Kreu demokrat Basha, ka denoncuar keqqeverisjen, kësaj radhe duke iu referuar një shifre të ofruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, lidhur me dëmin financuar shkaktuar nga administrata në 6-mujorin e parë këtij viti.
“Raporti i sapo bërë publik i Kontrollit të Lartë të Shtetit shpjegon në detaje se dëmi ekonomik i shkaktuar nga keqqeverisja dhe abuzimi vetëm në dogana, tatime dhe tendera është afro 600 milionë euro. Është tjetër tregues skandaloz i një qeverisje qëllimi i vetëm i së cilës është grabitja e parave dhe pasurive të vendit.
Në shfaqjen e tij tragji-komike Edi Rama është duke bredhur në Shqipëri për t’ju kërkuar njerëzve të denoncojnë ata që abuzojnë me detyrën. Nëse e ka seriozisht le të marrë raportin e KLSH-së dhe të pushojë dhe ndjekë penalisht drejtuesit e doganave, tatimeve dhe prokurimeve, dhe ministrat e funksionarët e tjerë publikë që kanë shkaktuar këto dëme. Por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse në fakt Edi Rama është vetë shembulli dhe kampioni i abuzimit me detyrën dhe pasuritë publike për interesat e tij dhe klientëve të tij”, shkruan Basha në FB.
Kujtojmë se gjatë viteve të drejtimin të Bashkisë së Tiranës, Rama kishte si pikë kryesore krenarie raportet e KLSH-së lidhur me institucionin që drejtonte, të cilat e nxirrnin gjithnjë faqebardhë në tregues tejet të ulët dëmi, deri dhe zero, gjë që nuk po ndodh në drejtimin e shtetit, së paku për mandatin e parë 4-vjeçar. /tesheshi.com/