për shpenzime janë jashtëzakonisht të larta sepse çdo ditë kemi nevojë për shpenzime të ndryshme, shpenzimet bëhen zakonisht për pije të ndryshme nga bufeja e komunës për stafin, për mysafir, dreka për mysafir me rastin e manifestimeve të ndryshme (si Dita e Pavarësisë, Dita e Çlirimit, Dita e Dëshmorëve, ceremoni të ndryshme, përurime të ndryshme të projekteve etj), por ajo çka është më e rëndësishme që unë nuk shfrytëzoj buxhetin e komunës për nevoja të mia personale siç janë pijet dhe ushqimi nëpër restorante.
Po stafin? Sa është e lehtë të siguroni përfaqësim apolitik në shërbimet komunale me një shoqëri kaq të politizuar?
Sa i përket stafit, nuk kam ndonjë problem në përzgjedhjen e tillë. Sa i përket stafit politik unë edhe në mandatin e parë edhe në të dytin i kam ofruar të gjitha subjekteve politike që janë të përfaqësuara në kuvend, dhe të gjitha ato parti që kanë pranuar janë përfaqësuar në stafin politik (në drejtori), ndërsa sa i përket stafit civil nuk kemi ndonjë problem dhe nuk kemi obligime politike ndaj asnjërës parti.
Cilat janë raportet e komunës me bizneset që operojnë në Han të Elezit, me aq buxhet sa keni a stimulohet biznesi në Komunën tuaj?
Sa i përket bizneseve, edhe pse Hani i Elezit është një komunë e vogël dhe numri i bizneseve nuk është edhe aq i madh, megjithatë raportet tona me biznesin lokal janë jashtëzakonisht të mira, ku ne si komunë disa here kemi bërë zbritjen e taksës për biznese, pastaj me vendim të kuvendit të gjitha bizneset e reja që themelohen dhe hapin veprimtarit e tyre në territorin e komunës sonë lirohen nga taksa biznesore për 3-5 vitet e para.
Gjithashtu në anën tjetër biznesi i Hanit të Eezit ndihmon komunën dhe komunitetin në shumë aspekte. Përkrahë komunën në dhënien e disa bursave për student, organizohen në dhënien e ndihmave financiare dhe ushqimore për familje të varfra, çdo vit ndërtojnë shtëpi humanitare për të varfër (kryesisht të kategorive të dala nga lufta), ndihmojnë në pastrimin e rrugëve nga bora, vazhdimisht kanë ndihmuar në zhbllokimin e rrugëve nga shembjet e dheut dhe gurëve e punë të tjera.
Shumë komuna kanë mbajtur emërtimet serbe, siç është rasti i Skënderaj, pra Srbica në serbisht. Si arritët të largoni nga përdorimi emërtimin Gjeneral Jankoviq?
Është e vërtetë që fatkeqësisht ende në Kosovë shumë vendbanime mbajnë emërtime serbe, por për këtë çështje fajtor në rend të parë janë institucionet tona e më pastaj edhe institucionet lokale por edhe popullata që pranojnë që këto emërtime të përdoren në vendbanimet e tyre.
Në Han të Elezit menjëherë nga paslufta ne i kemi hequr nga përdorimi këto emërtime dhe nuk kemi lejuar që të përdoren në vendin tonë. Fillimisht edhe pse ne nuk kemi patur komunë, aty ku kemi punuar (në TMK), por edhe popullata nuk ka lejuar që ky emërtim të përdoret dhe ku do që ka hasur në këtë emërtim i kanë hequr (qoftë tabela në rrugë apo edhe ndokund tjetër). Menjëherë pas lufte kur UNMIK-u dhe KFOR-i filloi të përdorë mbishkrime të ndryshme me emrin e kriminelit Gjeneral Jankoviq, ne ua kemi tërhequr vërejtjen që mos të përdorët ky emërtim sepse ne nuk do t’i pranojmë dhe do t’i heqim menjëherë.
Gjithashtu iu kemi drejtuar me shkresë UNMIK-ut si në nivelin lokal ashtu edhe atij qendror duke e njoftuar me biografinë e kriminelit Jankoviq, pastaj kur në pikën kufitare në Han të Elezit UNMIK-u filloj të përdor vulën me emërtimin Gjeneral Jankoviq, ne kemi reaguar menjëherë (aso kohe si komandant i TMK-së) dhe kemi organizuar edhe protestë me qytetarë, ku nga presioni ynë UNMIK-u nuk ka përdorur fare vulën në pikën kufitare.
