Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Lulzim Basha, ka shpalosur një tjetër formë të denoncimit të qeverisë qendrore, të Ramës më saktë, sipas së cilës, fondet e bllokuara nga pushteti qendror nuk kanë mundësuar ndërtimin e disa veprave publike, ndër to dhe bulevardit të ri në Paskuqan. Parë kështu dhe kaq ngushtësisht, Bashkia ka plotësisht të drejtë. Por parë në kohë, kjo është rënia në një gropë që vetë e kë ngritur pak vite më parë.
Praktika e bërjes së gropës tjetrit, e veçanërisht me vepra publike, sipas variantit më provincialo-inatçor: “më mirë ta prish atë që ti ke ndërtuar, sesa të ndërtoj unë diçka po aq të mirë, ose më të mirë se ti”, daton që në vitin 2007, ku në prag të zgjedhjeve lokale, ku qeveria e atëhershme Berisha vendos të prishë mbikalimin e saponisur të Zogut të Zi, një ndër veprat më të mëdha publike në kryeqytet dhe po ashtu ndër më të domosdoshmet për qarkullimin normal të automjeteve, duke nxjerrë lloj-lloj yçklash në dokumentacionin përkatës.
Dhe sa për kujtesë, Bashkia e fitoi në Strasburg gjygjin me qeverinë për atë vepër, që sot e kësaj dite nuk është dëmshpërblyer fondi prej miliona eurosh nga taksapaguesit, të hedhura në erë për një kapriço politike të ulët (si për ironi, qeveria e atëhershme humbi “lokalet” në Tiranë me rezultat të thellë). Më pas, ky trend inatçor u ndoq me Unazën e madhe të Tiranës, ku qeveria Berisha hem bllokoi fondin e hem ia morri kompetencat pushtetit lokal për atë lloj vepre. Qëllimi më së fundi u arrit: Ramës iu morr Bashkia.
Tashmë vinte faza tjetër, ajo e ndërprerjes së çdo vepre në ndërtim e sipër nga ana e kundërshtarit, duke nisur me anollimin e projektit për Xhaminë e Madhe pas Pallatit të Kulturës, Sheshin Skënderbej për t`u kthyer në pedonal, e do ikte për lesh dhe pedonalja tek Toptanët, sikur përfaqsuesit e KE-së në Tiranë prejs ë cilës financohej, mos diktonin gjithë proçesin e punimeve aty deri në inagurim.
Rama bën gabim të rëndë, nëse po ia kthen me të njëjtën monedhë kundërshtarit, por gjykuar me standart hyjnor, faji më i madh bie mbi atë që sefte e nisi një të keqe.
E tani, nëse ka ekzistuar ndonjë dilemë që thënia “kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda”, jo gjithnjë gjen zbatim në realitet, preçedenti që ka prodhuar politika e Tiranës, e kthen në lapidare këtë thënie si bartëse të një vërtetësie dhe urtësie të thellë. /tesheshi.com/