Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e shndërruar së fundi në shënjestër të çiftit Meta-Kryemadhi, njëri presidenti e tjetra kryetare e LSI-së, ofroi për publikun versionin e saj të asaj për çfarë kreu i shtetit e trajton si grushtshtetase, apo pjesë të një organizate kriminale, e bashkëshortja në krye të opozitës i etiketoi si “halabake rrugësh”. Dhe bëhet fjalë për një njoftim në Fletoren Zyrtare, në lidhje me emrat e rinj të votuar nga parlamenti për Gjykatën e Kushtetuese.
“Nuk e bëj këtë sqarim as për t’ju përgjigjur presidentit dhe as për t’ju përgjigjur fjalëve të padenja që i ka adresuar në drejtimin tim.
Presidenti ka krijuar një kauzë fiktive në funksion të betejave të tij politike, që në çdo rast nuk janë në përputhje me përgjegjësitë e tij të larta kushtetuese si përfaqësues i unitetit të popullit në momentin më të rëndësishëm që po kalon Shqipëria në prag të negociatave.
Deformimet e rënda faktike, juridike dhe logjike të këtij show presidencial mbi gjoja rrëmbimin e kompetencave të presidentit janë mbresëlënëse për këdo që i di faktet.
Kujt dhe për çfarë i drejtohet në thirrjen e tij të dëshpëruar zoti President mbi zgjedhjen e anëtarëve të GJK kur sot gjyqtarja e zgjedhur prej tij me një procedurë në kundërshtim me kushtetutën ushtron funksionin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjonaj.
Edhe kjo e fundit, ashtu siç presidenti, u fut në yçkla juridike, sigurisht me të drejtën për t’u mbrojtur nga akuzat, ndërkohë që kreu i shtetit, këto yçkla i ka shndërruar në kuazë, për të cilën sipas tij duhet që populli të ngrihet e reagojë.
“Si qëndron konkretisht fakti i Botimit në Fletoren Zyrtare i vendimit të KED-se për anëtarin e zgjedhur ex lege? Presidenti deklaron se grupi i strukturuar i Ministrisë së drejtësisë, ka shkelur ligjin se ka botuar në FZ një vendim që s’kishte kompetenca për ta botuar. Por në fakt është krejt e kundërta: Pas informacionit që KED i ka dërguar Kuvendit, ky i fundit i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë informacionin mbi praktikën e ndjekur nga KED dhe faktin që afati 30 ditor i emërimit të anëtarit të gjykatës Kushtetuese nga Presidenti kishte përfunduar dhe për këtë shkak kandidati i renditur i pari në bazë të vendimit të KED-së, konsiderohej i emëruar ex lege (automatikisht). Për sa kohë që është një anëtar i emëruar nga ligji, Ministria e Drejtësisë i dërgoi Qendrës së Botimeve Zyrtare për publikim vendimin e KED për renditjen e kandidatëve”, argumentoi Gjonaj.
Sipas saj, faji është i një të shtune, aty ku është kapur Meta. “Presidenti paraqet pa pushim një rrëfim me natyrë policeske, lidhur me botimin në Fletoren Zyrtare të zgjedhjes së zonjës Arta Vorpsi. Bërthama e rrëfimit është thjeshtë dita e shtunë. Pra fakti se botimi në Fletoren Zyrtare është bërë të shtunën, i ka mjaftuar zotit President të dalë në konkluzionin se jemi përpara një konspiracioni armiqësor, përmes të cilit synohet një grusht shteti.
Sinqerisht e kam shumë të vështirë të besoj se Presidenti i Republikës e beson vetë këtë version kaq ekstremist për imagjinatën e çdo njeriu normal, të një konspiracioni me finalitetin e një grushti shteti, i cili provohet me argumentin se ditën e shtunë, grupi armiqësor në Ministrinë e Drejtësisë është vënë në lëvizje duke synuar të përfitojë nga fakti se shteti është pushim.
Sikur Presidenti të kishte bërë një kërkim krejt sipërfaqësor në arkivë, do të kishte mësuar se jo vetëm e shtuna po edhe e diela, janë ditë që figurojnë më parë në Fletoren Zyrtare”, tha Gjonaj.
Sa për kallzimin penal në SPAK që i ka bërë kreu i shtetit, ministrja Gjonaj tha se do flasë më vonë për këtë çështje. /tesheshi.com/