Gjithashtu edhe ish kryetari i komunës, por edhe unë pasi jam bërë kryetar komune disa herë iu kemi drejtuar me shkresë të gjitha institucioneve më të larta të vendit si atyre të Kosovës ashtu edhe atyre ndërkombëtare që mos të përdorët ky emërtim, dhe sa herë që dikush e ka përdorur këtë emërtim në shkresat e tyre apo edhe në tabela të ndryshme ne nuk e kemi pranuar dhe e kemi kundërshtuar. Vlen të përmendet se edhe të gjitha faturat e tatimit në pronë të qeverisë së Kosovës drejtuar qytetarëve të Hanit të Elezit për pagesë, ne ua kemi kthyer mbrapa deri sa nuk është larguar ky emërtim një herë e përgjithmonë.
Është me rëndësi të përmendet se hera e fundit kur ne iu kemi drejtuar me shkresë të gjitha institucioneve me të larta të vendit (Kuvendit, Presidentit, Qeverisë, MPB-së, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës) ishte viti 2012 kur ishte edhe 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, ku njëkohësisht ishte edhe 100 vjetori i krimeve që Gjenerali Jankoviq kishte bërë mbi popullatën shqiptare jo vetëm në Han te Elezit por në gjithë Kosovën. Në atë shkresë ne i kemi njoftuar të gjitha institucionet se nëse nuk hiqet nga përdorimi ky emërtim atëherë askush nuk do të bartë përgjegjësi për veprimet që do të ndodhnin në Han të Elezit, sepse ne paramendonim bllokimin e kufirit në këtë pjesë, por fatmirësisht në gusht të vitit 2012 Kuvendi i Kosovës e hoqi nga përdorimi emërtimin Gjeneral Jankoviq duke ndryshuar Ligjin për Kufijtë Administrativ të Komunave.
Jeni vërejtur se si nuk përtoni të përvilni mëngët dhe të punoni direkt në terren për mirëqenien e popullit, një veprim i rrallë nga kryetarët tjerë. Pse ndieni obligim të bëni këtë?
Kur kemi pranuar kërkesën e qytetarëve për t’u kandiduar për kryetar edhe kemi patur parasysh që të punojmë për qytetarët e jo vetëm t’i shfrytëzojmë benificionet që i kanë kryetarët. Unë nuk punoj vetëm tani në interesin e qytetarëve, sepse fundi i fundit tani paguhemi për një punë të tillë. Unë kam punuar në interesin e qytetarëve edhe në ditët më të vështira dhe pa para dhe atë duke filluar nga koha studentore (vitet 1987 e këndej) kur kam punuar në Forumin Rinor, KMDLNJ, Komisionin për Informim, bashkëpunëtor gazetash, Këshillin për Financim, SHKA e aktivitete të tjera para luftës me plotë sakrifica, pastaj në kohën e luftës si ushtar i UÇK-së (të gjitha këto punë dhe aktivitete pa pagesë) pastaj pas luftës në TMK dhe tani në komunë, ku vazhdimisht kam punuar në interesin e qytetarëve dhe tani aspak nuk përtoj të punoj në shërbim të qytetarëve sepse tani të paktën paguhem për këtë punë.
Me rizgjedhjen tuaj në krye të Hanit të Elezit, si duket qytetarët janë të kënaqur me punën tuaj. Si janë raportet tuaj me popullin?
Besimi i qytetarëve është shprehur në zgjedhjet e fundit lokale ku unë edhe përkundër fushatës së partive më të mëdha në vend kundër meje, unë fitova pa balotazh. Raportet e mia me qytetarë janë zakonisht të mira ku unë çdo ditë takohem me qytetarë të ndryshëm jo vetëm në orar të rregullt të punës, por në të shumtën e rasteve para orës 7 të mëngjesit dhe pas orarit të punës por edhe gjatë vikendeve. Mbajmë shumë debate me qytetar si për planifikimin buxhetor, për realizimin e projekteve të ndryshme por edhe takime miqësore.
Për fund z. Suma a do të kandidoni përsëri për kryetar të Hanit të Elezit apo cilat janë planet tuaja në të ardhmen, a keni oferta nga partitë e tjera?
Sa i përket kandidimit, unë asnjëherë nuk kam kërkuar që të kandidoj për kryetar, por jam deklaruar se do të jem gjithnjë në shërbim të popullit, andaj edhe motoja ime në dy palë zgjedhjet ka qenë: “Gjithnjë në shërbim të popullit”. Pra nuk jam interesuar që të kandidoj sepse dëshira ime është që të punoj edhe për familjen time, por në anën tjetër do të respektoj vullnetin e qytetarëve sepse jam zotuar se do të jem në shërbim të tyre. Sa i përket ofertave nga partitë politike vazhdimisht kam oferta gati nga të gjitha partitë politike për t’u bërë anëtarë i tyre, por jam i vendosur që asnjëherë nuk do të anëtarësohem në asnjë parti por do të përkrah dhe mbështes të gjitha partitë që punojnë për interesa të qytetarëve dhe interesa kombëtare. /tesheshi.com/