Ashtu siç ishte paralajmëruar, Florentino Perez, president i klubit madrilien, ka deklaruar gjatë mbrëmjes të së hënës se Zinedine Zidane do udhëheqë Realin pas shkarkimit të Rafael Benitez-it.
Rezultatet aspak të mira javëve të fundit si dhe marrëdhëniet jo të mira me futbollistë, kanë shtyrë presidentin Perez të ndërmarrë këtë vendim. Pas mbledhjes së bordit u vendos që Zinedine Zidane të qëndrojë në krye të shtabit teknik, të paktën deri në fund të sezonit, me mundësi vazhdimi.
Ndërkohë, në fjalët e tij të para si trajner, Zidane premtoi vetëm punë, pa e fshehur aspak entuziasmin që morri drejtimin e klubit në të cilin luajti për vite të tëra.
“Falënderoj klubin për mundësinë që më dha që të udhëheq ekipin e parë. Kemi klubin më të mirë në botë. Duhet të bëjmë dhe do të tentoj të jap më të mirën për këtë ekip. Kjo është ditë e rëndësishme për mua. Jam më i lumtur tani se sa ditën që nënshkrova si lojtar me Realin”, tha Zidane. /tesheshi.com/