Në rreth 15 bashki strukturat e PS-së në zgjedhjet parlamentare të 25 qershoorit dështuan, pasi rezultati i arritur prej tyre ishte më i dobët se i 4 viteve më parë. Kjo do të thotë se 16 kryetarë aktualë të degëve të PS nuk do të rikandidojnë për postet që kanë, referuar edhe statutit të kësaj partie.
Të dhënat përfshihen në raportin konfindencial të hartuar nga grupi i punës, ku evidentohen degët që në zgjedhjet e fundit parlamentare patën performancë negative.
Burime nga Partia Socialiste thanë se, mandati i çdo kryetari socialist të bashkisë do të analizohet hap pas hapi, për të parë mundësitë që strukturat socialiste kanë pasur për të arritur një rezultat më të mirë, por dhe faktorët që kanë ndikuar në të. Krerët socialistë të bashkive, ndodhen në mes të mandatit të tyre, të cilin e fituan me zgjedhje në 2015, pasi kanë marrë një mandat 4-vjeçar. Ata janë funksionarë dhe janë përjashtuar nga çdo detyrë shtetërore.
Raporti
Grupi i punës, i caktuar nga Kryeministri Rama, në përbërje të të cilit ishin Fatmir Xhafaj, Blerina Gjylameti, Ilir Pendavinji, Alket Hyseni, Ana Dhamo, Flamur Golemi dhe Arben Kamami, ka bërë edhe analizën se ku ka pasur defekte dhe mangësi në punën e brendshme të strukturave të saj, shkruan Panorama.
Tabela e rezultateve për çdo qark, tregon se qarqet e Korçës, Tiranës dhe Elbasanit, në shumicën e organizatave socialiste, kanë marrë rezultat negativ, edhe pse Tirana si qark fitoi dy mandate më shumë deputetësh dhe Elbasani një mandat më shumë, krahasuar me 2013. Ndërsa më mirë në numër organizatash me rezultate pozitive, janë qarqet e Vlorës, Kukësit dhe Lezhës.
Raporti konfidencial i Partisë Socialiste, që i bën analizë punës së strukturave dhe rezultatit të zgjedhjeve, del në përfundimin se, 1480 organizata socialiste kanë marrë rezultat më të ulët në zgjedhje, krahasuar me 2013, ndërsa 2328 organizata kanë pasur rezultat më të lartë se katër vjet më parë.
Sipas statutit të PS, nëse rezultati në zgjedhje është më i ulët se ai i zgjedhjeve të kaluara, kreu socialist përjashtohet nga kandidimi. “Organizimi elektoral u parapri nga përcaktimi i objektivave dhe projektimi i numrit të votave potenciale të PS për çdo OS; objektiv, i cili u arrit nga 6 qarqe: Berat, Durrës, Gjirokastër, Kukës, Lezhë e Vlorë. Partia Socialiste pësoi rënie nga rezultati i arritur në 2013 në 1480 organizata.
Rënia totale në këto organizata ishte afërsisht 42 mijë vota, ndërsa në 2328 organizata morën një rezultat më të mirë se në 2013, duke sjellë në total 100 mijë vota më shumë për PS në 2017. Nga 3828 OS të analizuara në të gjithë vendin, vetëm 1657 ose 43.3% prej tyre, arritën objektivin elektoral të PS”, thuhet në raportin e përgatitur nga grupi i punës për analizën e zgjedhjeve.
Drejtuesit e PS-së të bashkive me rezultat negativ
Arvit Osja, PS Shkodër, -2,285 vota
Kristian Shkreli, PS Vau i Dejës, -547 vota
Bledi Çomo, PS Pogradec, -1,524 vota
Jani Ago, PS Pustec, -127 vota
Eroldi Begolli, PS Devoll, -2,340 vota
Gëzim Salla, PS Cërrik, -1,162 vota
Edurim Teqja, PS Peqin, -2,957 vota
Haxhi Çollaku, PS Përrenjas, -485 vota
Sybi Shehu, PS Kuçovë, -465 vota
Edmond Omeri, PS Skrapar, -226 vota
Afrim Mikli, PS Dibër, -1,452 vota
Hodjan Selmani, PS Këlcyrë, -387 vota
PS Kavajë, -1,939 vota
PS Kamëz, -353 vota
Haxhi Memolla, PS Rrogozhinë, -477 vota /tesheshi.com/